EMRAT: Lëvizje të reja në qeverinë "Rama", ja vendimi i Këshillit të Ministrave

11 Dhjetor 2019, 18:13Politika TEMA
EMRAT: Lëvizje të reja në qeverinë "Rama", ja

Zëvendëskryeministri Erjon Braçe, në mungesë dhe me porosi të kryeministrit Edi Rama, ka firmosur në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave disa ndryshime në Ministrinë e Jashtme dhe të Arsimit.

Në vendimet e qeverisë thuhet se është liruar nga detyra zëvendësministri i Arsimit, Redi Shtino.

Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka emëruar dy zëvendësministra të rinj të Arsimit. Përkatësisht, kjo detyrë do të ushtrohet nga Oltian Rrumbullaku dhe Nina Guga.

Gjithashtu, është emëruar zëvendësministër i Jashtëm ish-drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Agron Tare.

Kush janë zëvendësministrat e rinj

Nina Guga, e cila u emërua këtë të mërkurë zv.ministre e Arsimit, përpara marrjes së postit në fjalë, ishte drejtoresha e gjimnazit “Qemal Stafa”.

Oltion Rrumbullaku ndërkohë ka ushtruar profesionin e tij si pedagog pranë Departamentit të Financës pranë FEUT.

Rrumbullaku ka përfunduar studimet në degën e Financës, Fakultetin e Ekonomisë në UT në vitin 2002 dhe po ashtu studimet Master në të njëjtin vend në vitin 2007.

Në vitin 2011 ka qenë pedagog vizitor për një semestër në George Washington University, nga programi Junior Faculty Development Program.

Që nga viti 2002 është pedagog pranë Departamentit të Financës pranë FEUT, dhe prej vitit 2007 është lektor në lëndën Taksimi, për të cilën ka përgatitur dhe leksionet bazë të kësaj lënde.

Gjatë kësaj kohë është angazhuar në disa projekte që kanë lidhje me sistemin tatimor dhe financat publike, nëpërmjet disa prej institucioneve publike, që nga Ministria e Financave dhe institucione të tjera të varësisë.

Agron Tares ndërkohë ka një karrierë të konsiderueshme në diplomaci.

Në vitin 2000, ai ka qenë zyrtar në Departamentin e Organizatave Ndërkombëtare në MPJ, për t’u emëruar më pas drejtor i Zyrës së Minoriteteve.

Nga viti 2001 deri në 2005-ën, Tare ka qenë këshilltar i Jashtëm në Bashkinë e Tiranës, kur ky institucion drejtohej nga Edi Rama.

Në vitet 2002-2006, Agron Tare ka qenë anëtar i Grupit Negociator mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE, ndërsa  në vitet 2014 – 2019 ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll.

Deri në tetor të këtij viti, Tare ishte drejtor i Portit të Durrësit.

Përpara se të merrte detyrën e rëndësishme në portin më të madh të vendit, Agron Tare u përfol në media se kishte probleme me drejtësinë italiane mbi bastet online, por më pas u konfirmua se Prokuroria e Barit nuk kishte ngritur asnjë akuzë ndaj tij.

Agron Tare është vëllai i drejtorit sportiv të Lazios, Igli Tare, si dhe i aktivistit Auron Tare.

5 komente në “EMRAT: Lëvizje të reja në qeverinë “Rama”, ja vendimi i Këshillit të Ministrave”

  1. PPSL says:

    Pa dashur te bëj politikën e Saliut..
    Me keqardhje konstatohet se Edi dhe qeveritë e tij po konsumohen përditë e më tepër..
    Pa dashur të fyej kënd dhe të futem në background-in e të sapo emëruarve.
    Nuk arrij t’a kuptoj dikush që karrierën e ka në diplomaci çfarë do në port (mendojeni vetë rrjedhimin).
    Dhe dikush me background financiar çfarë lidhje ka me arsimin..
    Po ashtu tjetra që i ngjit shkallët nga 17 e 17..
    Ku lidhet background i ketyre me postet zv-ministrore..
    Kjo lë të nënkuptojë se Edi e ka konsumin marxhinal politik shumë të madh dhe tani i vlerëson ekipin e vetë vetëm se sa afër tij janë..
    Si konkluzion :
    Gërmo TARE gërmo, se bota kot thonë që është e RRUMBULLAK-të, kjo botë qenka me GUNGA.

  2. lori2 says:

    Urime per Oltionin per te cilin kam respekt te vecante per integritetin dhe kapacitetet profesionale qe ka.
    Nje zgjedhje e shkelqyer!

  3. Operacioni Zjarri says:

    Si ka mundesi qe nje njeri qe ka punuar ne diolomaci per nje kohe te gjate te shkoje drejtor i portit te Durresit. Te kete qene pune lekesh? S’ka mundesi se keta rilindasit jane simbol i ndershmerise.

  4. Sandër says:

    U habita se si emerimin e zv.ministrave i kishte firmosur zv.kryeministri Braçe. Kjo është idiotësi juridike! Emërimet në kabinet nuk mund të delegohen si kompetencë, janë ekskluzivitet i KM.

  5. Tuçi says:

    T’i kujton se njerëzit në Shqipëri këtu e 30 vjet zgjidhen sipas profesionit,jo zgjidhen sipas miqësisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje