Një zyrtar i Rekordit Botëror Guinness njoftoi se Turqia ka thyer rekord botëror në mbjelljen e një numri të madh të fidanëve brenda një ore, raporton Anadolu Agency.
“Me këtë, unë zyrtarisht miratoj se rekordi botëror për mbjelljen e një numri të madh fidanësh brenda një ore i përket Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë tani e tutje me 303.150 fidanë”, tha para gazetarëve Şeyda Subaşı Gemici, përfaqësuese e Rekordeve Guinness për Turqinë.
Rekordi u thye gjatë fushatës masive të mbjelljes së fidanëve në vend të hënën, e cila synon një Turqi më të gjelbër me ajër të pastër.
Në provincën qendrore Çorum, një grup njerëzish mbollën 303.150 fidanë brenda një ore, duke tejkaluar Indonezinë që mbante rekordin botëror me 232.647 fidanë.
Ndërkaq, ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bekir Pakdemirli, tha se kanë përgatitur një tjetër rekord botëror për “albumin më të madh online të fotografisë së njerëzve që mbjellin fidanë”.
“Ngarkimi i fotografive është ende në vazhdim…Shpresoj që rezultatet e tij gjithashtu të regjistrohen nga Guinness pasi të përmbushen kërkesat teknike”, tha Pakdemirli.
Fushata e pyllëzimit për një Turqi më të gjelbër filloi me shpalljen e 11 nëntorit nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan si “Dita Kombëtare e Pyjeve” që do të shënohet çdo vit.
Fushata hasi në interes të gjerë për një kohë shumë të shkurtër dhe gjithsej 13.747.708 fidanë u dhuruan në një fushatë mbarëkombëtare, duke tejkaluar objektivin prej 11.047.430 fidanësh.