Zgjedhur masivisht me premtimin se do të realizojë Brexit-in më 31 janar, kryeministri konservator Boris Johnson bëri dje një thirrje për bashkim, në një Britani të Madhe të prekur nga ndarjet për daljen nga Bashkimi Europian.
“U bëj thirrje të gjithëve të kthejnë faqen dhe të fillojnë të shërojnë plagët, pas më shumë se tre viteve ndarje që prej referendumit të vitit 2016, që vendosi Brexit-in”, deklaroi Boris Johnson në një fjalim të shkurtër para 10, Downing Street.
Ai shtriu dorën për eurofilët dhe ata që nuk e kanë votuar duke këmbëngulur mbi vullnetin e tij për t’u përqendruar tashmë në prioritetet si shëndetësia, siguria, arsimi dhe infrastruktura.
Konservatorët fituan një maxhorancë që nuk ishte parë që prej kohës së Margaret Thatcher në vitin 1987 duke siguruar 365 vende (+48) nga 650, sipas rezultateve përfundimtare.
Pjesëmarrja ishte e lartë prej 67,23%, në rënie të lehtë në raport me zgjedhjet e vitit 2017.
Sipas Boris Johnson, fitorja e tij rezultoi nga vendimi i pakundërshtueshëm, i parezistueshëm dhe i pakontestueshëm i britanikëve, të lodhur nga psikodrama disa vjeçare, për të kthyer faqen nga BE pas 47 viteve të një martese të trazuar.
Ai u prit në pallatin e Buckinghamit nga mbretëresha Elizabeth II, e cila e ngarkoi zyrtarisht për të formuar një qeveri të re.
Formacioni kryesor i opozitës, Partia Laburiste pësoi një humbje të thellë duke siguruar vetëm 203 vende nga 262 më parë, rezultati më i ulët që prej vitit 1935, duke e detyruar drejtuesin e saj të majtë, Jeremy Corbyn të japë dorëheqjen.
I pyetur për pasardhësin e tij, Corbyn u përgjigj në Sky News se komiteti ekzekutiv i Laburistëve do të mblidhet në fillim të vitit të ardhshëm për të diskutuar lidhur me këtë.
“Kam votuar gjithë jetën laburistët, ishte Brexit që më ndryshoi mendimin sepse jam i lodhur me të vërtetë”, theksoi Colin Spottswood, tregtar në Blyth, një bastion laburist që prej më shumë se 70 vitesh.
Brexit nuk do të ndryshojë asgjë gjatë periudhës së tranzicionit deri në fund të vitit 2020 parashikuar nga marrëveshja e divorcit arritur nga Boris Johnson me Brukselin për të shmangur një shkëputje të vështirë dhe kaotike për ekonominë.
Por një fazë e re e rrezikshme njoftohet për muajt e ardhshëm, madje edhe në vitet në vijim, ajo e negociatave komplekse për marrëdhëniet e ardhshme me bllokun europian, partneri kryesor tregtar i britanikëve. Ato pritet të përfundojnë përpara fundit të vitit 2020, një kalendar që konsiderohet “shumë ambicioz” nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
“Ne do të kemi një konkurrent në portën tonë,” paralajmëroi kancelarja gjermane, Angela Merkel. “Ky konkurent nuk duhet të jetë “i pabesë”, theksoi Presidenti Francez Emmanuel Macron.
Thirrja e Boris Johnson për bashkim nuk ka gjetur jehonë mes nacionalistëve skocezë të SNP-së, riforcimi i të cilëve, me 48 vende nga 35, ka rritur dëshirën për pavarësi.
“Ky sukses ‘forcon mandatin’ për një referendum të ri mbi të ardhmen e Skocisë, që është kundër Brexit, pas atij të humbur në vitin 2014”, deklaroi kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon.