Nga Enver Robelli
Sapo të imponohet një qeveri e re në Prishtinë, ka gjasa të fillojë “dialogu mes Kosovës dhe Serbisë”. SHBA-të do të thonë se është vendim i palëve (Kosovës dhe Serbisë) nëse duan prishjen e kufijve të Kosovës, domethënë që një pjesë e konsiderueshme e veriut të Kosovës të bëhet pjesë e Republikës së Serbisë.
Pra, Kosova pritet të mos i ketë kufijtë e 17 shkurtit 2008. Kjo është kërkesa e Serbisë dhe sinjale në këtë drejtim kanë dhënë edhe politikanë të Kosovës të “krahut të luftës”. “Menjëherë do e mbështesja një zgjidhje të tillë” (një zyrtar i lartë i PDK-së në një bisedë konfidenciale me autorin e këtij teksti).
SHBA-të nuk duan të marrin përgjegjësi për prishjen e kufijve të një shteti në Ballkan. Përkundër raporteve të tensionuara me BE-në, megjithatë SHBA-të nuk duan t’u mbetet faji për ndonjë eskalim në Ballkan dhe – rrjedhimisht – destabilizim të Europës.
Andaj do të thonë: “Nuk është punë e jona kjo, por nëse palët duan…”. Këtë e ka thënë që në gusht të vitit 2018 edhe John Boltoni, këshilltari i atëhershëm për siguri nacionale i presidentit Donald Trump. Bolton është larguar për shkak se deshi ta fusë Amerikën në luftë kundër Iranit, por ideja e tij për prishjen e kufijve të Kosovës nuk është fundosur. Vazhdon të jetë aktuale.
Nga prapaskena diplomatët e SHBA-ve nuk do të pengojnë ndarjen apo prishjen e kufijve të Kosovës. Përkundrazi: do t’u ndihmojnë palëve (presidentit të Serbisë dhe kolegut të tij kosovar, të cilët kanë raport mirëbesimi nga takimet e shumta) që rruga për kalimin e “marrëveshjes” të jetë sa më e lehtë.
Pra, do të ketë përkrahje që formulimi i marrëveshjes të jetë “i pranueshëm për të dy palët”. Njëra ndër metodat e ndyra do të jetë etiketimi i kundërshtarëve të marrëveshjes si “antiamerikanë”.
Këtë punë do ta kryejnë kryesisht mediat e afërta me forcat politike që përkrahin marrëveshjen.
Tashmë është bërë e qartë se kushdo që e kundërshton këtë “marrëveshje”, do ta ketë të vështirë të mbijetojë në qeveri në Kosovë.
Brenda pak muajve ky presion i paprecedent nga Washingtoni ka ndikuar të bien dy qeveri të Kosovës. Ky është fakt. Dhe sinjal i keq se sa janë të (pa)vlefshme zgjedhjet demokratike në Kosovë.
Kuptohet, formalisht qeverinë e kanë rrëzuar me mocion deputetët, por presioni duket se ka qenë tepër i madh nga Washingtoni (konkretisht ambasadori Richard Grenell). Këto janë fjalët e një zyrtari të LDK-së: “Jemi mbështetur për muri”.
Derisa në të kaluarën ka pasur ish-komandantë të UÇK-së që janë rebeluar, tani të gjithë janë në një anije. Të gjithë janë të interesuar të shpëtojnë veten nga Gjykata Speciale. Ajo u rri mbi kokë si një re e zezë.
Të gjithë prej vitesh kanë krijuar pasuri marramendëse dhe interesi i tyre primar është të ruajnë këtë pasuri edhe në të ardhmen.
Andaj ata do të shtrijnë dorën edhe për një marrëveshje të keqe. Kundërshtimet që i kanë bërë ndaj kërkesave të SHBA-ve në të kaluarën kanë qenë edhe investim në rritjen e pazarit për interesa personale. Tashmë ka rënë edhe niveli i kritikave ndaj kryeministrit të Shqipërisë, i cili ishte quajtur shitës i territorit të Kosovës.
Qeveria aktuale e Tiranës do të përkrahë çdo marrëveshje që arrin klasa sunduese në Prishtinë, e ka përkrahur edhe më herët. Sepse të tre sundimtarët (në Beograd, Prishtinë, Tiranë) kanë interes të qëndrojnë në pushtet dhe të ruajnë privilegjet që kanë krijuar. Po ra njëri, rrezikohet tjetri.
Andaj edhe alarmi ka qenë aq i madh në shumë pjesë të Ballkanit kur më 6 tetor 2019 Kosova dha sinjal se do heq qafe sistemin e patronazhit, klientelizmit dhe korrupsionit. Me rrëzimin e qeverisë në Prishtinë, tani për tani rreziku i lëvizjeve tektonike politike në vende të tjera të Ballkanit ka kaluar.
Për të shtuar presionin që “marrëveshja me Serbinë” të kalojë sa më shpejt, SHBA-të kanë ulur intensitetin e lobimit për njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera. Edhe kërcënimi se do të tërhiqen trupat ushtarake amerikane është përdorur si “instrument torture”. Dhe ekziston rreziku se do të përdoret edhe në të ardhmen.
Ka gjasa që tërheqja e trupave të ndodhë pas kalimit të marrëveshjes, ndonëse në këtë çështje nuk janë të një mendimi Pentagoni (kundër) dhe Shtëpia e Bardhë (për).
Qeverisja e keqe sidomos nga shpallja e pavarësisë ka ndikuar që në botën perëndimore të bie dukshëm entuziazmi për të përkrahur Kosovën dhe shtetësinë e saj.
Nuk kontestohet shtetësia, por Kosova gjithnjë e më shumë shihet si territor i pavarur (jo si shtet), që nuk është e aftë të qeverisë veten, aq më pak të ushtrojë sovranitet në gjithë vendin.
Çështja është se cili do të jetë roli i Bashkimit Europian në këtë proces. Zyra e presidentit të Kosovës ka bërë me dije se nuk do të bashkëpunojë me emisarin e ri të BE-së për Kosovën dhe Serbinë, sllovakun Mirosllav Lajçak, i cili ka një përvojë të gjatë pune në Ballkan (ambasador në Beograd, përfaqësues i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë), rrjedhimisht Lajçak e di se ndryshimi i kufijve në Ballkan mund të ketë pasoja.
Andaj ai përkrahet me shumë zell nga Gjermania, por ka shtete të tjera europiane të cilat nuk janë aq të zëshme kundër ndryshimit të kufijve. Pa një rol të BE-së në proces marrëveshja vështirë se do të jetë e qëndrueshme.
Iluzione nuk duhet të ketë askush. Gjërat kanë ecur larg edhe për shkak të indiferencës së shoqërisë kosovare. Kur më 2018 është paralajmëruar se mund të ketë edhe amnisti të krimeve serbe, nuk ka pasur aq rezistencë në opinionin publik të Kosovës.
Lansimi i kësaj ideje këto ditë është testim i opinionit. Gjithsesi, marrëveshje të mirë nuk sjellin politikanët e këqij dhe të shantazhueshëm.
Nëse marrëveshja nuk kalon në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe nëse marrëveshja nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, ajo do të jetë vetëm një provizorium, një “zgjidhje e përkohshme” dhe e pazbatueshme.
Megjithatë, ish-komandantët dhe një grup i politikanëve joparimorë në LDK do të përpiqen ta prezantojnë marrëveshjen si sukses (“kaq ishte e mundshme”) dhe të mbajnë pushtetin, me çdo kusht. Përpjekja e radhës për të betonuar pushtetin pa zgjedhje do të jetë në fillim të vitit të ardhshëm kur duhet të zgjidhet një president i ri.
Ky që është tani ka thënë se nuk dëshiron të jenë më kandidat. Por më parë ka thënë se do të jetë. Ai është konsekuent në jokonsistencën e tij.
Procesi mund të ngadalësohet nëse presidenti serb nuk tregon gatishmëri për biseda para se të mbahen zgjedhjet në Serbi. E kur mbahen zgjedhjet në Serbi, varet nga pandemia. Por presioni amerikan do të rritet për të fiksuar një diçka si marrëveshje para zgjedhjeve në SHBA në fillim të nëntorit. Qoftë edhe në formë të një letre ku shprehet vullneti i mirë – shoqëruar me fotografinë e dy presidentëve nga Ballkani. Humbja në zgjedhje e presidentit të tanishëm amerikan mund të stopojë procesin.
Pragrafi i 8-të është më ralisti dhe në fakt mallkimi i Kosovës.
Robelli : pamversisht se artikujt e tu jane shume te mire dicka me beri pershtypje ne kete te fundit:-Perse dreqin e ngatrroni kryeministrin e Shqiperise ne punet e ndarjes se kufijve te KOSOVES ME SERBINE.Ska se si te merret ai me keto pune.
Paragrafi i 7-te eshte guri i varrit i shtetit te tanishem te Kosoves
Robell, perendimi e beri te veten kur u fut ne lufte dhe e shkeputi kosoven nga serbia. Ka 20 vjet qe con trupa e paguan leke per paqen ne kosove. Kurse ju nuk beni fot partnerin, po merreni me sherre. Sa duhet tju durojne, cfare kerkoni te beni dhe si do e arrini? Apo do ua lini sherrin femijve? Percaktimi i nje vije te re kufitare nuk eshte fundi botes. Do jepni e do merrni. Pra do shkembeni.
Situata eshte sigurisht shume e komplikuar dhe nje zgjidhje normale e marredhenieve Kosove-Serbi duket, per arsye nga me te ndryshmet, thuajse e pamundur. Per Kritika apo Mangesi ne formesimin e shtetesise se Kosoves mund te shkruhet e flitet shume, problemi eshte se askush nuk ofron rruge e mundesi se si mund te gjendet zgjidhja?! Askush nuk flet se si mund te kapercehet veshtiresia, qe krijon Kushtetuta e Kosoves per funksionalizimin e kesaj te fundit?! Askush nuk tregon se si mund te shmanget klasa Politike e korruptuar dhe se a lidhet vertet zgjidhja e marredhenieve Kosove – Serbi me eleminimin e ketij elementi?! Askush nuk flet per seriozitetin e elites se re, per papjekurine e saj politike dhe rrjedhimisht per pjesen e saj pergjegjesine per situaten aktuale?! Mendohet vertet se nje klasse e re politike mund te ofroje e realizoje nje zgjidhje te drejte te kesaj çeshtjen?!
Marrëveshja historike me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë,kanë kaluar njëzet vite dhe kjo çështje duhet të mbyllet.Është interes i të dy popujve që ky kontest historik të mbyllet dhe të filloj një faqe e re historike në këto relacione të ngarkuara me luftë e gjakderdhje.Shqiptarët dhe Serbët janë popuj që për shumë arsye nuk munden që kontestin mes veti ta e mbyllin vetë, kështu që për ta e mbyll kontestin i duhet ndihma e ndërmjetësuesve.Edhe njëzet vite tjera mundë të kalojn dhe shqiptarët e serbët të vetëm nuk do të munden me e zgjidh problemin e raporteve të tyre pa ndërmjetësim amerikano-europian.Kur them nuk munden vet ta e zgjidhin kontestin , kam parasysh një mori faktorësh por në mesin e tyre do shquaj dy më të rëndësishëm që mendoj se janë,dhe ata janë disbalansi ushtarak dhe ekonomik që është në mes Kosovës dhe Serbisë.Ne për këto njëzet vite nuk kemi qenë në gjendje të krijojmë një ushtri e cila do të ishte faktor që do të i balansonte ekuilibrat dhe ambiciet,për më tepër ne posa e kemi formuar ushtrinë,dhe poashtu nuk kemi mundur të ngrisim një ekonomi që do e rritëte ushtrinë në nivele të mjaftueshme për nevoja të mbrojtjes se vendit.Ne sot territorin e shtetit të shpallur nuk e mbrojm vet ndërkohë që Serbia e ka forcuar ushtrinë akoma më shumë,ne sot kemi një ekonomi që varet nga remitancat ndërkohë që Serbia është drejt ringritjes së ekonomis.Këta faktorë shumë të disbalancuar dhe një numër i madh faktorësh tjerë që janë në mes e bëjnë shumë të vështirë që shqiptarët dhe serbët të e zgjidhin kontestin historik pa ndihmën e ndërmjetësuesve.Involvimi i ndërmjetësuesve amerikanë dhe europianë është jo vetëm i mirëseardhur por edhe domosdoshëm sidomos kur kihet parasysh nevojat dhe qëllimet që i kanë Kosova dhe Serbia në raport me Ameriken dhe Europën.Interesat dhe qëllimet e Kosovës dhe Serbisë ndaj integrimeve euroatlantike ja shton peshën e ndikimit këtyre ndërmjetësuesve për të rritur gjasat e arritjes së marëveshjes për njohje.Republika e Kosovës duhet të shkojë në dialogun e palajmëruar pa asnjë kompleks,pjesëmarrja në dialog është interes jetik i Kosovës,askush nuk mundë të detyroj me zor të pranosh diqka që është në kundërshtim me intresat e vendit,pjesëmarrja në dialog është një gjasë më shumë për të i zgidhur kontestet.
Ne kete rast duket qe puna eshte vetem ceshtje fati: te humbe zgjedhjet Trampi! Le te shpresojme qe virusi “korona” ia ka prish imazhin mjaftueshem presidentit Tramp!
vetem me kosovaret ndodh kjo , ti thuash tjetrit meri tokat e tua preshev bujanov dhi ti thua JO do te thote DHI E ZGJEBOSUR DHE BISHTIN PERPJET
Zgjidhja eshte se Kosova eshte toke shqiptare.Serbet po nuk deshen te rrine le te shkojne ne Serbi.Jane 100 vjet qe shfrytezuan nje territor qe nuk u perkiste.Ka akoma territore shqiptare qe i mban pushtuar dhe i vetmi bisedim dialog apo marreveshje eshte zgjidhja e problemit te territoreve ne Presheve Medvegje dhe Bujanovc.
Gazetar qinglash!!
Pse mor analist ti kujton se ka zgjidhje tjetër Kosova veç asaj që thotë USA!! Më shumë besim dhe mirnjohje duhet për Amerikën.
Çështja shqiptare aty e ka shpëtimin sikur dhe Shqipëria e pati atëhere kur munt të zhdukej nga harta politike e kontinentit.
Nëse lihet në dorë të Kurtit, që jo vetëm ka çelsat e kashtës por po e përçan faktorin shqiptar si asnjëherë në histori.
Kështu u duk dhe në Rambuje kur presioni amerikan për të firmosur marveshjen u keqkuptua dhe u mor si thikë pas shpine, ndërkohë që “patriotët” ishin kundër. Sot koha vërtetoi të drejtën sikur dhe nesër për këtë të fundit.
Nuk mund të jetë e përjetshme mbështetja amerikane në një kohë që në botë gëlojnë probleme të mëdha globale që këto tonat duken si teka fëmijësh.
Një konflikt i ngrirë në Kosovë është një bombë me veprim të vonuar që vetëm do të çojë në humbje të sigurtë të shqiptarëve në një kohë që po tronditet udhëheqja globale e USA-s dhe balanca po shkon në Azi.
Mjerë shqiptarët nëse ndodh kjo o tru shkulur e shpirt shitur!