Shqipëria si Italia, FSHF në kontakt me qeverinë për zhvillimin e dy takimeve të sotme të Superiores

9 Mars 2020, 11:36Sport TEMA

Ditën e sotme u konfirmua se Shqipëria ka dy rastet e para të prekura me koronavirusin Covid-19, çka ka shtyrë menjëherë qeverinë shqiptare të organizojë një mbledhje të jashtëzakonshme, me qëllim njoftimin e masave të marra në lidhje me parandalimin e virusit. Kryeministri njoftoi se do të kërkohet mbyllja e të gjitha aktiviteteve, që grumbullojnë masa të mëdha njerëzish, përfshirë edhe ato sportive.

Kjo deklaratë e kryeministrit ka bërë që të vihet në dyshim mbarëvajtja e aktiviteteve sportive, veçanërisht e Kategorisë Superiore.

Ditën e sotme është parashikuar të luhen dy ndeshjet e mbetura të javës së 26, Skënderbeu-Kukësi dhe Vllaznia-Partizani. Megjithatë, pritet një lajmërim i dytë në lidhje me zhvillimin e këtyre sfidave.

Federata e Futbollit ka filluar menjëherë kontaktet me qeverinë për të marrë udhëzimet për mënyrën e organizimit të këtyre dy takimeve dhe atyre të javëve të ardhshme.

Aktualisht po bisedohet për dy sfidat e sotme, që pritet të zhvillohen, por pa praninë e tifozëve, siç mësohet nga burime pranë FSHF.

Nga ana tjetër një urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë, që hyn menjëherë në fuqi bën me dije mbylljen e menjëhershme të aktiviteteve publikë, përfshirë edhe ato sportive.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje