Ekspozimi ndaj të ashtuquajturave PFAS, substanca perfluoro alkilike, mund t’u shkaktojë femrave menopauzë të parakohshme. Efektet e këtyre elementëve janë provuar edhe në vezore vitet e fundit.
Një studim i sapobotuar në “Journal of Endocrinology and Metabolism”, nga studiues të Shkollës së Shëndetit Publik të Universitetit të Miçiganit, është përqendruar në pasojat afatgjata të pranisë së PFAS në ujë. Autorët analizuan të dhëna nga më shumë se 1 100 gra të moshës midis 45 dhe 56 vjeç, në arkivat e një studimi të madh të quajtur studimi i shëndetit të grave në nivel kombëtar.
Rezultati nuk la vend për dyshim: gratë me nivel të lartë të PFAS në plazmë hynin në menopauzë mesatarisht dy vjet më parë se moshataret që kishin nivele më të ulëta. Vlerësohet se 110 milionë amerikanë, domethënë një në tre amerikanë, janë të ekspozuar në mënyrë kronike ndaj këtyre lëndëve përmes ujit të pijshëm.
Çfarë janë PFAS
Termi përmbledh një familje të përbërjeve kimike që përdoren kryesisht në fushën industriale. Ato janë acide shumë të forta që përdoren në formë të lëngshme, me një strukturë kimike që u jep atyre një stabilitet të veçantë termik dhe i bën ato rezistente ndaj proceseve kryesore të degradimit natyror.
Që prej viteve ’50, PFAS janë përdorur në trajtimin e qilimave, në prodhimin e letrës dhe kartonit për ambalazhe ushqimi, për veshjen e tiganëve jo ngjitës dhe në prodhimin e veshjeve teknike, në veçanti për karakterin e tyre hidrofobik.
/ Il Fatto Alimentare /