Erdogan: Vrasja e Al-Baghdadit, pikë kthese në luftën kundër terrorizmit

28 Tetor 2019, 10:57Bota TEMA

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se vrasja e udhëheqësit të grupit militant Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, është një “pikë kthese” në luftën kundër terrorizmit.

“Vrasja e udhëheqësit të Daesh-it shënon një pikë kthese në luftën tonë të përbashkët kundër terrorizmit”, tha Erdogan në Twitter, duke përdorur një emër tjetër për Shtetin Islamik.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të dielën për vrasjen e Al-Baghdadit, në një sulm të forcave amerikane në fshatin Barisha të provincës Idlib, në veriperëndim të Sirisë.

Erdogan tha se Turqia “do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet anti-terroriste, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën”.

“Jam i sigurt se lufta vendimtare kundër terrorizmit, në përputhje me frymën e aleancës, do të sjellë paqe për gjithë njerëzimin”, tha Erdogan.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se “ka pasur koordinim dhe shkëmbim të informacioneve” me Shtetet e Bashkuara, para operacionit për vrasjen e Al-Baghdadit.

Al-Baghdadi ka qenë një nga terroristët më të kërkuar në botë. Në kulmin e fuqisë më 2014 dhe 2015, grupi Shteti Islamik ka kontrolluar një sipërfaqe prej 88,000 kilometrash katrorë që shtrihej nga Siria perëndimore në Irakun lindor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje