Ministria e Brendshme prezantoi publikisht sot paketën me ndryshimet në Kodin Rrugor për shkelësit. Masa më e rëndë është ajo për drejtimin e makinës në gjendje të dehur, që shkon deri në 40 mijë lekë (nëse përmbajtja e alkolit është nga 0.8 g/l deri në 1.5 g/l), nga 5 – 15 mije lekë që është aktualisht, dhe pezullimi i patentës arrin deri në 2 vjet, nga deri në 6 muaj aktualisht.
Por nëse shoferi që drejton makinën në gjendje të dehur, shkakton një aksident, dhe rezulton me përmbajtje alkooli 1.5 g/l dhe i hiqet leja e drejtimit me të gjitha pikët.
Kjo do të thotë se shoferi rikthehet sërish në auto-shkollë për ta marrë patentën nga e para. Nëse shoferi konstatohet me pije alkoolike nga ora 19:00 – 06:00 të mëngjesit, propozohet që gjoba të jetë 30% më e lartë. Ndërkohë nga 10-20 mijë lekë propozohet gjoba nëse përmbajtja e alokolit ëstë nga 0.3 g/l deri në 0.5 g/l.
Gjoba për celularin në timon rritet nga 1 – 1.5 mijë lekë që ishte, në 5 – 15 mijë lekë. Por kur shkelja përsëritet 3 herë brenda vitit, vlera e gjobës dyfishohet, që do të thotë se arrin deri në 30 mijë lekë. Por me këtë shkelje, merret masë ndëshkuese edhe me pezullimin e lejes së drejtimit për 3 muaj, si dhe hiqen nga patenta 10 pikë. Gjobë do të merret 5 mijë lekë, edhe thjesht nëse je duke e mbajtur telefonin në dorë, pa folur e pa shkruar, kur je në timon.
Ndëshkim me gjobë nga 10 – 20 mijë lekë do të ketë edhe për shoferët që nuk ruajnë distancën e sigurisë, apo edhe më shumë, nëse i bën presion për të hapur krah, duke përdorur vazhdimisht dritat e gjata.
Nga 1 – 3 mijë lekë, rritet nga 5 – 8 mijë lekë gjoba për shoferët që nuk respektojnë përparësinë në rrugë. Kur efektivët rrugorë konstatojnë se shkelja është përsëritur 2 herë brenda vitit, pezullohet patenta deri në 1 vit dhe hiqen 5 pikë nga leja e drejtimit.
Si ndryshim në Kodin Rrugor për personat që drejtojnë motor, propozohet që veç kaskës mbrojtëse, të jetë i detyrueshëm gjatë natës, në errësirë, edhe mbajtja e jelekut fosforishent. Gjoba në këto raste do të jetë deri në 1-3 mijë lekë.
Gjobë 1 – 3 mijë lekë do të marrë një shofer, nëse pasagjerët në makinën e tij nuk kanë të vendosur rripin e sigurimit. Edhe nëse bën parakalim të gabuar në rrugë, gjoba do të rritet në 5 – 10 mijë lekë nga 1 – 3 mijë lekë që është aktualisht. Po ashtu, shtohet edhe pezullimi i patentës me 1 muaj.
Në Konferencën e Nivelit të Lartë për sigurinë rrugore në vitin 2020 morën pjesë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, të cilët theksuan se siguria rrugore duhet të jetë njësoj si në vendet evropiane.