Bota ka nevojë për një rol më të fortë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në koordinimin dhe udhëheqjen e luftës globale kundër COVID-19, duke pasur parasysh sfidën e madhe të paraqitur nga pandemia dhe kërcënimin që ajo shfaq për strukturën e bashkëpunimit ndërkombëtar, sipas drejtorit të përgjithshëm të kësaj organizate.
“COVID-19 ka grabitur nga ne njerëz që i duam. Ai na ka rrëmbyer jetën dhe jetesën. Ka tundur themelet e botës sonë.
Kërcënon të dëmtojë rëndë strukturën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Por është ajo që gjithashtu na ka kujtuar se pavarësisht dallimeve tona, ne jemi një racë njerëzore. Dhe ne jemi më të fortë së bashku”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Tedros theksoi se situata po dëmton edhe studimet dhe mjekimet për sëmundje të tjera si SIDA, malaria, tuberkulozi.
Ai përshëndeti një rezolutë të Bashkimit Evropian, të miratuar me konsensus nga 194 vendet anëtare të OBSH-së, që bën thirrje për një vlerësim të pavarur të përgjigjes ndërkombëtare.
Ndërkohë që kryeministri i Italisë Giussepe Conte, një prej vendeve më të goditura nga Kriza, tha se bota duhet të reagojë tanimë me optimizëm të kujdesshëm dhe bëri thirrje që tani e tutje shëndeti global të jetë përparësi e përbashkët.