Të pathënat për Ukrainën, Bolton libër kundër Trump

27 Janar 2020, 09:42Bota TEMA

Demokratët në Amerikë po bëjnë thirrje që Xhon Bolton, ish-këshilltari për sigurinë i presidentit Donald Trump, të dëshmojë para Senatit kundër ish-eprorit të tij.

Raportohet se Bolton ka shkruar një libër memuaristik i cili del kundër qëndrimeve të presidentit për çështjen e Ukrainës.

Ish-këshilltari pretendon se në bisedat me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Trump donte të bllokonte asistencën ushtarake me vlerë 391 milionë dollarë për Kievin nëse nuk hetohej rivali i tij demokrat, Xho Bajdën, dhe djali i tij, i cili atëkohë punonte për një kompani energjetike.

Këto dyshime janë bërë shkas edhe për procedimin e presidentit nga Kongresi.

“Kurrë nuk i kam thënë Boltonit se ndihma për Ukrainën ishte e lidhur me hetimet për demokratët. Nëse Boltoni e thotë këtë, e bën vetëm për të shitur librin. Transkriptet e telefonatave të mia me presidentin Zelenski janë të vetmet prova që nevojiten, si edhe fakti që si presidenti edhe ministri i jashtëm i Ukrainës janë shprehur se nuk ka pasur presione,” reagoi presidenti Trump në Twitter.

Senati javën e kaluar hodhi poshtë kërkesën për të thirrur Boltonin për dëshmi.

Demokratët thonë se dëshmia e tij është jetike për një gjykim të drejtë të akuzave kundër presidentit, përndryshe do mendohet se Shtëpia e Bardhë po fsheh një ngjarje kriminale.

Ish-këshilltari i sigurisë u shkarkua shtatorin e kaluar me arsyen e mosmarrëveshjeve për politikat, dhe Trump ka thënë se për qëllime sigurie, ai nuk do që Bolton të dëshmojë në Senat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje