Tragjedi në liqenin e Komos - Babai zhduket pasi u hodh në ujë për të shpëtuar të birin

25 Korrik 2026, 17:55Bota TEMA
Tragjedi në liqenin e Komos - Babai zhduket pasi u hodh në ujë

Një ngjarje tragjike është regjistruar mesditën e së shtunës në liqenin e Komos, në Itali, ku një turist 45-vjeçar nga Holanda rezulton i zhdukur pasi u hodh në ujë për të shpëtuar djalin e tij 16-vjeçar.

Sipas autoriteteve italiane, ngjarja ndodhi pranë zonës së Menaggio-s. Burri ndodhej në një varkë me qira së bashku me tre fëmijët e tij, kur pa djalin në vështirësi në ujë dhe u hodh menjëherë për ta ndihmuar.

Në ato momente, varka u largua nga vendi ku ndodheshin babë e bir. Të dy u përpoqën ta arrinin, por 16-vjeçari u shpëtua nga një person që ndodhej në një dërrasë me vozitje, ndërsa 45-vjeçari u zhduk nën ujë.

Menjëherë pas alarmit, në vendngjarje u angazhuan Roja Bregdetare, zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit ujor dhe zhytës të specializuar, të mbështetur edhe nga një helikopter. Kërkimet për gjetjen e turistit vijojnë, ndërsa deri më tani ai rezulton ende i zhdukur.

Lini një Përgjigje