VIDEO/ FSHF falënderon mjekët: Jeni kombëtarja jonë

7 Prill 2020, 21:59Sport TEMA

Federata Shqiptare e Fiutbollit ka ndërmarrë sot një gjest simbolik për të gjithë punonjësit e shëndetësisë të cilët aktualisht gjenden në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit.

Organizata që drejton futbollin në vendin tonë i ka shpallur ata simbolikisht si ekipin Kombëtar në këtë luftë të mirëfilltë dhe ka bërë të ditur se ka përgatitur 459 fanella dhe topa futbolli për të gjithë ata.

Duhet kujtuar që dy punonjës të FSHF deri tani kanë rezultuar të infektuar me COVID-19 dhe raportohet se të dy janë në gjendje të mirë shëndetësore pasi kanë marrë ndihmën nga autoritetet përkatëse shëndetësore.

NJOFTIMI

Federata Shqiptare e Futbollit vlerëson maksimalisht punën, mundin dhe sakrificën e mjekëve, infermierëve, sanitarëve, shoferëve të ambulancave dhe të gjithë punonjësve në sistemin e shëndetësisë që në vijën e parë po përballen me guxim me virusin vdekjeprurës Covid-19.

Në këtë kohë të vështirë, jemi shpirtërisht pranë tyre dhe familjeve të tyre. Federata e Futbollit, shpall simbolikisht 459 mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët e ambulancave dhe të gjithë personelin e përfshirë si Kombëtaren tonë që po përballet me një “ndeshje” të vështirë, të pabarabartë e të padrejtë për jetën njerëzore. Emrat e tyre u shkruan për secilin në një fanelë të kombëtares shqiptare të futbollit dhe do u dhurohen këtyre heronjve të heshtur në shenjë vlerësimi, mbështetjeje dhe solidarizimi. Sot në Ditën Botërore të Shëndetit, fanelat e punonjësve tanë të shëndetësisë, mbushën fushën e stadiumit kombëtar Air Albania me mesazhin: MJEKËT KOMBËTARJA JONË!

Emrat e tyre do të qëndrojnë në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit si një kujtesë për sakrificën e tyre! Gjithashtu, Federata e Futbollit duke menduar fëmijët e tyre, do të shpërndajë edhe 459 topa që vogëlushët të mund të luajnë futboll në kushtet e shtëpisë.

Ne sërish bëjmë thirrje që të qëndrojmë në shtëpitë tona, si përpjekja më e mirë për të ndaluar përhapjen e virusit. Kjo është mbështetja më e madhe që mund tu japim mjekëve tanë, që kanë lënë familjet e tyre dhe ditë e natë po rrezikojnë jetën për ne duke u ndeshur me virusin!

Ne krenohemi me ta. Ne besojmë se shumë shpejt, të gjithë sëbashku do ta fitojmë këtë “ndeshje”!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje