Nga Kaon Serjani
Tërmeti i 26 nëntorit nxori në pah njëkohësisht më të mirën dhe më të keqen e njeriut. Ne pamë se si zjarrfikësit nxorën të gjallë nga gërmadhat djalin, i cili mbijetoi falë gjyshes së tij që e kishte mbuluar me trupin e saj. Gjithashtu u bëmë dëshmitarë virtualë se si një grua që luftonte me kancerin dhuroi financiarisht përtej mundësive të saj për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti. Mirësia njerëzore u shpalos edhe kur vëllezërit nga Kosova hapën shtëpitë e tyre për të strehuar familjet shqiptare, siç i kishin hapur këta të fundit banesat e tyre në vitin ‘99.
Tërmeti shpalosi mirësinë e njeriut edhe kur të gjithë shqiptarët anembanë hapën zemrën dhe dhanë aq shumë ndihma materiale për nevojtarët, sa u desh të bëhej thirrje që të mos dërgonin më të tilla (ndonëse nevoja monetare vazhdon). Tërmeti tregoi mirësinë e njeriut edhe kur vendet e tjera dërguan me shpejtësi ekipet e tyre të kërkim-shpëtimit, për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve. Edhe zjarrfikësit serbë kërkuan dhe shpëtuan shqiptarët nën rrënoja. “Zemra ime është plot dashuri për këta njerëz” – u shpreh njëri prej tyre.
Megjithë këto raste që tregojnë qartë se sa madhështi ka te njeriu, tërmeti nxori në pah edhe episode të shëmtuara që pasqyrojnë edhe poshtërsinë e tij. Ne pamë se si një polic në detyrë, i ngarkuar për ruajtjen e ndihmave, u akuzua si protagonist i vjedhjes së tyre. Tërmeti nxori në pah edhe ligësinë e atyre që synuan të devijojnë në llogaritë e tyre personale fondet e dërguara për të prekurit nga katastrofa. Të tjerë u maskuan si nevojtarë për të marrë dyshekë e batanije dhe pak minuta më vonë ua shitën të pastrehëve të vërtetë.
Tërmeti zbuloi edhe papërgjegjshmërinë e përfaqësuesve shtetërore që nuk u kujdesën për strehimin e atyre familjeve, banesat e të cilëve u shpallën të pabanueshme nga tërmeti i dy muajve më parë. Shumica e viktimave ishin pikërisht nga ato banesa. Tërmeti ekspozoi edhe babëzinë e atyre ndërtuesve, të cilët për përfitim maksimal pakësuan sasinë e hekurit dhe ulën cilësinë e betonit. Ai nxori në pah edhe apatinë e atyre funksionarëve që nuk kishin bërë përpjekjen më të vogël për t’u përgatitur për një emergjencë si kjo.
Në fakt, tërmeti i datës 26 nëntor nuk ka asgjë të veçantë. Këtë madhështi dhe poshtërsi njëherazi të njeriut do ta kishte treguar çdo krizë. Tragjeditë që ndodhin përditë nëpër botë shpalosin në mënyrë buçitëse se njeriu është në thelb një qenie paradoksale. Njeriu ka kapacitetin për të qenë i dhembshur, mirëbërës, sakrifikues, dhe në të njëjtën kohë është po aq i aftë të jetë i lig, mashtrues dhe i korruptuar.
Po pse ekziston një paradoks i tillë te qeniet humane? Pse raca njerëzore prodhon edhe Adolf Hitler, edhe Nënë Terezë? Si një studiues i teologjisë dhe filozofisë më shtyn natyrshëm kureshtja të shqyrtoj se pse njeriu është kështu siç është. Cili botëkuptim teologjik apo filozofik ka antropologjinë më kuptimplote ose, thënë ndryshe, shpjegimin më shterues të këtij paradoksi njerëzor?
A mund të jetë botëkuptimi natyralist ose ateizmi shpjegimi më i mirë? Padyshim që natyralizmi (ideja se jemi një grumbull molekulash që kanë evoluar në mënyrë aksidentale deri sa është përftuar specia njerëzore) mund të shpjegojë atë që unë quajta poshtërsia e njeriut, por kurrsesi nuk mund të japë përgjigje për madhështinë e tij. Natyralizmi nuk mund të justifikojë dot se pse njeriu është sakrifikues, i dhembshur e solidar në raste tragjedish, por brenda atij sistemi mendimi ka kuptim që një individ të interesohet vetëm për mbijetesën e vet.
Nga leximet e mia, shpjegimi që më bind më tepër për këtë realitet të qenies njerëzore është ai që njihet si argumenti antropologjik i matematicienit dhe filozofit francez Blez Paskal. Nga studimi krahasues i botëkuptimeve të ndryshme religjioze dhe filozofike, ai arriti në përfundimin se vetëm rrëfimi biblik siguron një shpjegim të tillë shterues për praninë njëherazi të madhështisë dhe poshtërsisë te njeriu.
Ai konstatoi në Bibël se arsyeja pse ne gjejmë madhështi te njeriu është sepse jemi krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë (Zanafilla 1 dhe 2). Duke qenë se të gjitha qeniet njerëzore mbartin imazhin e Krijuesit që është në thelb i mirë dhë i dashur, kjo justifikon shtysën e brendshme te njerëzit për veprime që janë përtej instinkteve mbrojtëse personale. Për këtë arsye njeriu është shpesh gati të heqë dorë nga e mira e vet, për të mirën e tjetrit. Ideja e të qenit të krijuar në shëmbëlltyrën apo imazhin e Krijuesit është unike vetëm në krishterim dhe nuk gjendet, për shembull, në islam. (Imazh këtu nuk ka kuptimin e aparencës fizike, por të dimensionit moral.)
Po për poshtërsinë njerëzore çfarë shpjegimi gjendet në rrëfimin biblik? Pse nuk është çdo njeri vetëm i mirë dhe gjatë gjithë kohës? Për Paskalin përgjigjja gjendet te kapitulli 3 i Zanafillës. Aty shpjegohet se ky imazh i Krijuesit që mbartin njerëzit është shtrembëruar përmes rënies në mëkat, rebelimit ndaj Krijuesit. Në rrëfimin biblik, kjo rënie është rrënja e çdo ligësie në botë.
E thënë në mëyrë të përmbledhur, ky paradoks njerëzor shpjegohet sipas Paskalit kështu: Edhe pse mbetemi fisnikë në origjinën tonë (duke qenë se mbartim shëmbëlltyrën e Atij që na ka krijuar), e cila na shtyn të jemi të mirë ndaj të tjerëve, ka diçka të gabuar me çdo aspekt të qenies sonë, për shkak të prishjes morale nga rënia e njerëzimit në mëkat, çka na bën të jemi të ligj e të poshtër.
Gjykoj se ky formulim i Paskalit na ndihmon të kuptojmë se pse në një tragjedi si ajo datës 26 nëntor, ne i ndeshim njëherazi të dyja këto përmasa të njeriut, jo vetëm madhështinë, por edhe poshtërsinë e tij.
Paradoks per mua eshte menyra paradoksale e trajtimit te ketij paradoksi. Besimi ne zot as e ben me te mire as e ben me te keq qenien njerezore ne marredhenie me te tjeret. Ka ateiste zemermire qe nuk jane te tille nga frika e zotit ashtu sic ka edhe besimtare qe ne emer te tij kane bere kerdine.
Z.Serjani…ke shkruar nje vulgaritet te rendomte,te vlefshem per dike qe nuk ka lexuar asnje liber ne jeten e tij…Historia e zhvillimit njerezor nuk eshte perralle e pershkruar ne nje liber.Secili eshte i lire te besoje ate qe deshiron por askush nuk mund te imponoje idete e tij si te verteta absolute.Dhe mbi te gjitha brezi i ri duhet te paiset me kulture humane, shkencore e teknike per te perballuar sfidat e botes moderne e cila nuk eshte nje fushe me lule.Evoluimi i njeriut eshte nje proces objektiv ,i pandalshem por jo i njejte per hapsira dhe popuj te ndryshem .Ne epoken e inteligjences artificiale ka akoma qindra miliona njerez qe besojne ne dogma te cilat poshterojne jeten normale.
Shkrim medioker, konformist dhe pa vlera njohese. Autori mundohet te binde lexuesin se humanizmi eshte dhurate hyjnore e Zotit kurse anet negative jane dhurate e materies!!! Ky shkrues merr persiper nje autoritet qe nuk i perket, perveteson autoritet arbitrar ne emer te Zotit. Injorance me te thelle se kjo veshtire se mund te gjendet.
Eshte humbje kohe te lexosh te tilla idiotesi dhe gazeta ben shume gabim qe i boton shkrime te tilla mbushur me idiotesi, pseudo-shkence, autoritarizem ne emer te Zotit, pronesi arbitrare te se vertetes…
Kaq mediokritet ne shpjegimin e se mires dhe se keqes brenda njeriut nuk e gjen as ne shpjegimet e predikuesve dogmatike qe u ka ngelur ora ne Mesjeten e Hershme !
Tek Zanafilla ka nje varg ku Zoti ( Krijuesi ) i thote shembelltyres se tij njeriut ( Enukut ) qe ishte lekurekuq ….une te urrej ty per shkak te ngjyres se lekures !!
Pertej shpjegimit te pafajesise se njeriut qe lindi ashtu sic ishte fati i tij i paracaktuar .a perben kjo shprehje e Zotit (sipas Zanafilles) baze per urrejten me kombeve e njerzve ??
Sigurisht qe jo ……histori biblike eshte ,ashtu sikur dhe ajo qe Moisiu me shkop ndau Detin e Kuq ne dysh .
Mendoj se njerezit solidarizohen me viktimat e fatkeqesive natyrore sepse imagjinojne se mund te ishin ata viktima te sopuzuara dhe do te donin ndihme nga te afermit dhe bashkeqytetaret e tyre .
Keshtu ata sillen sikur do te donin qe te tjeret te silleshin me ta ne rast nevoje !
Une besoj se filozofia qe i ofrohet njeriut nga kjo bote e ul vlerën e njeriut si te ishte hic,por njeriu është krijuar ne imazhin e Perëndisë dhe vendi mbi te cilin ndërtojne identitetin njerzit e ben ate nje person me te mire dhe te qëndrueshëm ose jo.
Kane qene besimtare ata që kane sjelle shpresë ne shoqërinë njerezore(civilizim). Filozofia e kesaj bote voton pro abortit, pro luftërave, pro imoralitet, pro drograve etj..
Te njohesh gjendje ne te cilen je eshte nje ndihme per te marre nje vendim per te ndryshuar dhe te mos njohesh gjendjen ne te cilen ndodhesh eshtr ti thuash vetes qendro mirë aty ku je ashtu sic je.
Respekt Kaon!