Mjekët kinezë: Një ilaç japonez për gripin, efektiv edhe për koronavirusin

20 Mars 2020, 08:49Bota TEMA

Autoritetet mjekësore në Kinë kanë thënë se një ilaç i përdorur në Japoni për të trajtuar llojet e reja të gripit ka rezultuar efektiv te pacientët me koronavirus.

Zhang Xinmin, një zyrtar në Ministrinë e Shkencës dhe Teknologjisë së Kinës, tha se Favipiravir, i zhvilluar nga një degë e Fujifilm, kishte sjellë rezultate inkurajuese në provat klinike në Vuhan dhe Shenzhen, ku janë testuar 340 pacientë.

Ka një shkallë të lartë sigurie dhe është qartësisht efektiv në trajtim“, u tha Zhang gazetarëve të martën.

Pacientët të cilëve u është dhënë ilaçi në Shenzhen rezultuan negativë për virusin, mesatarisht 4 ditë pasi kishin marrë ilaçin, ndërkohë që atyre që nuk mjekoheshin me këtë ilaç u duheshin edhe 7 ditë të tjera për t’u shëruar.

Për më tepër, rrezet X konfirmuan përmirësime në gjendjen e mushkërive në rreth 91% të pacientëve që ishin trajtuar me Favipiravir.

Fujifilm Toyama Chemical, kompania që ka krijuar ilaçin – i njohur gjithashtu si Avigan – në vitin 2014, nuk ka pranuar të komentojë rreth këtyre raportimeve.

Mjekët në Japoni po përdorin të njëjtin ilaç në studimet klinike mbi pacientët me koronavirus me simptoma të buta deri të moderuara, duke shpresuar se do të parandalojnë përhapjen e virusit te pacientë të tjerë.

Por një burim i Ministrisë së Shëndetësisë japoneze sugjeroi se ilaçi nuk ishte aq efektiv te të prekurit nga koronavirusi që shfaqin simptoma më të rënda. “Ne i kemi dhënë Avigan 70 deri në 80 njerëz, por duket se nuk funksionon aq mirë kur virusi tashmë është shumuar”, tha burimi për “Mainichi Shimbun”.

Në vitin 2016, qeveria japoneze e dha ilaçin Favipiravir si një ndihmë urgjente për të luftuar shpërthimin e virusit Ebola në Guinea.

Për përdorim në shkallë të plotë te pacientët Covid-19, këtij ilaçi do t’i duhej miratimi i qeverisë japoneze.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje