E ka ushqyer klima politike nё Gjermani terrenin ekstremist?

23 Shkurt 2020, 08:45Bota TEMA

Klima shoqërore në Gjermani ka ndryshuar. Qëndrimet ekstremiste të djathta, të papranueshme me dekada janë kthyer sërish në shoqëri. Politika ka pjesën e saj të fajit për këtë situatë.

Kaq qartë Angela Merkel nuk e ka thënë kurrë. Gjermania ka një problem me racizmin. „Urrejtja është helm. Ky helm ekziston në shoqërinë tonë dhe është fajtor për shumë krime”, tha kancelarja gjermane, pasi një person ekstremist i djathtë në Hanau vrau disa vetëm sepse nuk kishin pamje gjermane. Atentatori kishte një botëkuptim “thellësisht ekstremist të djathtë”, tha Prokurori i Përgjithshëm.

Për herë të tretë brenda pak muajsh, një ekstremist i djathtë ka goditur shoqërinë. Në gusht 2019 ishte politikani i CDU-së dhe presidenti qeveritar i Kasselit, Walter Lübcke. Në tetor një person synoi të hynte në një sinagogë në Halle, e vrau dy vetë në rrugë e sipër. Edhe atentate të tjera kundër politikanëve, azilkërkuesve, myslimanëve kanë qenë të planifikuara. Së fundmi policia arrestoi një grup prej 12 vetësh të kategorizuar si ekstremistë të djathtë.

është AfD fajtore për të gjitha?

Nga vjen urrejtja, „helmi”, për të cilin flet kancelarja gjermane? Cili është terreni ushqyes për dhunën raciste në Gjermani? Armiqësia ndaj të huajve nuk është ndonjë fenomen i ri në Gjermani. Studimet i atestojnë një qëndrim të tillë kundrejt të huajve 15-20% të popullsisë gjermane. Por askush nuk lind racist. Pas sulmit në Hanau, përmendet shpesh AfD-ja. „Ne përjetojmë që klima shoqërore përmes AfD-së po helmohet prej kohësh, shohim si nxitet urrejtja, si përçahet shoqëria”, tha Lars Klingbeil, që e cilësoi AfD si „krahun politik të së djathtës ekstreme.”

Tek AfD-ja nacionalsocialzmi jo vetëm që minimizohet, por kjo parti përpiqet që të bëjë si pjesë normale të shoqërisë edhe ideologjinë raciste, që bazohet në prejardhjen e popujve. Me vetëdije sulmohen verbalisht apo përgojohen njerëzit, emri i të cilëve të le të kuptosh, se prindërit apo gjyshërit kanë një histori migracioni. „Të shohësh njerëzit si kundërshtarë dhe veten si diçka më të mirë, të bësh nga bashkëqytetarët të huaj, ky është helm që po futet gjithnjë e më shumë në shoqërinë tonë dhe në fund çon në vepra të tilla”, tha kryetarja e partisë konservatore, CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer.

Objektivi Shisha-Bare

Vrasjet në Hanau u kryen në dy shisha-bare, që vizitohen zakonisht nga të rinj me sfond migracioni. Prej kohësh AfD-ja zhvillon një fushatë kundër shisha-bareve, edhe në Hessen. Këtu përmendet fakti, që policia në kontrollet e shisha-bareve disa herë ka gjetur e konfiskuar duhan për shisha të patatuar. Bazuar mbi këtë, AfD përpiqet të krijojë në fushatën e saj përshtypjen, se shisha-baret janë përgjithësisht të lidhur me kriminalitetin.

Deputeti i Majtë, Lorenz Gösta Beutin nga partia E Majta nuk bën përgjegjëse vetëm partinë radikale të djathtë për rritjen e terrorit të djathtë në Gjermani. Nuk duhet harruar, që edhe ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer që para edhe gjatë krizës së refugjatëve ka nxitur frikën për të ashtuquajtur të huaj. „Kanë qenë edhe njerëzit si ai që kanë mbjellë farën e urrejtjes”, thotë Beutin. Seehofer ka thënë në vitin 2011, se „deri në fishekun e fundit” do të dalim kundër që të mos lejojmë „një migrim në sistemet sociale gjermane”. Në vitin 2015 ai e vlerësoi migracionin si “nënën e të gjitha problemeve.”

Ka Gjermania një problem themelor? Prej vitesh Kombet e Bashkuara, Këshilli i Europës e kanë paralajmëruar Gjermaninë të bëjë më shumë kundër diskriminimit, armiqësisë ndaj të huajve dhe racizmit. Në shkurt 2014, Komisioni Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës kërkoi që të reformohej ligji, që si në vende të tjera të BE, të peshonin më shumë në dhënien e dënimit motivet raciste. Po ashtu ky komision i vendosur nga Parlamenti Europian kritikoi që në Gjermani nxitja e urrejtjes është e dënueshme vetëm atëherë, kur “dëmtohet paqja publike”. Por kjo është e vështirë të provohet. Në këtë raport thuhet, se në problematikën e nxitjes së urrejtjes ka një masë të madhe pandëshkueshmërie.

Edhe deputeti i Majtë, Jan Korte pas atentatit në Hanau është i mendimit, se qeveria gjermane e ka nënvlerësuar rrezikun e ekstremizmit të djathtë në Gjermani prej vitesh. Më shumë se 200 vetë janë vrarë nga viti 1990 nga ekstremistët e djathtë. “Bëhet fjalë për substancën kryesore të shoqërisë demokratike dhe kjo nuk është identifikuar në vitet e fundit, njerëzit që e ngrinin këto problem nuk merreshin seriozisht.”

Shumica e gjermanëve nuk është armiqësore ndaj të huajve

Megjithatë kohët e fundit, qeveria gjermane ka lëshuar një sërë ligjesh për të luftuar urrejtjen djathtiste, dhunën në rritje e terrorin e djathtë. Pas sulmit në Hanai do të ketë më shumë mbrojtje policore. Politika megjithatë duhet të pyesë veten, nëse këto masa vijnë shumë vonë. “Ne do të dalim para në mbrojtje të atyre njerëzve që rrezikohen në këtë vend, që nuk ndjehen më të sigurtë”, premton Lars Klingbeil. Në të gjithë Gjermaninë u mblodhën në disa qytete njerëzit në demonstrate dhe momente përkujtimi pas sulmit në Hanau. Presidenti gjerman Steinmeier, kur vizitoi Hanaun tha. “Ne qëndrojmë të bashkuar si shoqëri, ne nuk e lejojmë të na frikësojnë, ne nuk përçahemi.” Me këtë ai flet për shumicën e gjermanëve, që nuk është raciste. (dw)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje