BE i përgjigjet Donald Trump-it: G7 nuk mund ta ndryshojë formatin

2 Qershor 2020, 13:28Bota TEMA

Pjesëmarrja e Rusisë nga G8 është pezulluar dhe mund të rifillojë vetëm kur të krijohen kushtet dhe kjo gjë për momentin nuk është ende e mundur, deklaroi Përfaqësuesi i Lartë të BE-së, Josep Borrell, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me synimin e presidentit amerikan Donald Trump për një G7 të zgjeruar.

”Prerogativa e presidencës së G7-ës, në këtë rast SHBA, është të dërgojë ftesën dhe ndryshimi i formatit të G7-ës nuk është prerogativë e presidencës së radhës”, shtoi Borell.

Presidenti amerikan, Donald Trump kishte deklaruar tri ditë më parë se do të shtynte samitin e G7-s në shtator dhe se po planifikonte të ftonte në këtë samit edhe vende joanëtare si Rusia, Koreja e Jugut, Australia dhe India.

Trump u tha gazetarëve që udhëtonin me të nga Florida për në Uashington se G7-a, e cila ishte planifikuar të zhvillohej në fund të qershorit në Camp David, është një ”grup shumë i vjetëruar vendesh” dhe se ”nuk përfaqëson siç duhet atë që po ndodh në botë”.

Takimi mbledh së bashku liderët e Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Japonisë, Italisë dhe SHBA-së.

Rusia u përjashtua nga G8-a pesë vjet më parë si ndëshkim për aneksimin e rajonit fqinj të Krimesë.

Alyssa Farah, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, tha se samiti i G7 do të bashkojë aleatët tradicionalë për të biseduar rreth trajtimit të së ardhmes së Kinës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje