Operacioni Anti-KÇK: Perandoria e Dash Gjokës në Shijak

5 Shkurt 2020, 17:08Politika TEMA

Radha për të plotësuar formularin e justifikimit të pasurisë në kuadër të ligjit special për verifikimin e pronave të krimit të organizuar i ka ardhur Dashamir Gjokës, një emër i përfolur dhe akuzuar ndër vite se drejton nga Shijaku aktivitete të paligjshme brenda dhe jashtë vendit.

Dashamir Gjoka është pronar i “Gjoka Shpk”, një kompani e regjistruar që në vitin 2002 fillimisht me objekt importin dhe tregtimin e produkteve ushqimore dhe më vonë edhe në ofrimin e shërbimeve në fushën e hotelerisë dhe turizmit.

Kompania është themeluar nga Arben Gjoka, i cili ka ndërruar jetë në 2006, duke ja lënë kompaninë e ngritur bashkëshortes dhe tre fëmijëve të mitur me nga 25 për qind të aksioneve. Më pas, edhe në emër të fëmijëve të saj, bashkëshortja e Arben Gjokës i ka shitur 100 për qind të aksioneve Dashamir Gjokës.

Kompleksi “Gjoka” është pronësia më e madhe në zotërim të Dashamir Gjokës, por jo e vetmja. Deri në 2015, Gjoka rezultonte pronar i 1800 metrave katrorë pemtari, ndërtesë dhe truall, rreth 20 hektarë tokë arë në Sallmone të Shijakut, 1500 metër katrorë tokë arë në Qerret, një ndërtesë tjetër, plus truall me sipërfaqe 1250 metër katrorë po në Sallmone dhe një pasurie tjetër me sipërfaqe 928 metër katrorë po në Shijak. Këtyre pasurive të paluajtshme u shtohet edhe gjithë vlera e shoqërisë “Gjoka Shpk” dhe të gjitha asetet e saj.

Nga përllogaritjet bëhet fjalë për prona me vlerën e disa milionë eurove, për të cilat “Operacioni Forca e Ligjit” dyshon se kanë si burim aktivitetin e paligjshëm të Dashamir Gjokës, i akuzuar dhe dënuar në të shkuarën për trafik qëniesh njerëzore dhe trafik lëndësh narkotike.

Por, kjo nuk është hera e parë që pronat e Dash Gjokës janë vënë nën sekuestro disa herë. Herën e fundit që kompleksit që ai zotëron dhe pronave të tjera iu vu masa e sekuestros ishte në 2015 me urdhër të Gjykatës për Krimet e Rënda. Por, në të gjitha rastet, Gjoka ja ka dalë mbanë që të mposhtë drejtësinë dhe të gëzojë pasurinë e tij, pasi gjithmonë vendimet përfundimtare ishin në favor të tij.

Dashamir Gjoka i ka fituar të gjitha betejat e tij në të gjitha shkallët e gjyqësorit; e fundit ishte në 2014, kur Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka dhënë vendim kundër ekstradimit të tij në drejtim të Italisë, ku rezulton i dënuar nga Gjykata e Milanos për trafik qëniesh njerëzore, favorizim prostitucioni dhe trafik lëndësh narkotike.

Kështu ndodhi edhe me masën e sekuestrimit të pronave në 2015. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i dha të drejtë kërkesës së Prokurorisë dhe la në fuqi masën e sekuestrimit për pronat e tij. Por, vendimi u apelua në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Kjo gjykatë e rrëzoi vendimin në 2017-ën duke i zhbllokuar pronat në fjalë.

Prokuroria kundërshtoi këtë vendim dhe foli për keqinterpretim të ligjit nga ana e Gjykatës së Apelit. Prokuroria denoncoi se Gjykata e Apelit përmes një “eksperti provoi” se Dashamir Gjoka gëzonte pronat e sekuestruara para vitit 1999, kohë kur ka ushtruar aktivitetin kriminal për të cilin është dënuar nga drejtësia italiane.

Organi i akuzës tha se për të “provuar” këtë, eksperti i thirrur nga Gjykata e Apelit kishte përdorur programin “Google Earth”, një që vetë është hedhur në treg për përdorim në vitin 2001. Gjithsesi, përmes imazheve të “Google Earth”, që u vlerësuan si foto para 1999, Gjykata e Apelit kishte pranuar argumentin e palës mbrojtëse se Dashamir Gjoka i gëzonte këto prona para se të përfshihej në aktivitete kriminale dhe ja zhbllokoi ato.

Për të justifikuar pasurinë e tij, Dashamir Gjoka nga viti 2007 e diri në 2012 ka marrë shuma të konsiderueshme kredie në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri për të zgjeruar bizneset e tij.

Ndërkohë nga dosja që ALUIZNI hartoi për kompleksin “Gjoka” vlera e ndërtimit të tij shkoi në rreth 1.8 miliard lek, ndërkohë që Krimet e Rënda në 2015 besonin të ardhurat e deklaruara prej Dashamir Gjokës nuk justifikojnë as burimin e parave përmes të cilave ka shlyer kreditë, as burimin e parave të përdorura për ndërtimin e këtij kompleksi.

Historia e një prej emrave më të lakuar të Shijakut

Aktiviteti kriminal i Dashamir Gjokës besohet se ka nisur që në mes të viteve ’90. Emri i tij është lakuar si autori i vrasjes së një shkodrani në Itali në vitin 1996 dhe shkak kanë qenë përplasjet për kontrollin e zonave të prostitucionit. Pa kaluar shumë kohë nga kjo ngjarje, emri i Dashamir Gjokës përflitet si autori i vrasjes së një vajze dhe torturimit të një tjetre, por drejtësia nuk ka provuar asnjëherë këtë akuzë.

Në vitin 1999 Dashamir Gjoka u akuzua si autori i vrasjes së Veli Rexhës në Shijak dhe është përfolur se qëndron edhe pas disa veprave të tjera penale të ndodhura në vitet e mëvonshme në Shijak dhe Durrës, por asnjëherë nuk ka patur prova për këtë.

Nga 2005 deri në qershor të 2013 emri i tij nuk u lakua më publikisht. Gjërat ndryshuan në qershor të 2013, kur drejtësia shqiptare bëri publik një urdhër arresti të marrë nga pala italiane, por që mbante datën 30 nëntor 2009.

Mbetet e paqartë se pse ky urdhërarresti i italianëve ka qëndruar për dy vite në sirtarët e drejtësisë shqiptare, ndaj personit që gjykata e Milanos e kishte dënuar me 8 vite burg për organizatë kriminale me qëllim organizimin e emigracionit klandestin.

Në seancën e parë të caktimit të masës së sigurisë, Gjykata e Durrësit vendosi të caktojë masën detyrim paraqitjeje për Dashamir Gjokën. Pak ditë më vonë, Ministria italiane e Drejtësisë dorëzoi në Shqipëri kërkesën për ekstradimin e tij.

Kërkesa duhej të miratohej ose rrëzohej nga gjykatat shqiptare. E para që rrëzoi kërkesën e italianëve ishte Gjykata e Durrësit. Prokuroria e Apeloi vendimin dhe apeli pati të njëjtin fat edhe në Gjykatën e Apelit të këtij qyteti. Organi i akuzës bën rekurs në Gjykatën e Lartë, kolegji i së cilës vendosi në mes të 2014-ës lënien në fuqi të vendimeve të dy gjykatave të mëparshme.

Arsyetimi i Gjykatës së Lartë ishte se nuk kishte prova ndaj Dashamir Tahirit dhe me një vendim tjetër, gjykata rrezikonte që t’i shkeljte të drejtat themelore të akuzuarit nga drejtësia italiane.

Gjykata italiane e akuzonte Dashamir Gjokën se nga Shijaku drejtonte një rrjet të gjerë prostitucioni në Itali dhe ndër të tjera kontrollonte dhe rrugët klandestine të trafikut të grave nga Durrësi dhe Vlora.(SI)

5 komente në “Operacioni Anti-KÇK: Perandoria e Dash Gjokës në Shijak”

  1. blerta says:

    Dakort qe duhen bllokuar dhe sekuostruar por cfar do behet me to….???
    Kush do ti marri…..???
    Kujt ja mban te futet ne to kur dihet qe kriminelat qe i kane jane vampire…..??
    Mos beni pune per propogande…..

  2. Kanceri says:

    Shtet dhe qeveri legene, si e Pd dhe Ps. Ktij i kan bo zbor. 3 her ja kan blloku dhe ja kan dhen kompleksin. O merja o leja. Qeveria italiane me kurv akoma qe te fusin brenda vetem me llafe, telefona dhe lloqe bari.

  3. rripitipitytytyrripity says:

    Do ti rruajne bythen, sepse keshtu ndodh kur paraja publike harxhohet nga palla i gjate per show, sepse ka nje gjykate nderkombetare te te drejtave te njeriut qe ia permbledh per te mira e ne gezime cdo akti te bazuar ne ligje qe bien ndesh me normat nderkombetare firmosese dhe anetare e te cilave eshte edhe Shqiperia. Palla i gjate e di kete por kjo i duhet per sy e faqe deri nga pranvera apo vjeshta kur me kismet shpreson ti hapen negociatat, nqs ia arrin avash avash do ua ktheje pronat duke u justifikuar me ate apo kete. Te kuptohemi, une jam qe cdo krimineli te rruges apo ne zyrat e shtetit e te qeverise ti kerkohet llogari nje me nje, por ka dy rruge per ta bere kete, sipas ligjit ne respekt te ligjit dhe sipas ligjit ne shkelje te ligjit. Eshte njesoj sikur polici te vije te kontrolloje shtepine pa vendim gjykate, sikur edhe 1 ton droge te gjeje aty cdo veprim i metejshem nga ana e policise konsiderohet i paligjshem, rrjedhimisht nuk te akuzon dot per asgje. Pak a shume kjo eshte ajo qe po ndodh me keto formularet e deklarimit te pasurise qe con policia, nuk ka tager policia te kerkoje burimin e pasurise, ai eshte tager i drejtorise se taksave dhe antikrimit ekonomik plus duhet nje vendim gjykate qe te te vendosi pronen nen sekuestro bazuar ne kerkese te prokurorise dhe ku pala e akuzuar duhet te jete e perfaqesuar nga nje avokat. Cdo forme tjeter eshte e paligjshme ne nje vend demokratik qe respekton te drejtat e njeriut. Vetem ne Mbreterite si Arabia Saudite apo shtete diktatoriale apo autokratike ndodh qe dikujt i seluestrohet pasuria sipas humorit te te Madhit. Paaftesia e shtetit perballe krimit nuk justifikon shkeljen e ligjit dhe neperkembjen e vlerave te demokracise sepse kjo hap deren per abuzim te pushtetit ndaj kindershtareve ne emer te shtetit. Gjithsesi jane koncepte qe per shumicen e katunareve qe popullojne shqiperine jane akoma te pakonceptueshme, diktatura e proletariatit eshte e vetmja gje qe katunaria jone arrin te perceptoje.

  4. Shinjestra says:

    Eshte nje pune e mire kjo qe ka filluar qeveria me OFL,sepse te fortet,hajdutet,kriminelet ekonomik dhe politike kane dal mbi shtetin qe do te thote se, ata te bejne ç’te duan me popullin,t’a vjdhin,ta vrasin dhe ata te mos denohen.Mbrojtje e ketyre te forteve hajdut,i ka bere drejtesia e Sali Berishes qe vuri ne drejtesi njerzit e pergatitur ne plepat e Durresit.Megjithe kundershtimet,me pengesat qe po i krijojne politikanet,opozita,dhe sidomos disa pseudoanalist sharlatan,kerkojne te terhiqet qeveria ndaj luftes kunder te korruptuarit.Jo qeveria nuk duhet te terhiqet dhe do t’a mbeshtes vete populli se eshte ne interes te tij.

  5. Babkulla says:

    Demi kapet nga briret dhe jo per bishti . Duhet ta filloje nga vetja. Likja , Saluku ,Tosi edhe qeveritaret pastaj te zbresi ne popull . E keqja drejt per drejt Shqiperise i ka ardhur nga keto . Kurse nga ato qe kontrollon ,ka ardhur ne menyre te terthorte .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje