Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara do e vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë. Prania e trupave amerikane ishte vënë në dyshim këtë vit nga zyrtarë të shtetit pas debatit rreth tarifës 100 për qind mbi mallrat serbe.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar mbështetjen për operacionet e forcave të armatosura ndërkombëtare në Kosovë, pak ditë pasi qeveria e re e Kosovës ka dhënë shenja të zotimit për dialog me Serbinë.
Me një letër drejtuar dy dhomave të Kongresit, presidenti Donald Trump informoi të martën se trupat amerikane të KFOR-it do vazhdojnë misionin e garantimit të sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në territorin e vendit.
Forca e Kosovës operon që nga 11 qershori i vitit 1999 pas konfliktit Kosovë-Serbi, me një rezolutë të Kombeve të Bashkuara dhe me përfshirjen e NATO-s e institucioneve partnere.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kontribuojnë trupa në Forcën e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët dhe institucionet ndërkombëtare për të parandaluar armiqësitë e reja në Kosovë. Rreth 640 ushtarë amerikanë janë pjesë e personelit prej 4 mijë trupash të KFOR-it. Si kryekomandant unë udhëzoj pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të SHBA-ve në të gjitha operacionet e lartpërmendura,” shkroi Trump në letrën e tij.
Në mars të këtij viti, dy senatorë amerikanë paralajmëruan se SHBA-ja mund të tërheqë trupat ushtarake nga Kosova nëse nuk do të shfuqizohej tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Qëndrimin e shprehën edhe emisari i posaçëm për bisedimet dypalëshe, Riçard Grënell.
Kjo masë u zëvendësua me reciprocitet nga ish-kryeministri Albin Kurti por u pezullua javën e kaluar nga pasardhësi i tij, Avdullah Hoti, për të hequr sipas tij një nga pengesat e fundit për vazhdimin e dialogut me fqinjin verior.
Dialogu Kosovë-Serbi është pezulluar nga nëntori i vitit 2018 kur kryeqeveritari i kohës, Ramush Haradinaj, nisi politika maksimaliste që do acaronin marrëdhëniet dypalëshe.
Negociatat mes Kosovës e Serbisë ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian prej vitit 2011 dhe kanë për synim njohjet reciproke dhe pajtimin mes shteteve fqinje.
Po se mos rrine si pushtues per llogari te serbeve dhe jo si ruajtes te paqes