YouTube ka njoftuar krijimin e një fondi prej 100 milion dollarësh, i destinuar për t’u dhënë zë krijuesve afrikano-amerikanë, të cilët publikojnë përmbajtje në platformën e tij.
Ishte CEO Susan Wojcicki, që e bëri të njohur lajmin në këtë postim në blogun e kompanisë. Fondi do të financojë prodhimin e programeve të reja origjinale. “Ne jemi të përkushtuar të bëjmë më të mirën për të centralizuar dhe amplifikuar zërat dhe perspektivat e afrikano-amerikanëve“, shkroi Wojcicki. “Ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të eleminuar racizmin sistemik.”
PayPal gjithashtu po ndërmerr këtë fushë, me 530 milion dollarë të destinuar të mbështesë aktivitetet ekonomike në pronësi të afrikano-amerikanëve dhe pakicave në Shtetet e Bashkuara.
YouTube dhe PayPal bashkohen në listën e kompanive të teknologjisë së lartë që javët e fundit kanë ndarë para për të mbështetur komunitetin afrikano-amerikan. Apple dje filloi nismën e saj për Drejtësi Raciale dhe Barazi, e mbështetur me 100 milion.
Google ka ndarë 12 milion për të mbështetur organizatat që luftojnë racizmin. Amazon dhe Facebook të dy kanë ndarë 10 milion për grupet që luftojnë për drejtësi racore dhe sociale.