Nga Roland Qafoku
Ata që kanë lindur në vitet ‘60-‘70 mund të quhen brezi i përjetimeve më të çuditshme në historinë e Shqipërisë moderne. Një brez që ka kaluar në vetëm gjysmë shekulli ato që breza të tërë i kanë përjetuar për disa shekuj me radhë, aq sa duket sikur Zoti e ka vënë në sprova aq të forta, sa nuk krahasohet me askënd tjetër. Një brez që ka parë, dëgjuar dhe përjetuar në afro pesë dekada ngjarje, histori të mira dhe të këqija, e deri fenomene apokaliptike, që gati nuk i rrok as imagjinata më e shfrenuar.
Në fakt, mendohej se brezi i etiketuar i fateve të mëdha ishin ata shqiptarë që kishin përjetuar Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Quheshin me fat të keq se jeta e tyre kishte kaluar në mes të dy luftërave më të mëdha të rruzullit me pasoja katastrofike, e para 20 milionë të vrarë dhe e dyta 50 milionë të vrarë, por edhe një botë të shkatërruar nga përdorimi i armëve luftarake.
Një brez dhe dy luftëra që përveç se e kthyen vendin tonë në shesh beteje, vunë në pikëpyetje edhe vetë ekzistencën e kombit, të popullit dhe të shtetit shqiptar. Por, me atë që ka ndodhur në 50 vitet e fundit në Shqipëri, në fakt nuk rezulton kështu. Brezi ynë, pra ne të lindurit e viteve ‘60-’70 rezultojmë të jemi nga nga më të çuditshmit e të çudishmëve për nga ato që kemi përjetuar dhe ato që kemi kaluar. Ia nisim me radhë:
Kemi lindur në vitet ’60-’70 dhe kur u rritëm mësuan se në vitin 1967 në Shqipëri u prishën kishat dhe xhamitë, u ndalua besimi fetar duke u bërë zyrtarisht shteti i parë ateist në botë. Atëherë duhet të thoshim se më keq se kaq nuk mund të kishte. Por, duhet të shtonim: prit se ka më akoma! Në vitet ‘70 shteti shqiptar komunist ndërpreu marrëdhëniet me Kinën po komuniste dhe ky ishte fundi i një ndihme që do të sillte rrënimin total të ekonomisë.
Atëherë duhet të thoshim se më keq se kaq nuk mund të kishte më. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Më 15 prill 1979 brezi ynë përjetoi tërmetin apokaliptik në veri të vendit, nga i cili humbën jetën dhjetëra persona, u shkatërruan mijëra banesa dhe ngordhën pa fund kafshë të fermave blegtorale. Atëherë nisëm të thoshim se më keq se kaq nuk mund të kishte më. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma!
Brezi ynë përjetoi vitet ’80, ndoshta më të varfrat që mund të ketë kaluar kombi shqiptar, kur për të ushqyer popullin gjalpi vinte nga Gjermania Lindore, pula nga Hungaria dhe margarina e dalë nga nafta zëvendësoi bulmetin shqiptar që mungonte nga çmenduria e kolektivizimit dhe vendimit idiot që shqiptarëve u ndalohej të mbanin dele, dhi, e deri pula. Atëherë nisëm të thoshim se më keq se kaq nuk mund të kishte më. Por ishim gabuar: prit, se ka më akoma!
Brezi ynë kaloi vdekjen e dikatorit Enver Hoxha më 11 prill 1985. Sigurisht që shumë pak e kuptonin se çfarë kishte ikur nga kjo botë dhe se ai do të mbahej mend si diktatori më i egër në Lindjen Komuniste, por brezi ynë derdhi edhe lot për të dhe sot këtij brezi i vjen turp ta kujtojë këtë çmenduri ‘alla koeranoveriore’. Atë kohë duhet të thoshim se kishte edhe gjëra të mira në jetë. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma!
Brezi ynë përjetoi në dhjetor 1990 ngjarjen më të madhe, më të mirën dhe më të gëzuar në historinë moderne të kombit, atë të rrëzimit të komunizmit dhe zëvendësimin me një sistem demokratik që kulmoi me rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991.
Atëherë duhet të thoshim se kishte edhe gjëra të mira në jetë. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi valën më të madhe të emigracionit që pas periudhës së Skënderbeut. Rreth 1 milion shqiptarë u larguan nga vendi në periudhën 1990 – 1994, duke bërë që Shqipërisë t’i mungojë 1 e treta e banorëve të vet. Atëherë duhet të thoshim se kishte edhe gjëra të mira në jetë.
Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi kalimin nga në sistem komunist diktatorial në një sistem demokratik me shumë dhimbje. Brezi ynë është dëshmitar që qindra uzina, fabrika, kombinate, objekte e deri furra buke u shkatërruan bashkë me rrëzimin e një sistemi dhe ndërtimin e një tjetri dhe idenë e çekut të bardhë që e dëgjuam, e imagjinuam, por kurrë nuk e pamë.
U rritëm dhe thoshim të bindur se më keq se kaq nuk mund të ketë më. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi bërjen publike të të dhënave se në 46 vjet diktaturë komuniste 1 në 4 shqiptarë kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, armës së fshehtë politike të asaj diktature që jo vetëm u shkatërroi jetën 100 mijë shqiptarëve, por mbolli farën e ndyrë se duke spinuar shokun, komshinë, vëllanë, babain, motrën mund të ishte i preferuari i regjimit.
Por kjo shkatërroi vlerat e një shoqërie dhe tjetërsoi formatin social të shqiptarit nga e cila vuan edhe sot. Të gjithë thamë se më keq nuk mund të ketë më. Por, ishim gabuar: prit se ma më akoma! Brezi ynë përjetoi demokracinë lehonë që për pak sa nuk na çoi në diktaturë në vitet 1995 – 1997, aq sa nga goja e brezit tonë doli shprehja trishtuese “ishim më mirë, kur ishim më keq”. Të gjithë thamë se më keq nuk mund të ketë më. Por, ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi në mars të vitit 1997 atë që nuk nuk kishte ndodhur as në Shqipëri e as në të gjithë botën.
Shteti ra si një pirg rëre. U sulmuan dhe u grabitën depot dhe rezervat e shtetit, depot me armatimin e ushtrisë dhe çdo gjë u shkatërrua, gjithçka si reagim ndaj rënies së skemave piramidale. Të gjithë thamë më keq se kjo nuk mund të ketë më. Por, ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi vrasjen e ish-kryetarit të parë të PD-së, Azem Hajdari, dhe dy ditë më vonë kryengritjen e armatosur në Tiranë, kur turma njerëzish me armë e tanke sulmuan dhe i vunë zjarrin Kryeministrisë dhe të gjitha godinave të ministrive dhe institucioneve më të rëndësishme qeveriatre në qendër të kryeqytetit. Të gjithë thamë më keq se kjo nuk mund të ketë më.
Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi gjenocidin serb në Kosovë në janar-mars 1999, ku 1 milion kosovarë u shpërngulën më dhunë nga trojet, duke ardhur në Shqipëri. Ky cilësohet si gjenocidi më i madh në botë, pas atij të hebrenjve nga Hitleri në Luftën e Dytë Botërore. Të gjithë thamë më keq se kjo nuk mund të ketë më. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma!
Brezi ynë përjetoi ngjarjen më të madhe, më të mirë dhe më të gëzuar të kombit shqiptar, çlirimin e Kosovës nga sulmet e NATO-s në Serbi më 1999 dhe largimin e Serbisë nga toka kosovare. Por përjetuam edhe sulmet serbe në tokën tonë në veri të vendit. Të gjithë thamë më keq se kjo nuk mund të ketë më. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në një aleancë që në vitet kur kemi lindur e quanim armikun numër një në botë.
Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës më 1960, por më 1968 doli prej atij traktati dhe bashkë me NATO-n për Shqipërinë ishin dy aleanca armike. Thamë se kishte edhe gjëra të mira në jetë. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi dhe mori pjesë në luftën çlirimtare në Kosovë po në vitin 1999, që është epopeja më e lavdishme e kombit shqiptar dhe që u shkrua me gjakun e bijve më të mirë që ishin me qindra e deri mijëra që dhanë jetën. Thamë se kishte edhe gjëra të mira në jetë, por ishim gabuar: prit se ka më akoma!
Brezi ynë përjetoi dhe dy ngjarje po aq të mëdha për kombin, shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës, më 17 shkurt 2008 dhe përsëri thamë se për brezin tonë ndodhin edhe gjëra të mira në jetë. Ishte nga ato gëzime me të cilin ne shqiptarët nuk ishim mësuar kurrë. Brezi ynë jeton në vitet që jeton shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave të letërsisë shqipe, Ismail Kadare.
Aq e rëndësishme ishte kjo sa shumë persona shkruajnë ende se për ne do të shkruhet se jemi brezi që jetoi në epokën e Kadaresë, i vlerësuar si shkrimtari më i mirë në botë që është gjallë. Dhe kjo e mirë është si qershia në tortën e të mirave që i kanë ndodhur brezit tonë. Brezi ynë përjetoi tërmetin e shtatorit dhe 26 nëntorit 2019, që shkaktoi 51 vitkima, 3 mijë të plagosur, por atë ditë dhe për javë të tëra shkaktoi ankth, frikë, dhe la pasoja në mijëra të pastrehë dhe rrënoi ekonominë. Të gjithë thamë më keq se kjo nuk mund të ketë më. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma!
Brezi ynë përjetoi atë që kurrë Shqipëria dhe bota nuk e kishte përjetuar. Pandemia e virusit COVID-19 solli në të gjithë botën vdekjen e rreth gjysmë milioni njerëzve dhe 5 milionë të prekur, por edhe që 7 miliardë banorë të botës të mbylleshin për rreth tre muaj, duke shënuar një fenomen që kurrë s’ka ndodhur që nga krijimi i planetit. Ndonëse në shifra të ulëta, Shqipëria pati 31 të vdekur, 989 të prekur dhe një ekonomi të rrënuar. A është ky përjetimi i fundit? Këtë nuk e dimë. Dimë se çfarëdo që të ndodhë, jeta jonë është e mbushur me aq shumë ngjarje e pëjetime, sa tani asgjë nuk na bën më përshtypje. Vetë ne, por edhe brezat që do të vijnë do të na quajnë jo thjesht brezi që lindi në vitet ‘60-’70, por brezi i përjetimeve të mëdha. Jemi vërtet për studim.
I perkas atij brezi qe permendet ne artikull. Lindur ne fillim te viteve 60-te. Per mendimin tim, tragjedia e vertete e brezit tim ishin vitet 71-75, kur u shkullen nga rrenjet edhe ato te pakta shpresa per nje ndryshim brezash. Ishin vitet e terrorit ideologjik dhe ekonomik. Ishin vitet e shkaterrimit te pjeses se fundit te mbetur te inteligjences shqiptare. Ishin vitet kur pushteti ideologjik nuk kishte me justifikime per rrugen e gabuar. Filloje koha e kerkimit te armiqve imagjinare per te justifikuar terrorin. Ishte koha kur ne pushtet erdhen perfundimisht servilet dhe pushte(t). Ata qe moren ne dore shkaterrimin e pushtetit te vjeter per ambicije personale dhe coroditje intelektuale. Ata qe e filluan karrieren duke lepire doren, pastaj ngriten dy gishta, dy gishtat me te vlefshem te hajdutit/xhepistit, dhe tani nuk u dalin as gishtat e kembeve per te numeruar pasurine e vjedhur. Keto ishin vitet me tragjike te Shqiperise dhe vitet kur moshataret e mij kishin nevoje te formoheshin.
Ja ke futur kot , Roland. Pse te tjere breza nuk kane kaluar peripeci dhe ngjarje te mira dhe te keqia? Dhe mos harro ne qoftese ke lexuar pak histori te pa felliqur nga historiane te sotem, çfare edukimi i eshte bere brezit tend dhe brezit te sotem per: familjen e shoqerine, per moralin, nderin, respektin, edukaten per vete e shoqerine, per patriotizmin kombtar e shpirteror te tij, per lirine dhe çthurjen, per diktaturen dhe demokracine, per gjithe keto qe shikon , degjon dhe provon dhe beji pyetjen vetes, megjithese e di qe e ke te veshtire, je me i sigurte sot per jeten qofte edhe pa shume buke, uje dhe gjelle apo ishe ne diktature? Po shpirterisht e deshe me shume ne diktature babain, nenen, vellain , motren, kusheririn, shokun apo sot, hipokrizia njerezore ishte me e zhvilluar ne diktature apo sot , pra duhet qendruar me kembe ne toke dhe koken larte qe te shikosh mire rreth teje se çfare behet. Ngjarjet qe permend ti ashtu jane, kane egzistuar por interpretimi eshte i njeanshem sipas ndoshta jo dhe deshires tende, por imponimit te fshehte qe ti pershtatesh sadopak hipokrizise qe egziston; beni sikur flisni hapur dhe keni frike te shprehni mendimin e çilter tuajin, pse? Sepse slloganet liri, demokraci e çthurje jane pleksur aq keq sa nuk ndane dot shapin nga sheqeri. Kthjellohuni mos i merrni shabllon ato qe shkuan por ne kontekstin e kohes ashtu si permend ngjarjet, se edhe zogu nuk fluturon sa del nga veza, kalon ca kohe. Por mua me vjen keq per brezin qe rritet, pa perjashtuar nje pjese qe ndihem krenar e kenaqem shpirterish per nivelin dhe kulturen e edukaten e tyre, pergatitjen shkencore e kompetencen profesionale, por jane shume te pakte. Hajde degjo shprehjet e politikaneve ( nuk e di ku eshte shkolla qe kane mbaruar se do shkoja dhe une!), profesoreve te universiteteve shqiptare (!) , per te uluritur per Markun apo Gjekmarkun me shoke dhe çfare mesimi u japin studenteve per jeten e shoqerine , ky eshte brezi qe rrisin dhe keta do jene e ardhmja e mire ose e keqe, per teknikalitetet qofte edhe formale te jetes; ky eshte brezi me i vuajtur qe ka humbur orientimin se s’perfill me as nene e babe , as njeri. Pasojat jane keto qe shohim. Prandaj nuk je ti brezi qe ke pare e “shijuar” me shume, jeta eshte e shperndare ne hapsire dhe kohe; koha iken e s’e kap dote, hapsira eshte e pafundme, ndersa njeriu duhet ti vere kufij vetes per te bashkejetuar se edhe natyra ja ka vene nje kufi qe me lindje: nje dite do vdese, prandaj le te mendojme per me mire dhe te kultivojme shpirtitn e sakatosur dhe jo harbuterine ne emer te lirise qe ne te vertete eshte nje çthurje totale per tu vetesunduar.
Mos u merzitni me Roland Qafokun se oficewr i rendomte ushtrie ka qene,ne nivelin e nje fshjatari,qe per nje gje te vogel spiunonte shoket tek sekretari i partise!
Keshtu bejne te gjithe halete e politikes dhe medias ne Shqiperi keto 30 vjet se 90% e tyre kane qene vete komuniste,ose famojne komunistesh dhe qe te ndreqin imazhin shajne gjoja komunizmin!
E lexova kete shkrim deri pak pa e mbaruar.
A di ndonjeri si mund te villet? Te ndjehem sikur nuk e lexova fare! Ju lutem!
Kalofshi mire.
Jam i te njejtit mendim me “I fieme” por desha te shtoj se zoti gazetar shpesh ja fut fare kot, psh margarina qe prodhohej nga nafta. Kush ja mesoj ketij gazetari se margarina ka qene prodhuar nga nafta??? Nuk desha ta fyej, se ne fakt e meriton, por desha ti them se margarina nuk prodhohet nga nafta por nga vaji vegjetal. Nafta dhe produktet e saj kurre nuk kane qene produkt ushqimor per tu ngrene dhe mendoj se kurre nuk do te jene te tilla. Margarina eshte prodhuar ne ndermarrjen ushqimore ne fier dhe fatkeqesisht fabrika u shkaterru ne vitit ’90, e tani margarinen e importojme nga jashte vendit, se kjo e jona ishte e “keqe”.