Idrizi: Vullneti politik ka bllokuar ligjin e sportit, nëse nuk miratohet do largohem

6 Maj 2020, 16:58Sport TEMA

Administratori i klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi ishte i ftuar në emisionin ‘FanZone” në Supersport, ku foli për situatën e krijuar nga pandemia Covid-19, por edhe të ardhmen në klubin vlonjat, që e lidhi ngushtë me ligjin e sportit.

A duhet luajtur futboll në këto kushte?
Jo, në këto kushte jo. Unë jam për ndërprerjen e kampionatit dhe për rrëzimin e skuadrave që janë të fundit e shpalljen kampion të skuadrës që kryeson. Pra të jepen verdiktet sipas renditjes aktuale.

E thoni këtë ngaqë Flamurtari nuk ka asgjë për të luajtur?
Flamurtari është në vend të fundit dhe jam dakord që mbijetesa do të jetë e vështirë nëse luhet, por nuk e them për këtë arsye.

Njerëzit dalin në rrugë dhe ecin normalisht. Kaq e vështirë është të luhet futboll?
Unë e shoh në një plan tjetër, pasi në rast të infektimit me Covid-19, duhet të mbajë dikush përgjegjësi, në rastin konkret administratori.

Keni pasur marrëdhënie relativisht të çuditshme me FSHF-në…
Unë vazhdimisht kam ndryshuar qëndrim, në varësi të rasteve, por nuk ndryshoj asnjëherë mendim.

A do të vijoni të mbani ekipin edhe vitin e ardhshëm në Kategorinë e Parë? Nëse po, cili është projekti?
Që të jemi korrektë, dështimin për rënien e Flamurtarit një kategori më poshtë e marr vetë për sipër. Përgjegjësia është e imja për këtë. Vazhdimësia ime në administrimin e klubit, lidhet me ligjin e sportit. Nëse ky ligj miratohet, unë vazhdoj, në të kundërt nuk kontribuoj më në sport, ose maksimumi do të financoj nga jashtë, deri në rikthimin e klubit në Superiore.

Pse e nisët investimin te Flamurtari gati 6 vite më parë?
Unë në atë kohë iu përgjigja thirrjes së trajnerit Ernest Gjoka dhe kryebashkiakut Gjika, të cilët kishin një plan, ndaj që atëherë skuadra më mbeti mua.

Pas kaq vitesh, nuk dukeni më optimist, çfarë ju ka zhgënjyer më tepër?
Prej 6 vitesh këtu nuk ka një vendim, nëse klubi do të privatizohet apo do të jetë publik. Nuk mund të jetë njëkohësisht edhe pronë publike, edhe private.

Mos ndoshta çështja e ligjit të sportit është një mënyrë për t’u shkëputur me lezet, pasi ky ligj vështirë se do të miratohet tani afër?
Nuk kam arsye të shkëputem me lezet, pasi mund të shkëputem direkt nëse e shoh të arsyeshme, sepse nuk i kam asnjë borxh askujt në këtë klub. Kam investuar sa kam mundur, por nuk i kam askujt borxh.

Sa keni shpenzuar gjatë kësaj periudhe? Pse mendoni se nuk e keni gjetur formulën e suksesit?
Nuk ka mundësi të gjesh formulë suksesi, kur ti investon 100% të shumës në një kompani ku ke zero përqind të aksioneve. Nuk më kujtohet shifra sa kam shpenzuar gjatë këtyre viteve.

Besoni se keni gabuar në menaxhimin sportiv?
Nuk mund të flasësh për menaxhim, pasi ne jemi një klub pa bilance. Unë kam kërkuar që të rregullohen rregullat e lojës dhe të provoj më pas veten time, jam apo jo i aftë për të drejtuar një skuadër futbolli.

Jeni shumë pranë kryeministrit Rama. Çfarë opinioni ka ai për këtë çështje dhe pse nuk po e bindni që të miratojë ligjin?
Dje ishte Rama në Vlorë dhe ia bëra të qartë që nuk ka nevojë të ndërtojë stadiume, por thjesht të miratojë ligjin e sporteve, pasi ky është hapi i parë për të thithur investitorë. Askujt nuk i ka interesuar të bëjë një ligj sporti, pasi deri tani të gjithë kanë abuzuar dhe vjedhur fondet, nëpërmjet menaxhimit të fondeve për klubet. Për ligjin ka munguar vullneti politik, por Rama më ka garantuar se tani është gati dhe do miratohet shumë shpejt. Ndryshe nga Kosova, në Shqipëri kjo është çështje vullneti, pasi bashkitë në këtë mënyrë nuk ia japin futbollin biznesit dhe e përdorin për ta zhvatur dhe për të majmur anëtarët politikë. Mjafton të shihje zgjedhjet për kreun e FSHF-së, ku 70% e njerëzve ishin përfaqësues të bashkive, ndërkohë që investimin e bëjmë ne privatët.

Si janë marrëdhëniet tuaja me zotin Duka?
Kemi pasur konfrontime të ndryshme, në aspekte të ndryshme, por i kemi sqaruar dhe kaq.

Për çfarë mendoni se do të mbaheni mend, për njeriun që nuk menaxhoi mirë Flamurtarin, apo atë që kërkoi të bëjë revolucion në sporte?
Unë jam ky që jam dhe nuk di të them për çfarë do të mbahem mend.

A mund të rimëkëmbet Flamurtari sërish, pasi dihet që ka borxhe të shumta?
Unë kam shlyer borxhe të të tjerëve dhe kështu që nuk kam për të lënë asnjë borxh mbi Flamurtarin. Unë i kam bërë thirrje mikut tim Shpëtim Gjika, që të shkojë të paguajë detyrimet e vitit 2012, për të cilat janë bllokuar llogaritë e klubit dhe më pas unë shlyej menjëherë detyrimet e mia.

3 komente në “Idrizi: Vullneti politik ka bllokuar ligjin e sportit, nëse nuk miratohet do largohem”

  1. Hamdiu says:

    shko e shit ndonj kile te kuqe turqie se gje tjeter sdi te besh evgjit i ceme. turp dhe per ramen qe te mban shok. ka ky vend polici e sherbime sekrete ti thon ketij rame se cili eshte ky idrizi.

  2. Taipi says:

    Ky qe sdi sa ka harxhuar ka thene njhere 12miljon euro Kush do qe ta mari flamurtarin duhet ti kethej ketije parat Meqe se jepe njeri kete shume si e katandisi ky flamurtarin Ky bene sikur do largohet Po ne fakte ky me privatizim te flamurtarit quan privarizimin e stadiumit pallatit te sportit pishines Qe ti beje si Malltezi akseset e Partizanit Keshtu donte dhe 30%te aeroportit te VLORES pa hedhur asnje leke Ka lexuar edhe ky historin e Berluskonit pavarsishte se ka shitur lekure

  3. Mandravellua says:

    Germoni pak burimin e parave te ktij djalkes. Kush e di ku fle lepuri. Babai i tj ne Vlore del kerkon cigare rrugeve…
    Ky e mori Flamurtarin, simbol te pavaresise se kombit nga Turqia dhe po e shkatrron me qellim.
    Turqit qe e mbeshtesin nuk duan flamur shqiptar, nuk duan Flamurtar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje