“Kina të bëhet gati për luftë me SHBA”: Dosja sekrete në tavolinën e Xi Jinping

6 Maj 2020, 11:28Bota TEMA

Pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit, Kina mund të përballet me një valë “armiqësie” në përfundim të pandemisë që mund të kulmoje në “një përballje të armatosur” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të paktën kështu thuhet në një raport të brendshëm nga Sigurimi i Shtetit në Kinë, i përgatitur nga Instituti Kinez për Marrëdhënie Ndërkombëtare Bashkëkohore, detajet e të cilit u publikuan nga agjencia Reuters.

Ai thekson ofensiva ndaj Pekinit kërcënon që të komprometojë marrëdhëniet me SHBA-të ndërsa sugjeron se qeveria kineze duhet të përgatitet për skenarin më të keq në të cilin përfshihet edhe mundësia e një përplasjeje ushtarake mes dy fuqive globale.

Në raport thuhet gjithashtu se kriza mes dy vendeve mund të jetë e krahasueshme me reagimin e botës në ngjarjet e dhunshme të vitit 1989 në sheshin Tiananmen.

Kina po vihet në shënjestër të Perëndimit pasi akuzohet se ka reaguar vonë apo edhe ka fshehur nisjen e pandemisë së koronavirusit.

Administrata Trump po formulon një plan afatgjatë për të ndëshkuar Kinën në fronte të shumta për pandeminë, duke i çuar marrëdhnëniet mes dy vendeve në pikën më të ulët.

Burime të shumta brenda administratës thonë se presidenti Trump po konsideron sanksionet, anulimin e borxhit të SHBA-së dhe hartimin e politikave të reja tregtare, për të izoluar Kinën.

Të dielën, sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo akuzoi Kinën se bëri përpjekje për të fshehur shtrirjen e përhapjes së koronavirusit, duke përfshirë edhe fshehjen e ashpërsisë së epidemisë dhe grumbullimin  e furnizime mjekësore.

“Ju keni parë faktet,” tha Pompeo. “Ne mund të konfirmojmë se Partia Komuniste Kineze bëri gjithçka mundet për t’u siguruar që bota mos ta mësonte në kohën e duhur atë që po ndodhte.”

Zyrtarët e administratës Trump kanë bërë presion ndaj komunitetit të inteligjencës amerikane për të përcaktuar origjinën e saktë të shpërthimit të koronavirusit, në ndjekje të një teorie se pandemia filloi për shkak të një aksidenti laboratorik në Kinë.

Presidenti të enjten kundërshtoi komunitetin e inteligjencës dhe pretendoi se kishte parë prova që e bënin të besonin se Covid-19 e kishte origjinën në një laborator në Wuhan.

“Ne kemi thënë që nga fillimi se ky ishte një virus që e kishte origjinën në Wuhan. Mendoj se ka ardhur koha që e gjithë bota ta shohë të vërtetën, “tha Pompeo.

Pompeo shtoi se Kina “u soll si regjimet autoritare, duke u përpjekur të fshihte shpërthimin dhe se përdori Organizatën Botërore të Shëndetit si një mjet për të bërë të njëjtën gjë.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje