Nishani nuk e përjashton largimin e Bashës nga drejtimi i PD: Askush nuk është i pazëvëndësueshëm

6 Shkurt 2020, 09:26Politika TEMA

Ish-presidenti Bujar Nishani, njëkohësisht kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së, ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Arena” të Dritan Hilës.

Gjatë debatit në këtë emision, ndër të tjera Nishani është pyetur nga gazetari Roland Qafoku, se a duhet të largohet nga drejtimi i PD, Lulzim Basha nëse humbet zgjedhjet parlamentare të radhës?

Nishani, nuk ka nguruar të lërë të hapur edhe mundësinë e largimit të Bashës, ndërsa theksoi se askush nuk është i pazëvëndësueshem.

Po ashtu, ish-presidenti tha se nuk duhet menduar disfata, pasi në zgjedhje një parti futet për të fituar.

“Unë e kam dëgjuar edhe këto ditë këtë. Të diskutosh apo devijosh diskursin politik para zgjedhjeve te mundësia e largimit të kryetarit dhe propabiliteti i largimit të kryetarit, absolutisht e fut të gjithë subjektin tënd politik, e fut në tezën e disfatës.

Politika është perceptim dhe ti e di ndoshta më mirë se sa unë se je analist dhe gazetar i vjetër.

Askush nuk është i pazëvendësueshëm. Por që ta devijosh diskursin politik a do të iki, a s’do të iki lideri, ti e ke futur forcën tënde politike në një diskurs absolutisht disfatist që nuk i shërben asgjë.

Prandaj, unë mendoj që do të jetë shumë gabim për këdo nga ana e Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të saj nëse e kthejnë në diskutim. 

Nuk mund të jetë objekt diskutimi kjo gjë. Ne futemi në zgjedhje per të fituar. Ju si gazetar jeni në të drejtën tuaj dhe ju kërkoni të eksploroni mendime dhe qendrime por kjo nuk mund të bëhet në parti.”-tha Bujar Nishani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje