SHBA-ja është bërë vendi i parë në botë që kalon pragun prej 2 000 të vdekur nga COVID-19 në një ditë, me 2 108 të vdekur të tjerë në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në orën lokale 20:30.
Numri total i të vdekurve në SHBA ka arritur në 18 586, duke iu afruar vendit më të goditur nga COVID-19, Italisë që numëron 18 849 të vdekur, por me një popullsi pesë herë më të madhe.
Përveç të tjerave Amerika i është afruar një gjysmë milioni rastesh të diagnostikuara zyrtarisht me COVID-19, 35 000 raste të regjistruara në 24 orë.
Epiqendra e epidemisë amerikane ndodhet në Nju Jork me më shumë se 7 800 të vdekur dhe 160 000 raste pozitive.
“Më shumë se 2,1 milionë teste janë realizuar në vend”, deklaroi zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence në një konferencë shtypi.
Presidenti amerikan, Donald Trump përsërit rregullisht se bëhet fjalë për numrin më të madh të testeve të kryera nga një vend, gjë që shpjegon sipas tij dhe numrin e lartë të rasteve të regjistruara në SHBA.