Nga Eduard Zaloshnja
Ministria e Shëndetësisë raportoi sot se gjatë ditës së djeshme u konfirmuan 7 raste të reja me COVID-19. I njëjti numër rastesh ishte regjistruar edhe 20 ditë më parë, në 9 prill, kur dukej se kurba ditore e rasteve me COVID-19 po shkonte drejt zeros. Atëherë zbritja kishte ndodhur pasi ishte arritur rekordi i prej 29 rastesh më 3 prill, ndërsa tani zbritja shënohet, pasi u arrit rekordi tjetër prej 34 rastesh më 24 prill.
Siç demonstrojnë grafikët shoqërues, COVID-19 ka shkaktuar dy dallgë të vogla deri më sot tek ne, Bëhet fjalë për dallgët e konfirmuara zyrtarisht, sepse fakti që në Itali është gjetur se pandemia ka mbërritur atje qysh në janar (e jo në shkurt, kur u konfirmua zyrtarisht), shërben si indicie që edhe në Shqipëri mund të kemi patur një dallgë paraprake, të paregjistruar zyrtarisht.
Sidoqoftë, dallgët e COVID-19 (si ato të konfirmuara edhe ajo e pakonfirmuar) nuk e kanë vënë në vështirësi sistemin tonë të varfër shëndetsor, sepse rekordi ditor i të sëmurëve në gjendje të rëndë apo serioze ka qenë 11 deri më sot. Që përkthehet në pothuaj 3 për milion banorë. Përveç Bosnjës, asnjë vend Europian nuk ka patur rekord më të ulët se ky në statistikën më domethënëse për sistemet shëndetësore – numrin e pacientëve që kanë nevojë për respirator/intubim.
Nga pikepamja epidemiologjike, dallga e parë e infeksionit ishte e shtrirë në territor – u regjistruan raste në të 14 njësitë administrative urbane të Tiranës, si dhe të qyteteve kryesore të Shqipërisë. Dhe pikërisht kur kurba e rasteve ditore dukej se po shkonte drejt zeros (R2=0.75), u hapën papritmas dy vatra të mëdha në dy lagje të Shkodrës dhe një në trekëndëshin Krujë-Fushë Krujë-Laç, me qendër një fasoneri me 300 punonjës. Kjo bëri që numri i rasteve ditore të kapte shifrën 34 para një jave. Me pak fjalë, dallga e dytë ishte më e lartë se e para, por më e ngushtë nga pikpamja e shpërndarjes territoriale.
Me hapjen e shumë bizneseve dhe me rritjen e numrit të njerzve që dalin nga shtëpia, kuptohet që rritet ndjeshëm probabiliteti i transmetimit të koronavirusit, i cili ende endet mes nesh. Kështu që është e pritshme edhe një dallgë e tretë në javët në vijim, që do të jetë e shtrirë në territor, si e para, dhe ndoshta më e lartë se e dyta.
Sidoqoftë, le të shpresojmë se shumica dërrmuese e shqiptarëve janë ndërgjegjësuar për faktin që sakrifica e bërë në 6 javët e kaluara në karantinë mund të hidhet në kosh të plehrave nga një pakujdesi e vogël, në dyqanet ku shkojnë apo në stolat ku ulen. Përndryshe, respiratorët e spitaleve tona nuk do të mjaftojnë për pacientët që do të kenë nevojë për ta.
Kujdes Zaleshnja!
Jo per gje por nuk ka kaluar shume nga koha kur parashikove se Shqiperia do te arrije kuoten zero me date 15 prill.
https://liberale.al/zaloshnja-kur-do-ta-arrijme-kuoten-zero-ne-shqiperi/?fbclid=IwAR2J0arq7zG3x9YEH2pdTp11AG9hB09kfnxNpSjpY0FUiHeI1U5A3IBptuE
ZALOSHNJA ESHTE IDIOT, po nga ata idiotet me numra e grafike ama…