Më shumë se dy milionë raste me Covid-19 janë shënuar në të gjithë botën, duke prekur 185 shtete.
Përkundër kësaj statistike shkon Koreja e Veriut, e cila ka deklaruar se deri më tani vendi nuk është prekur nga virusi Covid-19, një pretendim ky i parë me skepticizëm nga shumë ekspertë.
Për të mësuar më shumë, “France 24” foli me Daniel Wertz, një menaxher programi i Komitetit Kombëtar me seli në Korenë e Veriut.
Pak Myong Su, drejtori i qendrës kombëtare kundër epidemive në Korenë e Veriut, i tha AFP-së në fillim të këtij muaji se “asnjë rast nuk është raportuar me Covid-19 deri tani në vendin tonë”.
Mirëpo, një pretendim i tillë u kundërshtua nga Gjenerali Robert Abrams, komandant i Forcave të Shteteve të Bashkuara, i cili theksoi se ishte e pamundur që shteti i fshehtë autoritar të mos kishte asnjë rast të vetëm me infeksion.
“Sipas të gjitha gjasave mund të ketë ekzistuar një numër rastesh i pakonfirmuar për shkak të mungesës së testimeve në vend”, tha Wertz.
Gjithsesi, izolimi i vendit dhe marrja e masave për karantinimin në rast të një shpërthimi të virusit në vend, mund të nënkuptojë se një shpërthim i madh i virusit është shmangur të paktën deri më tani.
“Gjatë muajit janar, Koreja e Veriut mbylli plotësisht kufijtë e saj dhe filloi të imponojë karantinimin për qytetarët, përpara se qyteti Vuhan në Kinë të mbyllej i gjithi, një veprim i tillë nga autoritetet vendase krijoi bindjen se qeveria veproi me inteligjecë për parandalimin e virusit”, tha Wertz.
Ai theksoi edhe nëse Koreja e Veriut arriti për momentin të shmangë një skenar dramatik për vendin, kjo nuk do të thotë se gjendja s’mund të ndryshojë me shpejtësi në të ardhmen.
“Me varfërinë gjithnjë e në rritje dhe kequshqyerjen e qytetarëve të saj, shoqëruar me një infrastrukturë të dobët të kujdesit shëndetësor, një shpërthim i virusit në vend, mund të ishte shkatërrues për Korenë e Veriut”, tha Wertz.