Nga Gjon Ndreja
Aktualisht problemi i pandemisë së Covid-19 është tema e ditës dhe ka përfshirë gjithë kategoritë e njerëzve si politikanët, shkencëtarët ,mjekët, ekonomistët, sociologët ashtu si edhe gjithë njerëzit e thjeshtë, për shkak se kjo ka cënuar interesa të caktuara të të gjitha këtyre kategorive.
Në kushtet kur akoma nuk është zbuluar një mjekim efikas, gjithë vëmendja është përqendruar në marrjen e masave fizike, për të ndërprerë zinxhirin e përhapjes. Në këtë shkrim po përpiqemi të japim disa tregues krahasues midis vendeve, pa marrë përsipër të bëjmë interpretimin e tyre, pasi përderisa shkenca akoma nuk e ka thënë fjalën e vet, nuk mund të bëjmë konkluzione rreth diferencave që paraqiten midis vendeve, dhe sjelljes së virusit, pasi ato janë rrjedhojë e politikave dhe strategjive të ndryshme që kanë ndjekur ato, ashtu si edhe e faktorëve të tjerë si dendësia e popullsisë,sëmundshmëria kronike, mosha mesatare e popullsisë etj.
Referuar të dhënave të “Worldmeter” rezulton se situata e aktivitetit të këtij virusi është shumë e ndryshme në vende të ndryshme të botës. Grafiku i mëposhtëm tregon se struktura e kësaj pandemie në raport me numrin e vdekjeve, të shëruarit dhe personat që janë aktivë është si më poshtë:
Siç shikohet nga të dhënat e grafikut bashkëngjitur rezulton se aktiviteti i virusit është akoma shumë prezent në shumë vende të botës dhe personat e prekur janë akoma aktivë, si në Britaninë e Madhe 84 përqind, në Serbi 83 përqind në USA 80 përqind. Ndërsa aktiviteti i këtij virusi ka rënë në mënyrë të ndjeshme në Gjermani ku vetëm 20 përqind e të prekurve janë akoma aktivë, po ashtu në nivele të ulëta rezulton të jenë edhe Spanja Mali i Zi dhe Shqipëria me respektivisht; 32, 34 dhe 35 përqind.
Ajo që të bie në sy është fakti se edhe midis vendeve të zhvilluara ka një diferencë të konsiderueshme të personave aktivë. Kështu SHBA ka akoma 80 përqind të personave aktivë, Greqia 73 përqind, Britania e Madhe 84 përqind, ndërkohë që Gjermania ka vetëm rreth 20 përqind ndërsa Spanja rreth 32 përqind dhe Shqipëria 36 pwrqind.
Një tregues tjetër i rëndësishëm që lidhet me mundësinë e parandalimit dhe të identifikimit të sëmundshmërisë janë edhe testimet e kryera. Referuar burimit të mësipërm të të dhënave, rezulton se këtu diferencat midis vendeve janë me herë dhe çuditërisht nuk janë në harmoni me numrin e të prekurve
Sipas të dhënave të këtij grafiku rezulton se, numrin më të madh të testeve e ka Italia me 31.603 teste për një milion banorë dhe Spanja me 31.126 teste, e ndjekur nga Gjermania me 30.400 teste për një milion banorë. Ndërkohë Shqipëria ka kryer vetëm 2,868 teste për një milion banorë ose rreth 11 herë më pak se Italia dhe Spanja dhe Gjermania. Ndërkohë një numër të ulët testesh në krahasim Italinë dhe Spanjën kanë kryer edhe Franca rreth katër herë më pak se këto vende.
Në kushtet kur vdekshmërinë mund ta konsiderojmë një madhësi konstante në raport me testet , atëherë një numër i madh testesh do te kishte sjelle një përqindje vdekshmërie më të vogël. Por me sa duket kjo nuk ka ndodhur dhe pavarësisht nga numri i testimeve, rezultatet e vdekshmërisë nuk paraqesin lidhje me këtë tregues. Numri i lartë i testimeve përveç strategjive të epidemiologëve për investigimin e rasteve mund të jetë edhe rrjedhojë e intensitetit të përhapjes në fillim të pandemisë dhe i masave të ngadalta të fillimit, veçanërisht kjo e dukshme në Itali dhe Spanjë. Por me sa duket pavarësisht nga numri i testimeve rezultatet e vdekshmërisë nuk paraqesin lidhje me këtë tregues.
Kështu pavarësisht nga numri i lartë i testimeve të zhvilluara, rezulton se numrin më të lartë të vdekshmërisë e kundrejt testeve e kanë respektivisht Britania e Madhe me 15.8 përqind, Franca 14.47 përqind Italia dhe Spanja respektivisht 13.6 dhe 10.4 përqind. Vdekshmëria e lartë mund të jetë rezultat edhe i faktit se zbulimi i rasteve nuk ka qenë i efektshëm. Megjithatë një konkluzion më të qartë mund të nxirret vetëm kur ky proces të ketë përfunduar tërësisht. Serbia p.sh. ka numrin më të ulët të vdekshmërisë kundrejt rasteve por ka edhe një përqindje të lartë të personave aktivë, ku 83 përqind e të prekurve akoma nuk janë shëruar dhe 10 përqind e tyre janë në gjendje kritike për jetën.
Ndërkohë në se i referohemi treguesit të vdekshmërisë për një milion banorë e cila tregon më saktë nivelin e mortalitetit rezulton se pavarësisht nga testet e kryera si më sipër, Spanja ka 525 jetë të humbura për milion banorë ndërsa Italia 458, Franca 369 dhe Mali i Zi dhe Shqipëria respektivisht 7 dhe 11 jetë të humbura për një milion banorë. Pra çuditërisht vdekshmëria është në invers me testimet e zhvilluara.Kështu Shqipëria ka 47 herë me pak humbje jetësh se Spanja dhe 41 herë më pak se Italia
Një tregues tjetër që lidhet me ecurinë e virusit është edhe niveli i të shëruarave kundrejt rasteve të zbuluara. Edhe këtu shifrat janë interesante. Kështu rezulton të jenë shëruar në Gjermani 76 përqind e rasteve, në Mal të Zi 64 dhe në Shqipëri 61 përqind e rasteve të zbuluara. Përqindjen më të vogël të të shëruarve e ka USA me 14 përqind, Serbia me 15 përqind dhe Franca me 29 përqind.
Në grafikun e ngjitur po paraqesim në detaje disa të dhëna që lidhen me vendin tonë. Ashtu siç e paraqitëm edhe në grafikun e përgjithshëm në fillim të shkrimit, struktura e sëmundshmërisë paraqitet në grafikun përkatës.
Siç shihet nga të dhënat e grafikut janë akoma aktivë 35 përqind e rasteve, ndërkohë që janë shëruar 61 përqind dhe kanë humbur jetën 4 përqind. Nga të dhënat e përditësuara sipas komunikatave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë rezulton se numri i rasteve është në ulje. Grafiku i mëposhtëm tregon se me datat 4 dhe 26 Prill janë verifikuar respektivisht 26 dhe 34 raste ndërkohë që numri më i ulët ka qenë me 7 dhe me 30 Prill, respektivisht me 6 dhe 7 raste. Por ajo që tërheq vëmendjen është fakti se numri i rasteve ka pësuar oshilacione të mëdha nga dita në ditë në varësi të faktorëve që e stimulojnë atë.
Ndërkohë shpërndarja e virusit sipas rretheve paraqitet në grafikun e mëposhtëm. Të dhënat e grafikut tregojnë se shpërndarja nëpër rreth ka ndjekur kryesisht popullsinë.
Kështu gjithsej raste të zbuluara me covid-19 janë 773 raste, ndërsa Tirana ka 320 prej tyre ose 41 përqind të rasteve, e ndjekur nga Shkodra dhe Kruja me nga 14 përqind, Durrësi dhe Fieri me nga 5 % dhe Kurbini me 4 % të totalit etj. Ajo që të tërheq vëmendjen është numri relativisht i lartë i të infektuarave në Krujë dhe Kurbin në raport me numrin e popullsisë e cila është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e masave të dobëta të marra nga ndërmarrjet që kanë punësuar punonjës dhe veçanërisht fasoneritë.
Paraqitja e të dhënave si më sipër k për qëllim informimin e thjeshtë pa pretenduar konkluzione pasi ashtu siç e thamë edhe më sipër një konkluzion i saktë mund të nxirret kur të mësohen sjelljet e virusit dhe kur i gjithë procesi të ketë përfunduar dmth kur virusi të jetë zhdukur.