ANALIZA: Pse në Shqipëri jemi të (pa)ngjashëm me modelin austriak

16 Prill 2020, 09:00Sociale TEMA

Më 25 shkurt provinca e Tirolit raportoi dy rastet e para të koronavirusit në Austri. Ishte një çift i infektuar në Itali.

Çfarë bënë autoritetet? I mbyllën menjëherë kufijtë me Italinë, Gjermaninë dhe Zvicrën (nisur nga pozicioni gjeografik që ka).

A u vendos kjo provincë në shtetrrethim? Jo. Vetëm dy lagje të saj iu nënshtruan masave ekstreme të karantinës.

Në Tirol (përveç mbylljes së kufijve me të) u ndoqën të njëjtat masa udhëzuese si në gjithë Austrinë.

Njerëzve u lejohej të bënin pazar ushqimesh, të shkonin në farmaci, të tërhiqin para nga bankomatet, të vizitoheshin te mjeku madje të nxirrnin edhe qenin për shëtitje.

U kufizua vajtja në punë dhe njerëzve iu rekomandua që të punonin nga shtëpia kur ishte e mundur. U lejua madje të bëhej sport, por vetëm një metër larg distancë nga njëri tjetri.

A u zbatuan këto rregulla me përpikmëri? Po.

Shkalla e rritjes së infeksionit (ditor) në Tirol ishte më pak se 5% dhe kjo prirje mbajti më shumë se një muaj provincën alpine mjaft të frekuentuar nga turistët.

Tirol u lidh (për të lëvizur) me pjesën tjetër të vendit vetëm disa orë pasi kancelari austriak Sebastian Kurz publikoi vendimin për rihapjen e dyqaneve në fillim të javës.

Rezortet e skive vijojnë të mbeten të mbyllura ndërsa akomodimet apo kërkesat për turizëm do të rifillojnë nga mesi i muajit maj.

Për këdo që ka menduar ndryshe në atë që u cilësua si vatra e koronavirusit në Austri është gabuar.

Pse? Sepse banorët e Tirolit (ashtu si edhe në gjithë pjesën tjetër të Austrisë) ndoqën me përpikmëri rregullat udhëzuese të qeverisë austriake.

Austria nuk e mbylli transportin publik, por mediat ndërkombëtare tregonin pamje të metrove me tre apo katër njerëz në to, edhe ata në distancë.

Austria nuk përcolli rregulla të veçanta se si duhej të bëhej pazar aq më shumë të merrej leje.  “Unë nuk kam frikë të shkoj në market sepse askush nuk më afrohet nga distanca e lejuar”, do të shprehej mjeku shqiptar Arben Kuçani që jeton prej vitesh në Austri.

Austria nuk i përngjan Shqipërisë as në rastin e Arjan Gosenit që edhe pse i papunë thyen karantinën, shkon të luajë tavëll, e më pas ankohet se nuk ka para ta paguajë.

Austria nuk i përngjan Shqipërisë as në rastin e atij qytetarit në Shkodër që i hakërrehej policit se pse e kishte ndaluar sepse kishte jetën e tij. Në Austri nuk u panë forca të shtuara të policisë.

Austria nuk i përngjan Shqipërisë as në shifra gjobash edhe pse i ka proklamuar të ashpra prej më shumë së një muaji. Aty as nuk raportohet si fenomen. Në Shqipëri, vetëm 24 orët e fundit janë gjobitur 759 qytetarë dhe katër të tjerë janë arrestuar për thyerje karantine.

Kancelari austriak tha të martën se vendi i tij ishte në rrugën e duhur. Për këtë, ai falenderoi austriakët për disiplinën e tyre.

Në Shqipëri, nuk ka ditë që kryeministri Rama s’tërheq vëmendjen e publikon video të aksionit të policisë se si duhen zbatuar rregullat…

Andaj para se të shpresojmë që të ndjekim modelin austriak në rihapje biznesesh (siç tha Rama) na pret një dilemë e madhe se sa të ngjashëm jemi ne në mentalitet me vendin e vogël alpin prej 8.8 milionë banorësh.

“Askush nuk është i përjashtuar nga arsyeja për të gjetur zgjidhje të përbashkëta…” do të shprehej ish-presidenti amerikan Barack Obama në një nga librat e tij.

Në rastin e Shqipërisë e vështirë të mendohet…aq më shumë të zbatohet.(SI)

5 komente në “ANALIZA: Pse në Shqipëri jemi të (pa)ngjashëm me modelin austriak”

  1. faro says:

    PO:
    Ke sh të drejtë! Faji I madh I përket SHKOLLËS,. Ajo ka për detyrë të masivizoje edukatën KONTEMPORANE!
    Janë shumë tipare të personalitetit që shkolla as nuk i përmend si:
    Bashkëpunimi në grup, empathia, respekti I mendimit të tjetrit, njohja e vetes, etj etj.
    Nuk mund të them që nuk ka mësues, apo familje që punojnë në këtë drejtim por fjalën e kam për masivizimi,që vetëm INSTITUCIONI i shkollës mund ta bëjë.
    U bënë 30 vjet dhe nuk kam dëgjuar, të paktën 1 ministër të flasë, qoftë 1 herë, per këto probleme.
    Kush tjetër do ta bëjë?
    Bota I zbaton! Ne I shohim, por vendime përgjithësuese nuk marrim.
    Ah po:
    Kemi në majë të gjuhës MALLKIMIN e popullit se me demek të tillë jemi e të tillë kemi qenë.
    Budallallëk I pakufi!

    1. agon says:

      Shkolla ka hakun e vet por kur autoriteti i mësuesit është bërë zero dhe kur mësuesit trajtohen më keq se pastruesit e rrugëve me gjithë respektin për ta çdo presësh nga mësuesit, pastaj puna më e madhe për edukimin varet nga familja, kur prindi nuk edukon si duhet fëmijën e vet si mund ta bej një mësues qe ka te paktën njëzet fëmije në klasë … artikulli flet për koordinim bashkëpunim gjë që bëhet duke respektuar të gjitha hallkat e sistemit … nëse mësuesit i duhet të mendoje si të arrijë në fund të muajit me atë pak rroge që merr imagjinoje interesin e tyre për të bërë detyrën… nuk vlerësohet eksperienca dhe përkushtimi … me sa di mësuesit njerëz janë si gjithë të tjerët…

  2. Kritiku says:

    Z.Faro,pobleminuk eshte shkolla qe natyrisht ka pjesen e saj.Per cfar shkolle mund te flasesh kur rrgullin e kundershton i pari nje ishkryeinister si Sali Berisha,nje ish minister drejtesie si Ylli Manjani,Nje shkrimtare si Flutura Acka,nje artist si Julian Deda e plot te tjere Mos valle dhe per keta qe propagzndojne thyerjen e rregullit e ka fajin shkolla qe nuk ua ka mesuar?Fajin qe ne nuk jemi si Austria e shume vende te tjera nuk e ka as diktatura qe lame pas.Fajin e ka mentaliteti yne qe duam te gjithe te jemi ne “KOMANDE,te jemi bajraktare,te sundojme se keshtu i vjen mire politikes se dites.Etja per pushtet eshte e pa meshireshme edhe para jeteve njerezore.Mos haro Z.Faro se dikur para diktatures,kur burrat mblidheshin e vendosnin per dicka ne fshat ,nuk guxonte asnje ta shkelte.Per sa kohe njeri i bie gozhdes e tjetri patkoit,ne do te vazhdojme te jemi nje popull ku masat shtrenguese do te vendosen me dhune,pasi vetem keshtu mund te vime ne rrugen e zotit.Rregulli e ligji nuk zbatohen me te lutura por me nasa,deri sa te edukohemi e te behemi te ndergjegjshem.

  3. Kritiku says:

    Z.Faro,e cfar duhet tu jepte me shume shkolla zoterinjve qe i kundervihen regullit si: Ish kryeministri Sali Berisha,Ish ministri drejtesise Ylli Manjani Shkrimtares se nderuar Flutura Acka ,humoristit aktor Julian Deda,ana listit Fatos Lubonja e shume te tjere qe kundershtojne rregullin ?Ja eto a me pak Austria se ne zoti Faro.

  4. faro says:

    Ju flm për kritikat!
    Keni sh të drejtë për familjen, pikërisht fjalën e kam ku mungon kjo familje e kualifikuar. Niveli I kualifikimt të shkollës, pra të mësuesve, duhet të jetë kaq I lartë, sa të plotësojë e të korrigjojë mangësitë e familjes, deri në majë të malit. Keni sh të drejtë për modelet negative në parlament, madje të shumta, por pikërisht, do të jete masivizimi i edukatës se shëndoshë që do të marrë çdo femi në shkollë, që ato sjellje që ju me të drejtë I dënoni, të konsiderohen Lehtësisht, të pamoralshme, nga cilido dhe kudo, në qytet, fshat, mal, familje e shëndoshë apo jo.
    Këtë mund ta bëjë vetëm shkolla. Kuptohet që edhe media luan një rrol madhor, por fatkeqësisht modelet që merren nga to janë më shumë modele qejfi, shthurje, shpifje, që arrijnë deri në ekstreme arrogancë e erotike.
    NJË kanal TV vetëm për shkollën dhe edukimin KONTEMPORAN, do të ishte sh i vlefshëm!
    Ju flm për mirëkuptimin!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje