Ashtu si Osama bin Laden, edhe trupi i Al Baghdadit është “varrosur në det”, vetëm pak orë pasi u konfirmua identiteti i tij përmes analizës së ADN-së.
Të gjitha detajet e operacionit special dhe ceremonisë që pasoi vdekjen e tij mbeten informacion i klasifikuar. Pasi Al Baghdadi u eliminua, trupi i tij u “çua në një mjedis të sigurt, ku u konfirmua identiteti i tij përmes analizave të ADN-së”, bëri të ditur gjenerali amerikan, Mike Milley.
Njësoj si me Bin Ladenin 8 vjet më parë, edhe Al Baghdadit i është bërë një ceremoni mortore në përputhje me ritet myslimane. Ndërsa bastisja dhe procesi i identifikimit dhe asgjësimit të trupit janë dokumentuar në foto dhe video të shumta, ato nuk publikohen.
Edhe pse Donald Trump tha më herët se po mendonte të publikonte “pjesë të caktuara” të videos së operacionit – në të cilat me gjasë, Al Bagdadi shfaqet “duke folur, duke bërtitur dhe duke qarë” – mbetet e paqartë nëse ato pamje do të shihen ndonjëherë.
Administrata e Obamës kurrë nuk publikoi asnjë filmim nga operacioni blic i vitit 2011, që eliminoi Osama bin Laden, ose foto të trupit të tij, me pretendimin se ato mund të paraqisnin “rrezik për sigurinë kombëtare”.
Njoftimi publik i Uashingtonit që Al-Bagdadi përfundimisht ishte neutralizuar, këtë herë dukej “i besueshëm”, por ende nuk është mbështetur nga prova të forta, ka thënë Ekipi Monitorues i KB mbi grupet terroriste.
Për vdekjen e Al Baghdadit është raportuar disa herë dhe në rastin konkret janë të shumta pikëpyetjet që ngrihen në mungesë të provave të qarta.
Rusia nga ana e saj hedh dyshime. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë vuri në dyshim të paktën disa pjesë të rrëfimit të Trump-it, duke thënë se ajo kurrë nuk e liroi hapësirën ajrore siriane që ka nën kontroll për avionët amerikanë, dhe nuk regjistroi ndonjë sulm ajror të koalicionit amerikan në zonë. (TemA TV)