Kush ishte njeriu që bëri të mundur gjetjen e liderit të Shtetit Islamik

28 Tetor 2019, 10:18Bota TEMA

Një prej bashkëpunëtorëve të afërt të liderit të Shtetit Islamik është njeriu kyç në ekzekutimin e tij. Në shkurt të 2018-s, njëri prej ndihmësve të Al Baghdadit u dha shërbimeve sekrete irakiane informacione se si ai i shpëtoi kapjes për kaq shumë vjet.

“Baghdadi bënte mbledhje me komandantët e tij lidhur me lëvizjen e minibusëve të mbushur me perime, të cilët përdoreshin për të shmangur zbulimin”, u tha Ismael al-Ethawi zyrtarëve irakianë, të cilëve iu dorëzua pasi u arrestua nga autoritetet turke.

“Ethawi dha informacion të vlefshëm, i cili ndihmoi ekipin irakian të plotësonin pjesët e munguara të mozaikut të lëvizjeve të Bagdadit dhe vendet që ai përdorte për t’u fshehur,” tha një nga zyrtarët irakianë të sigurisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të dielën se Al Bagdadi vdiq “duke qarë” gjatë një sulmi nga forcat speciale amerikane në rajonin Idlib në veriperëndim të Sirisë.

Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se udhëheqësi i Shtetit Islamik vdiq së bashku me tre fëmijët e tij, pasi shpërtheu një jelek me lëndë eksplozive, ndërsa ikte në një tunel prej forcave speciale.

Rruga drejt eliminimit të Al Bagdadi ishte plot zhgënjime për agjencitë e inteligjencës perëndimore dhe arabe, të cilët kanë grumbulluar të dhëna për vendndodhjen e një njeriu që imponoi sundimin e terrorit, përmes porositjes së ekzekutimeve masive dhe prerjes së kokave, në një kohë kur në Siri dhe Irak mbretëronte kaosi. Ai është gjithashtu përgjegjës për sulme të tmerrshme në pesë kontinente në emër të versionit të tij ultra fanatik të Islamit.

Pika e kthesës

Ethawi, i cili ka një doktoraturë në Shkencat Islame, konsiderohej nga zyrtarët e inteligjencës irakene si një nga pesë ndihmësit kryesorë të liderit. Ai u bashkua me Al Qaeda-n në vitin 2006, u arrestua nga forcat amerikane në 2008 dhe u burgos për katër vjet.

Bagdadi më vonë e ngarkoi Ethawi-n me detyra kyçe siç janë dhënia e udhëzimeve fetare dhe zgjedhja e komandantëve të Shtetit Islamik. Pasi grupi u dobësua në vitin 2017, Ethaëi iku në Siri me gruan e tij siriane.

Një tjetër pikë kthese erdhi në fillim të këtij viti, gjatë një operacioni të përbashkët, në të cilin SHBA, agjentët e inteligjencës turke dhe irakene kapën udhëheqës të lartë të Shtetit Islamik, duke përfshirë katër irakenë dhe një sirian, thanë zyrtarët irakenë të sigurisë.

“Ata na dhanë të gjitha vendet ku po takoheshin me Baghdadin brenda Sirisë dhe ne vendosëm të koordinoheshim me CIA-n për të vendosur më shumë burime brenda këtyre zonave”, tha një nga zyrtarët irakenë, i cili ka lidhje të ngushta me agjenci të shumta sigurie.

“Në mesin e vitit 2019, ne arritëm të lokalizonim Idlibin si vendin ku Baghdadi po lëvizte nga fshati në fshat me familjen e tij dhe tre ndihmës të afërt,” tha zyrtari.

Informatorët në Siri vunë re një burrë irakian që mbante një veshje të verdhë në një treg të Idlib dhe e njohën atë nga një fotografi, tha zyrtari. Ishte Ethawi, dhe ata e ndoqën atë në shtëpinë ku po qëndronte Bagdadi.

“Ne ia kaluam detajet CIA-s dhe ata përdorën një satelit dhe drone për të mbikëqyrur vendndodhjen e tij për pesë muajt e fundit,” tha zyrtari.

Dy ditë më parë, Baghdadi la për herë të parë strehimin kur rrinte me familjen e tij dhe udhëtuan me minibus në një fshat aty pranë.

“Aty ishte momenti i tij i fundit”, tha zyrtari.

Armiqtë lokalë

Bagdadi ishte gjithashtu në arrati nga armiqtë që kishte në Siri.

Hayat Tahrir al-Sham, grupi i njohur më parë si Fronti Al Nusra dhe që dominon në Idlib, e kërkonte për llogari të vet Al Bagdadi-n pasi kishte marrë informacione që ai ishte në zonë.

Fronti Al Nusra dhe Shteti Islamik kanë qenë rivalë dhe kanë bërë beteja të përgjakshme kundër njëri-tjetrit në luftën siriane.

Fronti Al Nusra, i themeluar nga Abu Mohamad al-Golani, ishte bashkëpunëtori zyrtar i Al Qaeda-s në Siri derisa u shkëput nga rrjeti global xhihadist në vitin 2016.

Sipas komandantit të Idlib, Hayat Tahrir al-Sham kohët e fundit kapi një ndihmës tjetër të Baghdadit të njohur si Abu Suleiman al-Khalidi, një nga tre burrat që shiheshin të ulur së bashku me Baghdadi-n në mesazhin e tij të fundit video. / REUTERS / Përgatiti: Gazmira Sokoli /

2 komente në “Kush ishte njeriu që bëri të mundur gjetjen e liderit të Shtetit Islamik”

  1. arturo says:

    Ai qē e gjeti Al agdadin quhet “DOLLAR”.

  2. arturo says:

    Ai qē gjeti AL Bagdadin,quhej “DOLLAR”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje