Roma e lashtë ka qenë një qytet emigrantësh, si Nju-Jorku. Ka qenë e tillë që nga fillimi i qytetërimit, me etni turke, iraniane dhe ukrainase. Përfundimi ka dalë nga gjurmimi i profilit gjenetik të banorëve të saj të parë, falë analizës së ADN-së nga 29 site arkeologjike, çka lejoi të rindërtohen 12 000 vjet emigracioni. Zbulimi, të cilit revista “Science” i ka kushtuar një kopertinë, është kryer nga një grup ndërkombëtar i koordinuar nga Alfredo Coppa, antropolog fizik në universitetin “La Sapienza” të Romës; Ron Pinhasi, antropolog i Universitetit të Vjenës, dhe nga Jonathan Pritchard, gjenetist dhe biolog i Universitetit Amerikan “Stanford”. Pjesë e studimit janë bërë edhe universitete të tjera italiane.
“Për herë të parë, një studim i një rëndësie kaq të madhe kryhet në kryeqytetin e një prej perandorive më të mëdha të antikitetit, Romë. Risia është që kemi identifikuar dhe plotësuar, falë të dhënave biologjike, mozaikun e emigracionit dhe ndikimin e tij në rritjen e Perandorisë Romake”, ka thënë për ANSA, koordinatori Coppa. ADN-ja e analizuar u mblodh nga mbetjet e 127 individëve që kanë jetuar në Romë dhe në zonat fqinje të Lazios në periudhën midis 12 000 vjet më parë dhe Epokës Moderne. Të dhënat e analizave i befasuan studiuesit që nuk prisnin të gjenin një diversitet kaq të gjerë gjenetik në kohën e origjinës së Romës.
Rreth 8 000 vjet më parë, zona ku lindi Roma ishte e populluar nga gjahtarë dhe bujq, dhe menjëherë pas aty mbërritën fermerë të Lindjes së Mesme, Anadollit dhe Iranit; pas kësaj, në periudhën mes 5000 dhe 3000 vjet më parë, ADN tregon për mbërritje të tjera, kësaj radhe një popullsi që vinte nga stepa e Ukrainës. Me lindjen e Romës dhe themelimin e Perandorisë Romake, larmia gjenetike u shtua edhe më tej, falë dyndjeve të tjera nga territore të ndryshme të perandorisë, ku dominonin Mesdheu Lindor dhe zonat e Lindjes së Afërt. Këta njerëz, sipas studiuesve, u vendosën në Romë pasi kishin mbërritur kryesisht përmes tregtisë së mallrave.
“Analiza e ADN-së zbuloi se, ndërsa Perandoria Romake zgjerohej në Detin Mesdhe, emigrantët nga Lindja e Afërt, Evropa dhe Afrika e Veriut u vendosën në Romë, duke ndryshuar ndjeshëm fytyrën e një prej qyteteve të para të mëdha të botës antike“, vë në dukje profesor Pritchard. Kjo tregon se gjatë periudhës perandorake, “Roma ishte si Nju-Jorku: një grumbull njerëzish me origjinë të ndryshme“, thotë gjenetisti Guido Barbujani, nga universiteti “Ferrara”. Në shekujt pasardhës ndodhën ngjarje tronditëse, si zhvendosja e kryeqytetit në Kostandinopojë, copëtimi i Perandorisë, sëmundjet që reduktuan popullsinë e Romës dhe më në fund pushtimet barbare. Këto ngjarje kanë lënë gjurmët e tyre në ADN: ndikimi oriental zhduket dhe të dhënat gjenetike tregojnë për ardhjet e reja, këtë herë nga Evropa Perëndimore. Po kështu, ngritja e Perandorisë së Shenjtë Romake ka sjellë një fluks tiparesh gjenetike nga popullsitë e Evropës qendrore dhe veriore. / La Repubblica / Përgatiti: Gazmira Sokoli /