Pandemia, rënie e mitit BE apo shtysa për t’a bërë SHBA të dytë

17 Prill 2020, 13:29Bota TEMA

Nga Prof.As.Dr. Artan XH. Duka

Gjatë kësaj pandemie befasoi “ulja” e traut të kufirit brënda për brënda BE. Është ky fundi i BE apo shtysa finale për t’a bërë BE shtet fuqiplotë federal?!

Vërehet një tjetër përpjekje për të lidhur përballjen me krizën e pandemisë në Europë, e sidomos Itali, me rolin e funksionimin e BE. Retorika anti-BE shpall se BE dështoi ndaj pritshmërive ndaj tij, se ulja e traut të kufirit është simbolikisht fillimi i fundit të BE dhe se Brexit do pasohet nga “exit” të tjerë.

Të tjerë gjykojnë se, përkundrazi, pandemia po shtron nevojën historike të reformimit real e shndërrimit të BE në një shtet të mirëfilltë fuqiplotë të aftë më pas të përballojë si duhet kriza të kësaj natyre që nuk njohin kufij.

Siç është modeluar deri tani, me shtetet nacionale që tërheqin nga krraba e tyre, duart e BE mbeten të lidhura dhe është e pajustifikuar të pritet shumë prej tij. Nisur nga modeli përtej oqeanit, Shtetet e Bashkuara të Europës (SHBE) do të ishte mësimi i vyer nga pësimi i madh që pllakosi në Europë.

Pandemia si kërcënim global na uli të tërëve me këmbë në tokë. Të tërë po merrnim kot! Pa të drejtën e jetës, asnjë e drejtë e privilegj nuk ka jetë e nuk vlen në jetë

Me shumë gjasa pandemia do të jetë një moment reflektimi e realizmi për të ardhmen për të gjithë pa përjashtim. Një pësim-mësim se “murit” të natyrës nuk i bihet më me kokë! Një shkundje e brezit të rradhës sikundër dikur gjëma e luftës botërore për të kuptuar se po aq sa paqja mes nesh (për ironi lufta e ftohtë nuk dëshmoi reflektim) në mos më jetike, është paqja me natyrën.

Ironikisht njerëzimi është mrekullia dhe mallkimi i këtij planeti. Të pashoq si gjallesë në shkencë, krijimtari e dashuri por dhe materialist makut dhe agresiv në ekstrem. Krijojmë kulte, himnizojmë “vlera” e klishe që ushqehen nga egoizmi dhe makthi i kultit e dominimit, votojmë parti e imitojmë modele ekonomike që premtojnë e ofrojnë pasurim të shpejtë, ngadhnjim e sukses individual në garën e “miut” me çdo çmim etj dhe gjithmonë bëjmë gabimin fatal duke marrë natyrën e “klauzolat”/“terms & conditions” e saj të mirëqëna përjetësisht.

Na mbeti në gojë leku e gara e pasurimit të shpejtë, moda, VIP-at patetik, një piramidë e tërë “vlerash” që stonojnë kur krahasohen me vlerat reale që na bëjnë një me natyrën dhe garantojnë të drejtën unike të jetës në planet, pa të cilën asnjë e drejtë e privilegj nuk vjen e nuk vlen në jetë.

Ndonse jemi vetë produkt i natyrës, shpesh sajojmë gjëra të panatyrshme deri gjetje tabu për qënien tonë si shteti, kombi, flamuri etj, të pakuptimta për natyrën dhe që kompromentohen si “vlera” kur nisin e batojnë “varkën” ku ndodhemi të gjithë duke rrezikuar mbijetesën e gjithkujt.

Jemi të përkohshëm në planet, nuk jemi as special, bile as të domosdoshëm, për të mos thënë jemi kërcënim me atë që po i punojmë këtij planeti sot. Në mos me fat e në kohë të kolonizojmë tjetërkund, ky planet është aq sa djepi edhe sarkofagu ynë dhe mbijetesa kalon përmes bashkëpunimit.

Pandemia po imponon dalje nga “guackat” nacionale dhe bashkëpunim ndër-planetar. Më shumë gjasa, vetë politika në planet nuk do të jetë më si më parë. Apelet, programet dhe pritshmëria e publikut do të jenë më të “gjelbra” se kurrë.

Në balancë nuk është vetëm bashkëjetesa e harmonia mes nesh por edhe ajo me natyrën sipër nesh. Premtimet për mbrojtjen e mjedisit, financimet për kërkime për mbrojtjen e jetës, konsolidimi i sistemeve shëndetësore etj, do të dominojnë si kurrë më parë dhe në vazhdimësi sepse kjo pandemi është gjëmë e madhe për t’u harruar lehtë!

Pandemia, se sa pafuqinë e BE, ekspozoi dobësinë dhe reminishencat nacionaliste mes shteteve anëtare që i kundërvihen shndërrimit të BE në një shtet-federal, funksional e fuqiplotë, të cilit vetëm pastaj mund t’i kërkohet llogari pafund. Nuk kompromenton ëndrrën europiane por konfirmoi sa jetike është përmbushja e saj

Mbi të gjitha, fatin e kemi të përbashkët. Shqiptar, sërb apo grek, jemi ballkanas. Ballkanas, francez, anglez apo suedez, jemi europian. Europian, amerikan, kinez, rus apo iranian, jemi tokësor! Aq sa bën përshtypje për shqiptarin një nga gjirokastra a prishtina, po aq duhet të bëjë për njerëzimin një moskovit apo nju-jorkez! Natyra na sheh njësoj.

Ndaj, përkundër zërave që sot kritikojnë rolin e BE dhe i mëshojnë rikthimit në identitetin e shtetit nacional, pandemia globale apelon për globalizëm akoma më të shpejtë, efikas dhe human nga ai deri më sot. Ndryshe, nuk kemi mësuar kurrgjë.

Rreziku i përbashkët nuk ndan por bashkon dhe nëse vëndet e BE e pësuan paq dhe BE u lakua se zhgënjeu sërisht tek nxorri “hartën” e vjetër të kufijve mes shteteve ndërkohë që duhej të sillej me rajonet e prekura si të ishin rajone të saj. Bergamo duhej të shihej jo thjesht si qytet, krizë e problem italian por si qytet, krizë e problem i BE.

Në BE nuk duhet të ketë vënd për ulje trarësh kufiri dhe shëmbulli i vyer gjerman me transferimin e pacientëve italianë në spitalet e Gjermanisë, angazhimi i laboratorëve gjermanë në testimin e rasteve prej vëndeve të tjera (psh. Irlanda) etj, është kuptimplotë. Janë të gjithë europianë, shtëpia e tyre është kudo në Europë dhe kujdesi shëndetësor nuk njeh kufij dhe solidarizohet si një i tërë.

Mësimi nga kjo pandemi nuk është kthimi shpinës por forcimi real i BE. Pandemia nuk ekspozoi dobësinë e BE por pafuqinë e ngurrimin historik të shteteve nacionale për të dalë mbi vetveten dhe krijuar një BE fuqiplotë, pa të cilin, e kotë të pretendosh prej tij.

Kritikat ndaj BE vlejnë atëhere kur BE ka vërtet gjëra në dorë. Që BE të jetë efikas dhe pritshmëritë ndaj tij të jenë të justifikuara, BE duhet të mbyllë ciklin e konvertimit e shndërrohet në shtet real sikurse SHBA përtej oqeanit. Një shtet federal me fuqi reale legjislative e ekzekutive dhe aspak figurant prej të cilit pritet sot zgjidhja nga kriza si me magji.

Nëse duam një BE që t’i kërkojmë me të drejtë llogari në ditë të keqe, t’i japim “çelsat” e shtëpisë me ditë të mirë duke gjithëpranuar, për të mirën e përbashkët, relativizimin e politikave nacionale kundrejt politikës së përbashkët në BE (analogji me vëndin e politikave rajonale apo lokale për një shtet), ndryshe kritika e satirizimi i pafuqisë e mefshtësisë së BE nuk i vlen kujt.

Ndajmë një fat, le të ndajmë një shtet, një votë, një qeveri dhe një gjuhë!

Në një shtet fuqiplotë të BE, ndërhyrja energjike prej BE në zgjidhjen e krizave kudo e kurdo pa dallim, vetvetiu sfumon “krrabat” nacionaliste duke konsoliduar paralelisht me identitetin historik nacional edhe përkatësinë dhe identitetin e shumëpritur europian.

Sfida e paqes dhe planetit bashkë, shtron nevojën për reformim radikal të BE në shtet real. Vetë politikat në shtetin nacional duhet të dimensionohen në rang europian dhe partitë e cdo grupimi ideologjik, duhet të unifikohen në parti pan-europiane duke dalë me ekipe e emra ndaj votuesit europian, qoftë për Parlamentin ashtu edhe Komisionin Europian e drejtuesin e tij.

Kriteri i vendimarrjes në BE duhet të jetë shumica e cilësuar dhe mekanizma si “veto”, “Këshilli Europian” etj zgjatime të interesit nacional, janë të tejkaluara. Fuqia reale duhet të jetë me Parlamentin Europian dhe Komisionin si qeveri e BE, të dy të dalë nga vota e drejtëpërdrejtë e votuesit europian.

 Vetë identiteti europian presupozon bashkësi vlerash e praktikash të gjithëpranuara, duke filluar nga një gjuhë e përbashkët (me Brexit realitet, anglishtja shndërrohet në kompromis – askush nuk pretendon se po favorizohet ndonjë palë në tryezë, ka ndikim historik anglo-sakson-norman dhe është e njohur kudo në botë), heqje dorë nga parimi i vetos, zgjedhje demokratike të institucioneve ekzekutive, kritere realiste pranimi për anëtarët e rinj por dhe parime strike performance, paralajmërimi dhe përjashtimi nga unioni të shteteve që nuk bashkëpunojnë e dështojnë etj.

Sikundër SHBA, që BE të jetë union efikas duhet të jetë fuqiplotë. Jo “as mish e as peshk”, strikt e metafizik por dinamik e fleksibël, ku shtetet hyjnë, dalin e ri-hyjnë por thelbi mbetet identiteti e ligji europian dhe bashkëpunimi e solidariteti reciprok si model për unione të tjera në planet.

Si në një film fantastiko-shkencor me alienë nëpër këmbë, edhe kjo pandemi na bëri tok pa dallim kombi, ideologjie, feje, gjuhe, zakoni, race etj. Nuk biem dakort për shumë gjëra si njerëzim nga sistemi politik, besimi fetar, korrupsioni, drejtësia, diskriminimi etj, por komunikimi mes nesh për gjëra që lidhen me fatin e përbashkët është jetik dhe si bonus, ai ndihmon gradualisht edhe ndaj dallimeve të ditës mes nesh.

Apeli i pandemisë është bashkimi e bashkëpunimi dhe BE, globalizmi janë zgjidhja e vetme e krizave që nuk njohin kufij mes shtetesh. BE u ngjiz si projekt i paqes mes nesh dhe pandemia është shtysa më e fundit për t’a bërë shtet të mirëfilltë e projekt paqeje edhe me natyrën mbi ne! 

2 komente në “Pandemia, rënie e mitit BE apo shtysa për t’a bërë SHBA të dytë”

  1. Salikoqja says:

    sa tituj ii ka dhene vehtes ky palo profesor? pordhaceri poshteryese

  2. Epo kjo pune says:

    Pa BE me kompetenca si ShBA kot qahen pastaj pse nuk ndihmon, te gjithe mete per vete e bertasin per sovranitet e gati e kane kufirin por kur gjenden ngushte fajesojne BE

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje