Kufomat politike që po sëmurin një shtet foshnjë

22 Mars 2020, 10:22Blog TEMA

Nga Akri Çipa

Teksa gjithë kontinenti europian dhe më gjerë gjendet përpara një sfide të paprecedentë dhe një gjendjeje alarmi për pandeminë COVID-19, fati i qeverisë së Kosovës është në udhëkryq. Situata surreale e krijuar përbën një shembull zhgënjyes të pragmaticitetit politik që përmbys një qeveri legjitime dhe vetë instituticionin e votës së lirë, nëpërmjet së cilës ajo u zgjodh. Por, edhe më rrezikshëm akoma, këto veprime të ndërmarra nga aktorët politikë vijnë me kosto të shumëfishuar në kushtet e paqartësisë së madhe për atë çfarë do të ndodhë në vijim.

Mocioni i mosbesimit, kërkuar nga LDK, do të sillte detyrimisht rrëzimin e një qeverie tejet jetëshkurtër, por do të fuste edhe të gjithë shtetin në një terren të pasigurt. Ndryshimi radikal i jetës së përditshme të qytetarëve si pasojë e vazhdës së masave të jashtëzakonshme të ndërmarra kundrejt koronavirusit, e bën edhe më të pavolitshëm konfliktualitetin aktual politik. Në vend që të kishte një koordinim më të madh përballë një armiku të përbashkët që kërcënon shëndetin publik, klasa politike e Kosovës është ngërthyer në një lojë shkatërruese për përgjegjësinë politike dhe institucionale.

Gjasat janë që përshkallëzimi i situatës politike të jetë materializuar pikërisht në këtë moment delikat për të shmangur organizimet dhe protestat e mundshme kundërshtuese. Por, këto lloj llogaritjesh duhen riparë. Në kushtet kur është e pamundur për të mbajtur zgjedhje të reja, një qeveri e dalë me marrëveshje dhe pa legjitimitet zgjedhor do të sillte destabilizim dhe humbje të besueshmërisë së autoriteteve shtetërore, në një moment kur besimi është element jetik.

Pavarësisht mëtimeve për të paraqitur një qeveri teknike ose stabiliteti si mundësi për tejkalimin e situatës, faktet janë kokëforta. Dhe këto fakte parathonë që shteti i Kosovës do të mbetet në mëshirën e entiteteve politike të cilat, edhe në kushtet e mungesës së mandatit elektoral dhe përballjes së munguar me votuesin, mbajnë të centralizuar vendim-marrjen. Kjo partitokraci e shëmtuar tregon se si zhvlerësohet procesi elektoral dhe vota e lirë. Përballja kryesore e një politikani është me votuesin dhe pesha në skenën politike duhet të jetë proporcionale me aftësinë për të marrë votëbesimin e elektoratit. Kur vendimmarrja mbetet në duart e politikanëve të cilët e kanë të munguar këtë votëbesim, pikëpyetjet për llogari-dhënien dhe mbajtjen e përgjegjësisë janë të mëdha.

Justifikimet e përshkallëzimit të situatës, duke ia atribuar atë edhe aktivitetit të diplomatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, kalojnë në plan të dytë demokracinë e vetë vendit. Për më tepër, kjo bëhet edhe në një moment kur ka një pasiguri të madhe edhe në skenën ndërkombëtare. Gjasat reale ekzistojnë, që të ketë ndryshime të rëndësishme politike në vendet partnere brenda muajve të ardhshëm dhe anashkalimi i partneriteteve zyrtare për hir të kanaleve dytësore cënon kredibilitetin e Kosovës dhe rrezikon të vijë e shoqëruar me pasoja afatgjata.

Fati i qeverisë aktuale, (kjo e fundit e lindur mes njëmijë dyshimesh pasigurish as dy muaj më pare), ishte parashkruar që tek zvarritja që iu bë në mënyrë të tejzgjatur bisedimeve ndërmjet atyre që do të përfundonin si partnerë në qeverisje. Akuzat dhe mungesa e besimit që u vërejt gjatë asaj peiudhe ndërmjet palëve ishte një paralajmërim ogurzi për bashkëqeverisjen e tyre. Por, përtej provokimeve dhe fërkimeve që e kanë karakterizuar dialogun paszgjedhor si dhe dy muajt e fundit, bashkëqeverisja jetëshkurtër ka treguar se ekzistojnë mundësitë dhe elementët e bashkëveprimit. Tejkalimi i dasive duhet të ishte një mision shtetformues, sikurse u premtua dhe jo një tjetër lojë politike, sikurse po rezulton.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, zonja Viola von Cramon, theksoi se procedimi i mocionit të mosbesimit do të ketë pasojat jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën në rradhë të parë, por, më gjerë, edhe për gjithë rajonin. Zhvlerësimi i demokracisë së Kosovës bëhet, në këtë mënyrë, edhe më e rrezikshme dhe ngjan si një bast i mirëfilltë, më shumë se sa një veprim i përgjegjshëm dhe burrështetësish. Një bast që duket edhe më irracional në kushtet e sfidave të shumta të jashtme me të cilat përballet vendi.

Teksa nevoja primare për të gjithë është garantimi i sigurisë shëndetësore të qytetarëve dhe mbajtja në lëvizje e një ekonomi të brishtë dhe që rrezikon kolapsin, tentativat për politizim dhe për të fituar kapital politik janë zbehur edhe në Tiranën tejet konfliktuale. Është e pashmangshme ngritja e pyetjes së kujt i intereson një tjetër rënie qeverie në Kosovë. Situata alarmante dhe dëmi i menjëhershëm i shkaktuar, bashkë me ndërprerjen e përsëritur të një mandati qeverisës, e bëjnë veprimin aktual shumë më tepër se një taktikë ose aventurë e thjeshtë politike.

 

4 komente në “Kufomat politike që po sëmurin një shtet foshnjë”

  1. Ali says:

    Shume i ri duket ky djale per te gjykuar politiken e
    nje shteti dhe politikaneve te tij, kesaj i thone te notosh ne oqean pa provuar te notosh ne prrua, lum apo ne det….
    Ky lloj shkrimi duket si ato plagjaturat qe perdoren si trampolina per tu afirmiar por qe nuk besoj se kane sukses ne vazhdimesi.

  2. qytetari says:

    Koha e gjate,ka treguar qarte,qe shumica andej,nuk e meritonin ate shtet,si dhe ate qe dhe kjo turma ketej,nuk e meritojne demokracine perendimore dhe per me tej,qe kurre nuk eshte bere shtet ne kete truall te nemur.
    U pelqen te vertiten pa strumbullar,te verber,duke share, lehur dhe kafshuar pa fund njeri tjetrit,prane filxhanit te kafese,apo mejhaneve televizive.
    Drejtimi ku gjen vehten shumica e tufes injorante e ligesise dhe egersise njerzore,andej dhe ketej kufirit eshte ajo e shkretetirave arabe dhe anadollit.
    Kete ka kohe qe e ka kuptuar katerciperisht Perendimi,por dhe kryeministri Rama,qe ndihet me i vetmuari ne kete vend.

  3. Altin says:

    o Ali qe duhet ta kishe emrin “Mamut”, S’ke faj se Ti nuk e ke bërë notin në det a oqean as në perrua por në kanalin e mutit. Po ik o Mamut (Ali). Po kur të mbarosh bachelorin shko mbaro dhe 3 vjecarin. Kric

  4. Bureto says:

    Dilema e gjatë në kohë sa ajo e vetë njerëzimit nuk është zgjidhur: E bëri pula vezën apo veza pulën? E ka fajin politika apo populli? Është shumë më e komplikuar se kaq, sidomos në këtë të dytën. Sepse nisur nga lindja e jetës në tokë shkenca pranon, në kushte të caktuara, evoluimin nga monoqelizorët deri tek njeriu, pra nga ‘veza tek pula’. Atëhere në rastin e dytë jemi tek ‘veza’, po e quajmë individi, i cili formon shoqërinë dhe kjo nga ana e saj lind lidershipin e vet. Në rastin e shqiptarëve jemi akoma tek individi. Historia jonë 100 vjeçare shtetformuese e një shoqëri të pakultivuar për të qenë e aftë të arrijë formën më të lartë të vetorganizimit, DEMOKRACINË, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale ka qenë një dështim. Thënë më thjesht nuk bëhen petë lakrori me miell misri. Jemi ende në proces evoluimi si shoqëri. Nuk duhet pritur më shumë nga klasa politike shqiptare këndej e andej kufirit, por duhet kërkuar më shumë nga vetvetja si individë në rradhë të parë, duke vënë cilësinë e shoqërisë para interesit të vogël individual. Nuk kanë thënë kot që, çdo popull e meriton qeverisjen e vet, e cila është produkt i politikës dhe kjo nga ana e vet, produkt i popullit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje