25 prill 2012 është një datë, që José Mourinho nuk do ta harrojë kurrë. Luzitani, atëherë ishte trajner i Real Madridit dhe skuadra e tij u eliminua në gjysmëfinalen e Champions-it nga Bayern Munich. Pasi humbën ndeshjen e parë 2-1, merenguesit arritën ta vendosnin situatën në barazpeshë, brenda mureve të “Bernabeu”, por iu desh të dorëzoheshin në “ruletën” e penalltive për shkak të gabimeve të Cristiano Ronaldo, Kaka dhe Sergio Ramos.
Mourinho, në një intervistë për “Marca”, pranoi se ajo ishte humbja e vetme në karrierën e tij si trajner, që e përloti, e bëri të qajë vërtet: “Futbolli është për fat të keq edhe i tillë. Cristiano, Kakà dhe Sergio Ramos janë tre futbollistë autentikë, nuk ka dyshim për këtë, por janë gjithashtu qenie njerëzore. Kjo ishte hera e vetme në karrierën time që qava, pas një humbjeje”.
“Special One” zbuloi edhe një sfond tjetër të asaj mbrëmjeje: “Më kujtohet mirë që Karanka dhe unë ishim para shtëpisë time në makinë duke qarë. Ishte shumë e vështirë, sepse në atë sezon (2011-2012), ne vërtet ishim më të mirët”.