Rimëkëmbja e ngadaltë ekonomike në Kinë, pas ndërprerjes brutale për të frenuar pandeminë e koronavirusit, është inkurajuese, tha të hënën kryekonomistja e FMN-së, Gita Gopinath.
Ajo paralajmëroi, gjithashtu, kundër tundimit për t’u gëzuar shumë shpejt përsa kohë pasiguria është e pamasë.
“Shërimet në Kinë, megjithëse të kufizuara, janë inkurajuese, duke treguar se masat e frenimit të pandemisë mund të jenë të suksesshme në kontrollin e epidemisë”, tha Gopinath, në një blog të përbashkët me John Bluedorn, një nga zyrtarët e Departamentit të Kërkimit të FMN-së dhe Damiano Sandri-n, ekonomist i Fondit.
“Por, në të njëjtën kohë, pasiguria mbi ritmin e ardhshëm të epidemisë është e jashtëzakonshme. Një ringjallje e përhapjes së saj në Kinë dhe vendet e tjera nuk mund të përjashtohet”, shkruajnë ata.
Paraliza e ekonomisë kineze, e dyta në botë, e ndjekur nga goditja brutale që preku edhe ekonominë amerikane, gjithashtu për shkak të koronavirusit, e zhyti botën në recesion.
Në blogun e tyre, Gopinath, Bluedorn dhe Damiano, vlerësojnë se recesioni do të jetë më i keq sesa ai i vitit 2009 që pasoi krizën financiare.