Presidenti i Francës, Emmanuel Macron vuri në dyshim trajtimin e koronavirusit të ri (COVID-19) nga Kina duke thënë se është naive të mendohet se Kina e trajtoi krizën më mirë se të tjerët.
Duke folur për gazetën britanike “Financial Times” me qendër në Londër, Macron tha se nuk ka krahasim midis vendeve ku informacioni rrjedh lirshëm dhe njerëzit mund të kritikojnë qeverinë e tyre dhe ato vende ku shtypet e vërteta.
“Duke pasur parasysh këto dallime, vendimeve të marra dhe ajo që është Kina sot, të cilën unë e respektoj, le të mos jemi aq naivë sa të themi se është treguar shumë më e mirë në trajtimin e kësaj situate se sa të tjerët”, tha ai.
Macron paralajmëroi se nëse vendet e Bashkimit Europian nuk krijojnë një fond shpëtimi që mund të ofrojë një borxh të përbashkët për t’u përballuar me pasojat ekonomike nga pandemia e koronavirusit, në vendet si Italia, Spanja dhe mbase edhe Franca pushtetin do ta marrin populistët.
Ai shtoi se anëtarët më të pasur të BE-së duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur rindërtimin ekonomik nëse duan që blloku të mbijetojë.
Duke folur për të ardhmen e BE-së, Macron tha se “ne jemi në momentin e së vërtetës, që do të vendosë nëse Bashkimi Europian është një projekt politik apo thjesht një projekt tregu. Unë mendoj se është një projekt politik. Ne kemi nevojë për transferime financiare dhe solidaritet, pra vetëm kështu Evropa vazhdon”.
Që nga fillimi i përhapjes së koronavirusit në Francë në mars, më shumë se 32 800 persona janë shëruar plotësisht.
Ndërkohë, Macron ka vazhduar masat në vend deri më 11 maj.
Planifikohet që shkollat, qendrat e kujdesit ditor dhe bizneset të rihapen, pasuar nga kafenetë, baret dhe restorantet.
Në nivel global, më shumë se 2,1 milionë njerëz janë infektuar nga COVID-19 me 144 221 vdekje dhe mbi 543 000 të shëruar, tregojnë të dhënat e përpiluara nga universiteti “Johns Hopkins” me qendër në SHBA.