Më keq edhe se parashikimet më pesimiste. Konferenca e 25-të e palëve për ndryshimin e klimës (COP25), samiti vjetor i afro 200 vendeve, u mbyll në Madrid me një ditë e gjysmë vonesë, në dështim të plotë.
As negociatat e zgjatura dhe të lodhshme nuk arritën ta zhbllokonin nenin 6 të Marrëveshjes së Parisit, në lidhje me tregjet e CO2, dhe në fund samiti përfundoi me një deklaratë të vakët, një thirrje e ndrojtur drejtuar vendeve për të bërë “përpjekje më ambicioze”.
Minimumi i nevojshëm, megjithatë shumë më pak sesa pritej. Bisedimet do të vazhdojnë vitin e ardhshëm në COP26 në Glasgow, ku duhet të merren vendime madhore.
Kompromisi nuk është i lehtë, sepse të gjitha vendet e ftuara kanë të drejtën e vetos (dhe Brazili, për shembull, shpesh e ka ushtruar këtë të drejtë ditët e fundit), por në mënyrë të barabartë rezultati i dobët i marrë nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara konfirmon distancën e madhe midis asaj çfarë kërkon opinioni publik, veçanërisht lëvizja rinore, dhe asaj që del nga këto forume politike shumëpalëshe.
Një “shkëputje” e nënvizuar mirë nga të gjitha lëvizjet mjedisore këto ditë – nga WWF te Legambiente – dhe nga Greta Thunberg, e cila inicioi fushatën FridaysForFuture, e cila njoftoi në Tuiter të dielën në mëngjes: “Duket se COP25 po dështon pikërisht tani. Shkenca është e qartë, por është injoruar. Çfarëdo të ndodhë, ne kurrë nuk do të heqim dorë. Sapo kemi nisur”.
“Rezultat plotësisht i papranueshëm“, shkruan Greenpeace. Duket sikur negociatorët dhe ministrat, në këto ditë samiti, kanë jetuar në një dhomë ku nuk hyn zëri, të pandikuar nga dosje të tëra të përgatitura nga shkencëtarët për të dhënat negative të klimës (të emetimeve të CO2 dhe temperaturave në 2019) dhe nga protestat në sheshe.
Vetëm 84 vende janë zotuar të paraqesin plane për kufizimin e emetimit të gazrave serë deri në vitin 2020. Midis këtyre nuk janë gjigantët e ndotjes, SHBA, Kina, India dhe Rusia, të cilat së bashku përbëjnë 55% të emetimeve që ndryshojnë klimën.
IPCC (organi i ngritur nga Kombet e Bashkuara për të monitoruar ndryshimin e klimës) ka paralajmëruar qartë se përpjekjet globale duhet të pesëfishohen nëse duam të shmangim një rritje të temperaturës mesatare të planetit prej më shumë se 1.5 ° në krahasim me atë të epokës paraindustriale, pragu që shënon hyrjen në një epokë të fënomeneve pakthyeshme të motit ekstrem. Me planet e tanishme, do të ishte e lehtë të arrihej një rritje prej 3.2 gradë deri në fund të shekullit. Përgatiti: Gazmira Sokoli