Rrëfimi i zjarrfikësit Arben Cara: Si i gjeta 7 familjarët e mi nën rrënoja në Thumanë

28 Nëntor 2019, 22:25Sociale TEMA

Arben Cara ishte mbi rrënojat e Vilës Palma në krye të operacionit për shpëtimin e Klajdi Qatos kur kolegët e lajmëruan se duhet të nisej drejt Thumanës. Kur mbërriti atje mësoi se mbi rrënoja ishin edhe familjarët e tij.

Arben Cara rrëfen për “ABC News” se ishte e vështirë dhimbja për 7 familjarët e tij që gjeti të vdekur nën rrënoja por në misionin e zjarrfikësit, të gjithë i sheh njësoj, me të  njëjtën dhimbje e me të njëjtin përkushtim për t’i shpëtuar.

Dora e ftohtë akull si e një nënë, e hedhur mbi trupin e pajetë të vajzës 7-vjeçare, është skena që kurrë nuk do t’i hiqet nga mëndja Arben Carës.

“Kemi përjetuar një shok të rëndë, pasi fëmija 7 vjeç u gjend në krahët enjeriut të vet, dukej sikur e mbronte. Në ato momente kishim një përjetim të thellë”, thotë ai.

Ka 15 vite që punon zjarrëfikës, në  luftë me flakë, përmbytje, termete e situate të tjera të ngjashme…. papushim në betejë për të shpëtuar jetë njerzish, por ky fund nëntori e ka goditur si kurrë më parë.

Mëngjesin e 26 nëntorit, pas goditjes së parë të termetit, Arbeni ishte duke drejtuar operacionin e shpëtimit te Vila Palma, atje ku u shpëtua Klajdi 25 vjeçar por u nxor nga rrënojat i vdekur,  gjyshi i tij.

Ishte atje në krye të atij operacioni kur kolegët e tij e lajmëruan dhe drejtuesit e urdhëruan që të niset drejt Thumanës, sepse atje ishin nën rrënoja familjarët e tij.

“Fillimisht jam nisur për në Durrës, pasi morëm kontakt me Drejtorin e Zjarrëfikëseve në Durrës, na ka nisur urgjent te Hotel Palma. Kemi operuar fillimisht te Hotel Palma, duke nxjerrë trupat e një familjeje aty, dhe më pas jam informuar që në Thumanë kishte ndodhur tjetër tragjedi, si pasojë e tërmetit. Më kanë dhënë leje, dhe urdhëruar të nisem drejt Thumanës, për të shkuar në një ekip shpëtimi, për të ndihmuar në Thumanë”.

Kur gjendet në situate të tilla, e ku i duhet që poshtë rrënojave të kërkojë me shpresë për njerëz me jete, për Arben Carën janë të gjithë njësoj si familja e tij. Megjithatë,  duhet të ketë qenë shumë e vështirë sepse nën ato rrënoja të pallatit të shembur në Thumanë, Arben Cara  gjeti të pajetë shtatë familjarë të tij.

“Për mua është një humbje shumë e madhe, dhe dhimbja është e pakufishme, por nuk ka qenë qëllim, për të nxjerrë trupat e familjes Cara. Kryesorja ishte të nxirrnim personat gjallë që ne komunikonim”.

Lindita ishte një prej familjarëve të tij, që u shpëtua nga rrënojat.

Megjithë dhimbjen për familjarët e tij, e gjithë viktimat që u gjentën nëpër rrënoja, Arben Cara është i vendosur të vazhdojë me përkushtim, për ta përballuar situatën duke shpresuar sërish që poshtë rrënojave të gjenden shënja jete.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje