Nga Ylli Pata
Në zulmin e lajmeve çoroditëse mbi tërmetin katastrofal që goditi Shqipërinë, po qarkullojnë edhe fantazira të çmendura, apo teori konspirative të nivelit paranojak.
E hedhur nga një agjenci iraniane lajmesh pro qeverisë, nga militantë fanatikë, është qarkulluar më pas në rrjete sociale njoftimi se tërmeti ka goditur në shenjë kampin e muxhahedinëve të opozitës iraniane në Manëz dhe sipas tyre, ka mbërritur urgjent ekipi izraelit për t’i shpëtuar ata.
Lajmi i publikuar nga Iran-Interlink, një portal në gjuhën angleze, thekson se opozitarët iranianë kanë pësuar një horror të vërtetë në barakat e ndërtuara dobët.
Sipas këtij lajmi, muxhahedinët janë dërguar në Tiranë me ambulance në fshehtësi të plotë, duke mos lejuar asnjë kamerë.
Portali iranian citon një infermier anonim, i cili i ka deklaruar se pacienti muxhahedin ka bërë të ditur se ishin dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ky lajm është përhapur më pas në rrjete sociale militantësh që akuzonin CIA-n dhe Izraelin, e gjëra të tilla paranojake.
Ndërkaq, pas publikimit pyetëm një nga zëdhënësit e muxhahedinëve në Manzë, i cili u përgjigj duhe qeshur.
“Të gjithë jemi mirë këtu. Është një fake news dhe në fakt përbën dëshirën e regjimit iranian që të kishte ndodhur ajo që shkruan, pasi regjimi është i trazuar nga protestat në Iran, që janë 1 milion herë më e fortë se një bombë atomike”.
Në fakt, Këshilli i Rezistencës së Iranit, ka prej disa ditësh që dërgon lajme të përkthyera në shqip shoqëruar me foto dhe video mbi protestat që po zhvillohen këto ditë në Iran.