“Rama ik” që të rrijnë Luli, Mona, Doktori dhe Likja!

18 Nëntor 2019, 15:59Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Pak ditë përpara 30 Qershorit të këtij viti, i ftuar në një televizion sëbashku me një eksponent të PD rreth situatës politike në vend, spikerja e lajmeve në presionin e minutave që po fluturonin na u drejtua pak e nervozuar: Dhe tani pyetja e fundit për të dy. Por, ju lutem dua nga një përgjigje sa më shkurt.

Çfarë kërkon opozita që të hyjë në zgjedhje,- pyeti ajo të ftuarin tjetër: Të iki Edi Rama,- tha ai. Po ju, u kthye ajo shpejt e shpejt nga unë: Të rrijë Luli,- më erdhi aty për aty. Në banak dhe pas kamerave, plasi e qeshura dhe disi e hutuar nga përgjigja, i harroi sekondat dhe më pyeti: Pse? Sepse sa më gjatë që të rrijë Luli në krye të opozitës, aq më të sigurtë e ka kjo mazhorancë që do të qëndrojë gjithnjë e më gjatë në pushtet,- ia ktheva.

Ky moment mu kujtua ndërsa isha mbrëmë në stadiumin “Air Albania”, për të ndjekur nga karshija ceremoninë e inaugurimit dhe ndeshjen me kampionët e botës në futboll. Ndërsa gjithkush po mundohej që të fotografonte e filmonte gjithçka, nga tribuna pas portës veriore nisi fillimisht si një zhurmë koresh të rrëmujshme e më pas pak më qartë, thirrja “Rama ik”. E cila u shpërnda për disa sekonda, edhe në anët e tjera të stadiumit. Më pas një kor që u ndoq nga shumë të tjerë në stadium vijoi: “Shqipri. Shqipri. Shqipriiii…” “Ta ta ta taaa…!”

Ata që ndodheshin rreth e rrotull meje i përcollën këto çaste me sportivitetin dhe shpërqëndrimin e gjithkujt që kishte ardhur në stadium, për qejfin e vet. Më së shumti, për të fiksuar një kujtim personal të rrallë, në raport me një nga momentet më të veçanta të historisë së futbollit shqiptar.

Përgjatë 90 minutave të tjera askush nuk e kishte mendjen tek ajo thirrje, për më tepër që një pjesë jona kishte edhe probleme me valët e internetit. Por vetëm pasi dolëm jashtë e u nisëm të riktheheshim nëpër shtëpi, kuptova se ajo thirrje “Rama ik” nuk paskëshkërka qenë asfare një gjë e rastësishme mes asaj rrëmuje sportive. Por, me sa duket, ato çaste kishin qenë i vetmi skenar politik, i paramenduar dhe i orkestruar. Një skenar tipik nga ato që në 30 vjet, kanë zbatuar vetëm filozofinë e “ngrirjes së buzëqeshjes në buzë” ndaj kujtdo që ka bërë diçka pozitive në Shqipëri.

E kanë treguar me mbikalimin tek “Zogu i Zi” derisa e rrafshuan dhe hodhën në gropën e zezë, paratë e taksapaguesve shqiptarë. E kanë treguar më pas edhe me këndin e lojrave për fëmijë tek Liqeni Artificial. Me projektin e “Air Albania” vetë. Me projektin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Me projektin e Unazës së Re dhe Bulevardit të ri tek ish Stacioni i Trenit në Tiranë. E kështu me radhë, me çdo projekt tjetër zhvillimi, transformimi e modernizimi të Shqipërisë, me anë të një revolucioni të panjohur më parë estetik dhe urban zhvillimi. Një revolucion që ka nisur me kantieret e rikthimit në identitet, vazhdoi me Rilindjen urbane të pothuajse të gjitha qendrave të qyteteve të Shqipërisë dhe tani me projektin e 100 fshatrave. Shqipëria ka sot vërtetë 1001 e një halle për të zgjidhur e adresuar, por mos harrojmë që po konsiderohet çdo ditë e më shumë nga mediat më presitgjoze, si një nga destinacionet më interesante të turizmit jo vetëm në rajonin tonë.

Ashtu si edhe mbrëmë, kam qenë prezent në Shkodër, në inaugurimin e rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër. Edhe aty, do të gjendej një kor që diku, të përcillte një jehonë politike, në vend të koreve të gëzueshme sportive për një ëndërr brezash të bërë realitet. Një projekt që e bëri shumë shpejt qytetin verior të vrarë nga politika e tranzicionit, një metropol të futbollit kuqezi, ku erdhën disa nga ekipet më në emër të futbollit europian e botëror, për tu përballur me ekipet përfaqësuese të Shqipërisë dhe Kosovës.

E ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët po fitojnë pa u ndalur disa projekte zhvillimi që i kanë zili edhe vendet fqinjë, transfromimi rrënjësor dhe zhvillimi i pamenduar deri dje, duket se po i errëson sytë “armiqve” politikë. Të cilët vazhdojnë të zbatojnë në Shqipëri, filozofinë e vjetër që na ka lënë historikisht në mjerim dhe ndër popujt më të varfër të Europës: Unë nuk bëj kurrë asgjë vetë. Por ama do bëj gjithçka, për të të mos lënë ty, që ti të bësh ndonjë gjë të mirë. Sepse ajo e mira që ti bën, është armiku im më i madh. Eshtë vdekja ime politike. Sepse nëpërmjet veprës tënde të mirë, të gjithë do të shohin aty, monumentin më të madh të paaftësisë sime totale për të të konkuruar ty, nëpërmjet projekteve, programeve dhe veprave të reja të zhvillimit.

Eshtë një histori që përsëritet e përsëritet pafundësisht kjo e mbrëmshmja. Ajo ngjan si dy pika parfumi, me historinë e rrëfyer nga Eqrem beu në librin e kujtimeve të tij, për Vlorën e fund shekullit XIX. Babai i tij Syrja beu nën shembullin e Europës, kërkoi që të ndërtonte në Shqipërinë otomane, fermat e para moderne. Por, ata që rrinin gjithë ditën duke bërë intriga nëpër mejhanet dhe kafenetë e qytetit, e çuan helmin e tyre deri tek oborri i Sulltanit. Ai urdhëroi Turhan Pashën në Janinë, që të shkonte e ta arrestonte beun e pasur e atdhetar të Vlorës për komplot kundër Portës së Lartë, me akuzën se po realizonte projektin e shpalljes së vetes, Mbret të Shqipërisë.

Fundi i kësaj historie, ishte më shumë se tragjike, mbi të gjitha komike. Pasi shkuan tek anijet në skelë ku thuhej se fshiheshin armët e tradhëtisë së lartë, u pa se ato ishin mbushur me… kazma, lopata, ujëhedhësa, kepa, shata dhe zorrë uji për vaditje. Edhe pas kësaj, askush nuk u skuq. Askush nuk kërkoi falje. Sepse askënd nuk e vrau ndërgjegja. Pasi e gjitha ishte një kulturë jetese dhe një mënyrë për të luftuar armikun e tij publik, që po e mundte dembelizmin e tyre të ububujshëm, me punë të mëdha dhe vepra zhvillimi e modernizimi.

Po kalojnë gati 150 vjet nga kjo ngjarje e vërtetë dhe shumë ujëra kanë rrjedhur nga atëherë. Kohët dhe emrat e aktorëve të historisë kanë ndryshuar, por jo mënyra e sjelljes dhe qasja e tyre ndaj kundërshtarëve. Ndaj edhe sot vërtetë Luli, Mona, Doktori e Likja nuk na ndërtuan ndonjë gjë më të mirë se “Air Albania” këto 30 vjet. Por, ama gjithmonë do të gjejndet një grup njerëzish, të gatshëm që të gërthasin për ta në stadium: “Rama ik!”.

Kaq mjafton që ata të eksitohen në kafet e dikurshme dhe në rrjetet e sotme sociale. Për të na e shitur të gjithën këtë, si një kryeprovë se shqiptarët janë gati që të bëjnë gjithçka, vetëm e vetëm që ata të na rrijnë në skenën tonë të madhe politike. Duke harruar se pikërisht këtu, fshihet edhe sekreti i parrëfyer, i jetëgjatësisë së Edi Ramës në pushtet!

16 komente në ““Rama ik” që të rrijnë Luli, Mona, Doktori dhe Likja!”

  1. H says:

    Ti je një palaço i paguar dhe njëanshëm pa asnjë vlerë. Njëlloj si ato palaçot e berishes si marku, gjonmarku apo si juristet e metes si daci që thoshte se meta nuk kishte shkelur kushtetuten por venecia Nuk e kishte kuptuar mire situaten. Vetëm Ngjela ka autoritetin moral dhe profesional të bëjë analiza. E justifikove 1 miljonshi ti ? Apo mos me shikoni mua se ka hajdutë më të mëdhej se unë.

    1. Per H says:

      Ngjela???? Ai avokati qe ska bere nje gjyq ne jete te vet??? O zot me bere te QESH.

    2. kushtetuta sipas likes says:

      Po ti cfare je? Me llogarine tende me del qe ti paguhesh nga Meta… meqe dukesh shume i shqeteesuar per leximin e sakte te kushtetutes!

  2. peci says:

    Ce gjeti kasollen tone…po si nuk gjetem nje mundesi si popull ..ti zhduknim nga skena politike .dhe vendi te fillonte nga e para ..me mire vone se sa KURRE …

  3. stadiumi says:

    Une isha vet ne stadium. U kuptu shume qart se kush i nisi zerat dhe jan fytyrat e militantetve qe shofim cdo dite pas bashes ne takimet e tij…. Turp per ata qe i ndoqen… Stadiumi ka nje super investim spo them ishte perfekt se eshte akoma ne pune po dje kuptova qe jemi popull mosmirenjohes!!!!

  4. amerikani says:

    I ke thene te gjitha.

  5. kasak says:

    Mos fol me se i the te gjitha. Historia e treguar e goditur… Perfundimisht jemi popull per te ardhur keq.

  6. g says:

    Me vjen keq vetem sepse ngaterrojne gjithmone sportin me politiken…… GABIM

  7. Lani says:

    Qofte larg .edhe rama hajdut eshte po te pakten eshte shume larg me superhajdutet e qelbur PD LSI …

    1. sali krimineli says:

      E ka trajtuar me ironi . Por ke te drejte jo vetem superhajdute po edhe vrases .

  8. agimk says:

    Rama RRI qe te ikin luli….mona….doktori….dhe likja.

  9. shqupi luli says:

    Rames ti hajn ate qe sthuhet….. jane te gjitha te orkestruara nga oborri i SHQUPIT me nderhyrje te re nga zoti president me kerkese te gruas se tij .

  10. Meta hajdut says:

    Je i sakte zoteri por gabimin po e beni ju qe po lini akoma nje qenie te ndyre si presidenti aspak i nderuar Ilir Meta!
    Mjaft ka ndenjur ne karrigen e pushtetit ai mafioz dhe hajdut. Ka ardhur koha te zhduket njehere e mire dhe pse jo pas hekurave…. nese SPAK do te funksionoje. Jepini goditjen finale !

  11. Sit back and relaks■●▪●□○%^* says:

    Pse beni Idiotin kot tani, ska lidhje sporti me politiken thone ca, dakort po ath pse politika ka lidhje me sportin? Ju kujtohet Baç Fino kandidat per shef federates futbollit? Ju kujtohet Rama e Braçechihuahua qe sulmonin Duken duke favorizuar Baçin e Partise? Ath ku qendron problemi me thirrjet Rama Ik, nuk eshte njesoj me thirrjet e Braçes e Rames qe therrisnin Duka Ik?
    Edhe nje kenaqesi qe kishin hallexhinjte, harrimin e vuajtjeve te perditeshme duke shkuar ne stadium Qeveria ua hoqi, sepse sipas tyre sporti nuk eshte per hallexhinjte, per hallexhinjte eshte ose azili ne europ, ose puna prej skllavi ne vendin tend ose te praktikosh nje nga sportet e reja te hallexhinjve si Fluturim nga Tarraca e Pallatit drejt asfaltit te shtruar me oferte te pakerkuar ose PPP.
    Ishte i vetmi vend dje, me nje audience te gjere ku mund te degjohej zeri i atyre qe qeveria nuk i ka ne llogari fare, sepse ne te gjithe bote ne te tilla evente ka gjithmone grupe te caktuara shoqerore qe perpiqen te percjellin mesazhe sociale apo politike.
    Sporti nuk ka lidhje me politiken thone disa serish, ath pse politika ben politike me sportin, sepse politika shfrytezon sportin per te rritur aksionet e veta politike nepermjet propagandes, ath nuk ka pse ankohet as Rama as oborrtaret e tij qe kane dale e na bejne qytetarin e ofenduar nga disa thirrje “kokepalaresh”, cdokush ka te drejte te shprehi ate qe mendon, aty ku mendon ashtu si e mendon, jetojm ne nje vend te lire, Shqiperia eshte Free Country e banuar nga Free People, te pakten keshtu shpresojm akoma.

  12. Zvicra says:

    E ke qare…. shkrim i shkelqyer.

  13. Protestuesi says:

    Eshte harruar emri i ”doktorit” dhe ky eshte nje gabim logjik i parendesishem. Perveç ”personaliteteve” me emer, cili ”doktor” do te rrije, kur Rama te ike? Duhet te cilesohet, pavaresisht se nenkuptohet nga te gjithe lexuesit e nderuar dhe te mencur, qe behet fjale per ”doktor mortjen”.
    Keta te vetquajtur personalitete jane per te zezen e ketij vendi dhe jo per mbarevajtjen e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje