Ngritja e organeve të reja të drejtësisë, e sidomos SPAK dhe BKH, pritet të shënojnë një pikë kthese në historinë e sistemit të drejtësisë shqiptare.
Shumë çështje të mbyllura dhe të pagjykuara mirë, për shkak të ndërhyrjes së politikës në vendimet e gjykatave, pritet të rihapen me shpresën se gjyqësori do të ndahet një herë e përgjithmonë nga politika dhe të japë vendime të drejta në përputhje me ligjet e vendit.
Një nga çështjet më skandaloze me një vendim qesharak nga gjykata, është “21 Janari”.
Sot mbushen 9 vjet nga ngjarja e 21 Janarit, ku u bënë “kurban” katër të pafajshëm për të kënaqur orekset e qeverisë së asaj kohe, ndërkohë që kjo çështje ka mbetur e pagjykuar mirë dhe fajtorët kryesorë i kanë shpëtuar drejtësisë deri më sot.
Por në lidhje me këtë ngjarje, dje ka reaguar edhe zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, e etiketoi tragjedinë e “21 Janarit” si një ditë ku dhuna triumfoi mbi protestuesit paqësorë, ndërsa akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se është përgjegjësi kryesor i kësaj masakre.
Sipas tij, shteti i asaj kohe përdori pushkën dhe plumbat për të mbrojtur interesat e tij. “21 Janari është turpi i politikës dhe drejtësisë shqiptare. Është dita e dhunës së armatosur mbi demonstruesit paqësorë. Është dita e plumbave mbi lirinë, mbi demokracinë.
21 Janari dëshmon sesi shteti përdoret si pushkë për interesa private politike dhe sesi kanuni është ngulitur në mendësinë e disa politikanëve që fatkeqësisht kanë drejtuar vendin për shumë vite”, deklaroi ai.
Ndërkohë, zoti Koçi i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë ngjarjen e “21 janarit”, duke çuar përpara drejtësisë personat që dhanë urdhër për të qëlluar mbi protestuesit paqësorë.
Sipas tij, katër viktimat e 21 Janarit mund të shpallen Dëshmorë të Atdheut. “Në 21 Janar 2011 u vranë 4 të pafajshëm, të cilët tashmë me ligjin e ri mund të shpallen dëshmorë të atdheut. SPAK e ka për detyrë ta shlyejë këtë turp të Shqipërisë, duke ndëshkuar fajtorët urdhërdhënës. Ata që haptazi u përpoqën të fshijnë gjurmët e krimit publik.
Dëgjoj përfaqësues të PD që ulërijnë për vjedhje votash, duke interpretuar përgjime të përzgjedhura e të diskutueshme. Për luftë politike mund të thotë dikush.
Po a ka moral të pretendosh për drejtësi për krime të pretenduara e të “sofistikuara”, kur ti nuk guxon të kërkosh drejtësi për krime të ndodhura në sy të gjithë popullit?! Krimet publike të hetohen dhe të ndëshkohen të parat”, nënvizoi zv/ministri Petro Koçi