Reforma "Bonafede" në gjyqësorin e Italisë dhe raportet e reja me politikën

10 Shkurt 2020, 11:14Bota TEMA

Nga Angelo Panebianco

Pasoja që nuk priteshin. Ndonjëherë nga e keqja mund të vijë diçka e mirë. Ligji “Bonafede”1, shprehje e një konceptimi joliberal të marrëdhënieve midis qytetarëve dhe shtetit, ka vënë në lëvizje një dinamikë të paparashikueshme, si midis magjistratëve, ashtu edhe midis forcave politike. Deri dje dhe për rreth 30 vite, i njëjti skenar luhej gjithnjë në fushën e drejtësisë. Si aktorët, ashtu dhe spektatorët i dinin përmendësh të gjitha batutat. Në këtë pikë kishte një grup magjistratësh, pak a shumë kompakt, dhe pak a shumë gjithmonë të njëjtët, që pretendonin se flisnin në emër të të gjithë urdhrit gjyqësor dhe që përsërisnin gjithnjë të njëjtën gjë: mjerë për ju nëse “delegjitimoni” gjyqësorin. Nuk kishte (ose të paktën nuk kishte asnjë publikisht) zëra kundërshtues. Në pamje të parë, gjyqësori dukej se lëvizte si njeri (sigurisht vulnerabël për t’u përçarë, dhe gjithashtu për t’u dëmtuar nga betejat midis rrymave, por kompakt dhe i bashkuar kundër “armikut të jashtëm”, ​​pra politikës).

Në anën tjetër kishim politikën, edhe aty funksiononte i njëjti skenar. Ndarja përcaktohej nga pozicionimi i secilës palë. Nga njëra anë ata që, herë pas here, hynin në shënjestrën e prokurorëve dhe që përpiqeshin të mbroheshin (nga Craxi deri në Berlusconi, nga Renzi te Salvini); nga ana tjetër, mbrojtësit të gjithë bashkë të “shtetit të së drejtës” dhe “pavarësisë së gjyqësorit”, por vetëm kur goditja gjyqësore binte mbi rivalin politik. Kur u vinte radha atyre vetë ose miqve të tyre, gjërat ndryshonin. Kjo në të njëjtën linjë me thënien e famshme të Giovanni Giolitti-t: “Në Itali, ligjet zbatohen për armiqtë dhe interpretohen për miqtë”.

Falë ministrit Bonafede dhe ligjit të tij, tani kemi të reja. Nuk po them se skenari i vjetër u hodh tutje. Nuk mund ta them këtë. Por të paktën diçka ka ndryshuar, mbi të gjitha ne dëgjojmë batuta që s’i kemi dëgjuar kurrë më parë. Gjëja me siguri më e rëndësishme, lajmi i vërtetë, është se kompaktësia në dukje (vetëm e dukshme, padyshim) e gjyqësorit nuk është më: në ligjin e ri, mosmarrëveshja midis gjyqtarëve tani është qartësisht e dukshme. Është njësoj si një mjedis i mbyllur që papritur hapet para botës. Megjithë kujdesin e nevojshëm, mund të themi se është një hap përpara, një gjë e mirë për jetën tonë demokratike.

Nuk është më një lojë “ne kundër tyre”, por një debat publik në të cilin mund të sjellësh idetë dhe përvojat e tua pa paragjykime dhe pa u mbrojtur nën ombrellën e përkatësisë profesionale. Gjithmonë është ditur se ka shumë magjistratë – kryesisht të panjohur, të prirë për t’u shndërruar në publik dhe për të grumbulluar “kapital politik” duke përdorur hetime gjyqësore – të cilët përpiqen të bëjnë punën e tyre të vështirë në maksimumin e aftësive të tyre, që nuk e dinë veten “të mirosurit e Zotit”, të cilët janë të vetëdijshëm për kufizimet dhe papërsosmëritë e tyre (të cilat i kanë njësoj si të gjitha qeniet e tjera njerëzore), gjithashtu të vetëdijshëm për kufizimin e mjeteve të tyre profesionale, si dhe të vëmendshëm ndaj vuajtjeve që mund të shkaktojë makina gjyqësore.

Disa magjistratë të lartë dhe të dalluar, besoj edhe në emër të kolegëve të tyre, kanë dalë hapur kundër ligjit të ri, duke shprehur mospajtimin e tyre ndaj ligjit “Bonafede” dhe mendimit të magjistratëve të tjerë. Me fjalime dhe intervista nga të cilat jo-ekspertë, dhe madje edhe politikanë, mund të mësojnë shumë. Për më tepër, ky ligj po u jep më shumë peshë argumenteve të avokatëve penalë, që për një kohë të gjatë janë heshtur nga cirku media-gjyqësor, të trajtuar pak a shumë si bashkëpunëtorë të kriminelëve nga magjistratët të cilët në universitet ishin të shpërqendruar apo mungonin kur profesori shpjegonte temën e garancive kushtetuese.

Këto ndryshime brenda gjyqësorit kanë efekte në sferën politike. Sepse, të paktën në rastin e ligjit “Bonafede”, klasa politike nuk të jep përshtypjen se po ndeshet me një korporatë gjyqësore kompakte dhe të gatshme për luftë. Si pasojë, bëhet më pak e prirur të mbyllet mes përballjeve të ndryshme, është më e rrjedhshme, më e lirë të ndahet përgjatë linjave transversale. Padyshim që në këtë moment është Matteo Renzi, që në fushën e qeverisjes drejton frontin e kundërshtarëve të ligjit Bonafede.

Por pozicioni i Partisë Demokratike është gjithashtu interesant. Dikur Partia Demokratike (si paraardhësit e saj) ka përdorur çdo argument që ka të bëjë me drejtësinë, për të goditur kundërshtarët por edhe për të “mbajtur mirë” magjistratët. Tani gjërat janë ndryshe. Sigurisht, pas kaq shumë vitesh propagande legaliste dhe si pasojë e “mosedukimit qytetar”, një pjesë e militantëve dhe votuesve të asaj partie vazhdojnë të tërhiqen nga sirenat e autoritarizmit gjyqësor. Por duket se shumica e parlamentarëve të Partisë Demokratike janë në pozicione të tjera. Problemi i tyre tani ka të bëjë kryesisht me balancën e qeverisë: si ta neutralizohet ligji Bonafede pa shkaktuar rënien e ekzekutivit dhe pa çuar në zgjedhje të reja? Krejt ndryshe nga “tërbimi” i së kaluarës për gjyqësorin.

Padyshim që zakonet e vjetra të këqija nuk do të harrohen. As nga sektorë të caktuar të gjyqësorit dhe as nga ata të politikës. Nuk do të marrë fund epidemia e hetimeve gjyqësore në stilin madhështor, pas kaq shumë zhurmash, tërbimesh dhe vuajtjesh, do të përfundojë disa vjet më vonë pa as një dënim të vetëm. Me dëme serioze për jetën kolektive dhe gjithashtu edhe për demokracinë. Jo vetëm që viktima bëhen të pafajshmit, por vijojnë të ushqejnë disa besime të rreme të opinionit publik: për shembull, bindja se korrupsioni në Itali është shumë më i përhapur sesa mund të mendohet. As zakoni i keq i disa magjistratëve që i përdorin hetimet përsi trampolinë për karrierë politike nuk do të marrë fund.

As politika nuk do të shpëtojë nga veset e saj. Grupime të ndryshme do të vijojnë të bëjnë gjithçka munden, me qëllim që të eliminojnë nëpërmjet gjyqësorit kundërshtarin, të cilin ndihen të paaftë për ta mundur politikisht. As nuk do të zhduken ato tendencat jolerale (pasuese të një historie dhe  tradite të lashtë) që janë tipike për shumë nga bashkatdhetarët tanë, ata që deri më tani kanë mbështetur patologji të ndryshme gjyqësore. Por, errësirën, më në fund, e ka çarë një rreze drite.

1Reforma e re që ka hyrë në fuqi më 1 janar 2020 ka hapur polemika në Itali. Reforma “Bonafede” parashikon sanksione disiplinore për ata që nuk respektojnë “kohëzgjatjen e arsyeshme të gjykimit”. / Corriere.it – TemA TV/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje