Ekstremi politik "kërcënon" Merkel: Partia ultramajtiste "E Majta" dhe simotra djathtiste "Alternativa për Gjermaninë" krijojnë terren

28 Tetor 2019, 18:13Bota TEMA

Partitë ekstremiste i kanë dhënë një goditje establishmentit politik të kancelares Angela Merkël në Gjermani.

Partia ultramajtiste “E Majta” dhe simotra djathtiste “Alternativa për Gjermaninë” morën përkatësisht 31 dhe 23,4 për qind të votave në zgjedhjet rajonale të së dielës në landin ish-komunist të Tyringisë.

Partia kristiandemokrate e kancelares Merkël mori 21,8 për qind të votës ose 11 për qind më pak se në mandatin e shkuar, socialdemokratët 8,2 për qind dhe të gjelbrit në vend të pestë me mbi 5 për qind.

“Dielli dhe flamuri ynë blu janë ngritur në Lindje dhe së shpejti do të shndritin e valëviten në gjithë Gjermaninë. Votuesit duan një tjetër ndryshim po aq domethënës si rënia e Murit të Berlinit ,” deklaroi kandidati kryesor i ultradjathtistëve për Tyringinë, Bjorn Hëke, i kontestuar vazhdimisht për retorikën e tij antiemigracion dhe neonaziste.

Të majtët fitues por edhe partitë e tjera e kanë përjashtuar një koalicion me populistët e AfD-së, të cilët edhe në shtator fituan mbi 23 për qind të votave në rajonet e Saksonisë dhe Brandenburgut.

Ndërkohë pasardhësja e kancelares Merkël në CDU nuk ka mundur t’i kthejë popullaritetin partisë, që vijon të humbasë mbështetjen prej vendimit për të pranuar më shumë refugjatë në vend prej vitit 2015.

Merkël ka thënë se ajo vetë nuk do kandidojë politikisht në zgjedhjet federale të vitit 2021.

Në zgjedhjet e së dielës në rajonin e Tyringisë pati një pjesëmarrje të lartë dhe fushata u fokusua te temat kryesore për popullsinë rurale si transporti, edukimi dhe shërbimi shëndetësor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje