Nga Bledi Lumani
E diela ishte një ditë e mbushur me gëzim dhe e mbyllur me pak trishtim për të dy shtetet shqiptare.
Në Tiranë inagurohej një stadium modern, një luks ndoshta i tepërt për nivelin e futbollit shqiptar, ndërsa në Prishtinë mbyllej e para fushatë eleminatore për ekipin e ri të Kosovës, që befasoi shumëkënd me nivelin dhe rezultatet e arritura.
Ndërsa mijëra tifozë nga Kosova vinin për të parë Shqipërinë, bashkë me disa miq bëmë të kundërtën dhe u nisëm nga Tirana për të parë Kosovën, jo për snobizëm, por sepse kishim besuar se Kosova do të mundte Çekinë dhe me Anglinë do të luante për kualifikim.
Gjë që nuk ndodhi, pasi Kosova këto dy ndeshje, ndryshe nga gjitha fushata eleminatore, u shqiptarizua dhe tregoi shumë pak nga futbolli i saj tërheqës.
Ndaj dhe rezultati i ndeshjes përballë Anglisë, kishte pak rëndësi.
E diela u kthye më shumë në një ditë, për të treguar, me të drejtë, mirënjohjen ndaj Anglisë, për rolin e saj në çlirimin e Kosovës.
Qyteti ishte i mbushur me flamuj britaniko-kosovarë, ndërsa tifozët problematikë anglezë, të njohur për pijen dhe sherret, në Prishtinë ishin kthyer në “engjëj” dhe aq të dashur, se dhe vetë mbetën të habitur kur ndërsa këndohej himni kombëtar i tyre, teksa gjithë stadiumi mbante në duar pankarta me flamurin britanik, ata ishin të vetmit që nuk i ngritën, duke na krijuar edhe një gjëndje sikleti nga dashuria e tepërt shqiptaro-britanike.
Siklet, që ne që kishim ardhur nga Tirana, e ndjemë gjatë gjithë ditës, pasi na dukej pak e çuditshme dhe e pazakontë, që Prishtina të mbushej me flamuj të Britanisë, dhe të mos gjendej në asnjë cep, qoftë edhe një flamur i Shqipërisë. Aq më tepër që në prag është edhe festa e Pavarësisë së shtetit amë, pjesë e të cilit ishte edhe Kosova, dhe që në një të afërme jo shumë të largët, me sa duket do të jetë sërish pjesë.
Siklet që na u shtua akoma më shumë në mbrëmje, kur, pasi erdhëm vërdallë nëpër Prishtinë, mezi gjetëm një lokal ku jepej Shqipëria, me në sfond kuptohet këngët për mbretëreshën e Anglisë, pasi si shumica e lokaleve, edhe ai ishte plot me britanikë, që, të ardhur në qejf nga pija, donin veçse të këndonin e festonin.
Ndaj dhe ne nuk na mbetej veçse të këndonim për mbretëreshën dhe Anglinë.
Ishte më e ndershme në fakt, se sa koret “O sa mirë me qenë shqiptar, o hej”, që dëgjuam në stadium.
Se vetëm mirë nuk është me qenë shqiptar, këtej dhe andej kufirit, kur ne ende kemi kufinj me njëri-tjetrin, si fizikisht, ashtu edhe ekonomikisht, politikisht, e kulturalisht.
edhe ti kaq patriot i madh ta kishe marre ndonje flamur shqiptar nga shqiperia se eshte ndryshe kur ua dergon vet e nuk e blen atje ne kosove, e te thoshje ja nuk e gjeta ne mesin tuaj por e solla vete..te rrezikoje per flamur dhe sikur “kuntraband” te ishte te rrezikoje se paske hequr shume shpirterisht emocionalisht nga qe s ke pare flamur shqiptar