Milan mori me shumë bujë verën e vitit 2018 nga Juventusi, Mattia Caldarën. Italiani u shkëmbye kokë më kokë me Bonuçin, në një transferim që u llogarit në vlerën e 35 milionë eurove.
Në atë kohë u mendua si një lëvizje e zgjuar nga kuqezinjtë, por në fakt deri tani nuk ka rezultuar kështu. Prej më shumë se një viti e gjysmë, Caldara ende nuk ka debutuar në Serie A me fanellën e Milanit. Dëmtime të shumta e kanë përndjekur mbrojtësin, i cili tani duket se do të ndërrojë ambient.
Sipas lajmeve që raporton “Calciomercato”, Caldara do të rikthehet tek Atalanta. Gjithçka duket drejt konkretizimit si ide, pasi të dyja palët do të kënaqeshin. Atalanta do të marrë një mbrojtës për të zëvendësuar të dëmtuarit Kjaer apo Ibanez, ndërsa Caldara do të provojë të rikthehet në formën e dikurshme.
Formula e kalimit në Bergamo do të jetë huazim i thjeshtë. I vetmi ngërç, që pritet të zgjidhet është transferimi i Jean-Clair Todibo në “San Siro”. Mbrojtësi i Barcelonës pritet të kalojë te Milani dhe në momentin që diçka e tillë do të ndodhë, atëherë huazimi i Caldaras në Bergamo do të jetë thjesht një formalitet.