Zgjedhjet rajonale në Umbria kanë rezultuar një test i vështirë për aleancën qeverisëse mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokratike. Rezultati zyrtar i jep fitoren Legës së Matteo Salvinit me 36.9%, e ndjekur nga Fratelli d’Italia me 10.4% dhe Forza Italia 5.5%.
Lideri i Lega-s, Matteo Salvini, paralajmëroi qeverinë që ta lexojë me kujdes votën e qytetarëve të Umbrias. Këtë paralajmërim duket se e ka dëgjuar mirë ish-aleati i tij, Luigi Di Maio, i Lëvizjes 5 Yjet, i cili foli sot për herë të parë për dilema në lidhje me aleatët e rinj në qeverisje.
“Ajo që ndodhi në Umbria, e thashë, ishte një eksperiment. Nuk funksionoi. E gjithë teoria se nëse do të dilnim në aleancë me një forcë tjetër politike, do të ishim një alternativë, nuk rezultoi se suksesshme”, ka thënë ai për Sky TG2, duke folur për “një rrugë që nuk mund të ndiqet” lidhur me paktin PD-Lëvizja 5 Yjet.
“Duhet të përmirësojmë qeverinë. Po punojmë që kjo qeveri të çojë në fund programin e tre viteve të ardhshme dhe pastaj të vlerësohet nga italianët. Zgjedhjet do të vijnë dhe do të jenë ata që do të vendosin”, ka thënë ai.
Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike qeverisin Italinë prej rreth dy muajsh. Pas zgjedhjeve të marsit 2018, drejtimin e Italisë e mori aleanca Lega e Matteo Salvinit-Lëvizja 5 Yjet.
Ky koalicion qeverisi për 18 muaj, por u prish në shtator pas tërheqjes së Salvinit, i cili synonte zgjedhjet e parakohshme, me bindjen se kishte votat e mjaftueshme për të qeverisur vetëm. Por dalja nga koalicioni e nxori Legën në opozitë, pasi Lëvizja 5 Yjet arriti një marrëveshje me Partinë Demokratike, e cila ka qeverisur vendin para zgjedhjeve të vitit 2018.