Pas tërmetit të fuqishëm që tundi vendin të martën e 26 nëntorit, mësimi në shkolla është pezulluar.
Ministrja e arsimit Besa Shahini, në një deklaratë për shtyp njoftoi se në 9 qarqet që nuk janë në gjendje të jashtëzakonshme mësimi ka filluar normalisht këtë javë.
Ndërsa në Durrës, Tiranë dhe Kurbin, mësimi do të fillojë në 9 dhjetor, ndërsa shkollat e tjera do të nisin nesër mësimin rregullisht.
“Qarku Durrës, bashkia Kurbin, Vorë dhe Tiranë fillojnë mësimin në 9 dhjetor, të tjerat nesër. Në 9 qarqe që nuk janë në gjendje të jashtëzakonshme mësimi ka filluar normalisht, ndërsa për tre qarqet e tjera do të fillojë nesër pjesërisht.
Në Lezhë nesër fillon në bashkinë Mirditë, një shkollë e dëmtuar në Shënkoll dhe nesër nxënësit do të jenë të zhvendosur. Në Kurbin ka numër më të madh të shkollave të dëmtuara dhe mësimi fillon në 9 dhjetor që të bëhen riparimet.
Në Rrogozhinë dy shkolla të vogla me probleme mësimi fillon nesër. Në Kamëz një shkollë e dëmtuar “Sulejman Elezi’ transferohet te “Azem Hajdari” në turin e dytë pasdite, pra mësimi fillon nesër. Në Kavajë ka dy shkolla të dëmtuara, nxënësit do të transportohen, mësimi fillon nesër. Në Vorë është dëmtuar shkolla në Marikaj, nxënësit në Marqinet, mësimi fillon në 9 dhjetor.
Në Tiranë përveç Pezës nuk ka shkolla të tjera për të nxjerrë komplet jashtë funksionit. Në Tiranë mësimi fillon në datë 9 Dhjetor”, tha ministrja. (TemA)