2000 persona të strehuar në Prizren tregojnë tmerrin e përjetuar nga tërmeti: Pamë vdekjen me sy

1 Dhjetor 2019, 21:20Sociale TEMA

Shtetasit e Kosovës po vazhdojnë të solidarizohen me shqiptarët, të cilët përjetuan rëndë tërmetin e 26 nëntorit, nga ku humbën jetën 51 persona dhe mbi 900 të tjerë u lënduan, e shumë ndërtesa u kthyen në gërmadha.

Të shumtë janë ata banorë nga Shqipëria që u janë hapur dyert për strehim në Kosovë. Në Parkun Inovativ në Prizren janë akomoduar mbi 500 persona, ndërsa janë edhe 1500 të tjerë, të cilët janë pritur nga pronarët e hoteleve, në shtëpia private dhe shkolla. Ka dy ditë që Myrvet Veshi së bashku me familjen e tij ka ardhur në Prizren, si shkak i tërmetit 6.4 ballë të Rihterit që goditi Shqipërinë. Ai për KosovaPress ka rrëfyer mëngjesin e asaj dite, ku thotë se kanë parë vdekjen me sy.

“Shumë keq, tërmeti i parë sidomos ka qenë shumë dramatik. Ne jetojmë në katin e dytë, me pak fjalë e kemi parë vdekjen me sy…Ngaqë nuk kishim përjetuar ndonjëherë ngjarje të tillë, nuk tentonim të dilnim jashtë, vetëm prisnim, duke iu lutur Zotit që të përfundojë, nuk kishim mundësi të dilnim. Ishim në gjumë dhe na zgjuan britmat. Edhe ishte ora 4 e mëngjesit, dhe i luteshim Zotit që të përfundonte dhe të shpëtonim të gjallë, nuk kemi bërë asnjë manovrim”, thotë ai.

Për katër ditë me radhë ai tregon se kishin qëndruar me familjen në makinë. E për të qetësuar veten dhe familjen, dy ditë më herët ishin nisur për Kosovë. Ai kishte ndaluar te Parku i Inovacionit, ku tashmë po strehohen me qindra banorë të Shqipërisë të evakuuar nga tërmeti. E meqë më nuk ka vend në këtë park, i cili tashmë është kthyer në strehim për personat e prekur nga tërmeti, ai ka gjetur qetësinë te një familje në Prizren.

“Kemi ardhur me makinën time. Erdhëm këtu, ishte i mbushur, ishin 40 familje, ishte e pamundur të qëndrojmë dhe policia na largoi në një sallë të madhe. Nga andej erdhi dhe na zgjodhi një familje, jemi vendosur pak më larg kampit, në një apartament”, tha ai.

Veshi tregon se në vendin ku kanë jetuar në Durrës, objekti ka pësuar plasaritje. Megjithatë thotë se shumë shpejt do te kthehen në Durrës, që të punojnë, e fëmijët te vijojnë mësimin.

“Unë dua të falënderoj çdo qytetar të Kosovës për sjelljen, dashamirësinë, për pritjen që hapen dyert. Nuk e di si do t’ua shpërblejmë këtë mirësi. Ngelëm shumë të habitur për pritjen e bërë”, tregon ai.

Edhe bashkëshortja e tij, Mynere Veshi thotë se këtu ndihen më mirë, duke shtuar se ardhja e tyre në Kosovë nënkupton largimin nga tmerri.

“E përjetuam shumë keq, aq sa u asfiksuam nga tmerri. Kur zbritëm poshtë menduam se do të qetësohet, por vazhdoi prapë tërmeti. Flinim në makinë, sa erdhëm këtu, na futën brenda. Ndihem shumë më qetë, na duket se u larguam nga tmerri”, rrëfen Mynere Veshi.

2 komente në “2000 persona të strehuar në Prizren tregojnë tmerrin e përjetuar nga tërmeti: Pamë vdekjen me sy”

  1. Termeti says:

    KTHEHUNI SE ESHTE TURPE C’NE JU NE KOSOVE
    KISHTE ZONA NE SHQIPERI TE SIGURTA SI ELBASANE KORCE POGRADEC BERAT FIÈRE LUSHNJE E TE TJERA
    TURPE TURPE TURPE SI LYPSA RRUGESH

  2. Hysni says:

    Nga shkrimet që përcjellin fatkeqsinë duket sikur ky ka qenë më i tmerrshmi në botë. Përmbahuni ore ju që shkruani! Sidomos tani që po kalon java.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje