Fillon lirimi i pjesës së dytë të Kalasë nga çibanët, Veliaj: Kush sulmon Bashkinë, nuk flet kurrë për motelet e zaptuesit aty

17 Shkurt 2020, 14:11Sociale TEMA
Fillon lirimi i pjesës së dytë të Kalasë nga

Në këtë 100 vjetor të saj si Kryeqytet, një tjetër zonë historike i rikthehet Tiranës. Për shumë vite zona tek Kalaja ka qenë e mbushur me ndërtime pa leje dhe me motele, ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka vendosur t’i rikthejë shkëlqimin e saj, jo vetëm duke mbrojtur këtë trashëgimi , por edhe duke krijuar një atraksion të ri për turistët.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka publikuar fotot nga aksioni që kanë nisur punonjësit e Bashkisë Tiranës për lirimin edhe të pjesës së dytë të Kalasë. Veliaj thekson se ata që sulmojnë Bashkinë e Tiranës për këto ndërhyrje, kanë heshtur për motelet dhe zaptuesit e këtij monumenti historik.

“Fillon lirimi i pjesës së dytë te Kalaja e Tiranës – largohen motelet me orë e çibanët mbi mure për ta dyfishuar hapësirën e transformuar nga rigjenerimi urban. Kush sulmon Bashkinë Tiranë për ndërhyrjet, çudi që nuk flet kurrë për motelet e zaptuesit aty. #Tirana100 ”, shkruan Veliaj.

Më herët, Bashkia e Tiranës ka transformuar edhe pjesën tjetër të Kalasë së Tiranës e cila nga një vendgrumbullim mbetjesh është kthyer në një hapësirë kulturore e tregtare e qytetit, ku qytetarët dhe turistët e shumtë mund të gjejnë dyqane suveniresh, mozaikë e restorante tradicionale.

Pas sheshit “Skënderbej dhe Pazarit të Ri, falë bashkëpunimit me familjen e vjetër Toptani për rehabilitimin e saj, Kalaja e vjetër e Tiranës i është kthyer qytetarëve si një hapësirë ku ndërthuret e vjetra me modernen, për të shërbyer si një mjedis kulinarie për gatimet tradicionale shqiptare, por edhe si një zonë për zhvillimin të artizanisë, kulturës dhe artit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje