Netët e nxehta po na vjedhin gjumin - Studimi: Çdo gradë më shumë na kushton deri në 15 minuta më pak gjumë

21 Korrik 2026, 15:10Shëndeti TEMA
Netët e nxehta po na vjedhin gjumin - Studimi: Çdo gradë

Një verë me temperatura rekord nuk sjell vetëm vapë përvëluese gjatë ditës, por po ndikon edhe në cilësinë e gjumit. Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Sleep, netët e nxehta mund të na bëjnë të humbasim mesatarisht 15 deri në 17 minuta gjumë çdo natë, ndërsa rrisin ndjeshëm rrezikun për të fjetur më pak se gjashtë orë.

Studimi, i udhëhequr nga studiuesi australian Bastien Lechat, analizoi të dhënat e më shumë se 317 mijë personave, të mbledhura nga sensorë të gjumit dhe orë inteligjente gjatë rreth 165 milionë netëve, në periudhën 2020–2023.

Krahasimi mes netëve me temperatura të moderuara (12.2°C) dhe atyre shumë të nxehta (27.3°C) tregoi se temperaturat e larta reduktojnë kohën e gjumit me 15–17 minuta. Për më tepër, netët e nxehta rrisin me rreth 40% mundësinë që një person të flejë më pak se gjashtë orë.

Pse nxehtësia na pengon të flemë?

Sipas neurologut dhe specialistit të mjekësisë së gjumit, Claudio Liguori, gjumi normal varet nga prodhimi i melatoninës, hormoni që rregullon ritmin gjumë-zgjim.

Përpara se të flemë, temperatura e trupit duhet të ulet me rreth një gradë Celsius. Kur temperatura e ambientit mbetet shumë e lartë, prodhimi i melatoninës çrregullohet dhe trupi nuk arrin të aktivizojë mekanizmat normalë të gjumit.

Si pasojë, truri “kupton” se ende nuk është momenti për të fjetur dhe organizmi mbetet në gjendje vigjilence.

Temperaturat e larta shkaktojnë gjithashtu stres biologjik, duke aktivizuar sistemin nervor dhe duke e bërë më të vështirë relaksimin.

Mungesa e gjumit shoqërohet me:

lodhje dhe përgjumje gjatë ditës;
dhimbje koke;
ulje të përqendrimit;
nervozizëm;
gjumë edhe më të keq natën pasuese, duke krijuar një rreth vicioz.
Çfarë këshillojnë ekspertët?

Edhe pse shumë njerëz zgjedhin një dush të ftohtë para gjumit, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është zgjidhja ideale, pasi krijon një goditje termike për organizmin.

Më efektiv konsiderohet një banjë ose dush me ujë të vakët, që ndihmon trupin të aktivizojë mekanizmat natyrorë të ftohjes dhe të prodhojë melatoninën.

Për ata që përdorin kondicioner, temperatura optimale për të fjetur është 26°C, në modalitetin e çlagështimit. Edhe ventilatori mund të ndihmojë, pasi përmirëson avullimin e djersës dhe ul ndjesinë e vapës.

Ekspertët këshillojnë gjithashtu të mos flini lakuriq, pasi kjo mund të pengojë avullimin efikas të djersës. Një bluzë e lehtë pambuku ndihmon trupin të rregullojë më mirë temperaturën gjatë natës.

Lini një Përgjigje